Papa në Lampedusa, një shtegtim afërsie me migrantët dhe të harruarit
Vatican News
Vizita e Papës Leoni XIV në Lampedusa është në vazhdën e angazhimit të tij për periferitë njerëzore dhe të dëshmisë së lënë nga paraardhësi i tij Papa Françesku. Që prej zgjedhjes së tij, afërsia e Leonit XIV me njerëzit e lënë në margjina është shndërruar në një nga shtyllat themelore të shërbesës së tij si Pasardhës i Shën Pjetrit. Fjalimet dhe udhëtimet e Papës Prevost dëshmojnë vëmendjen e tij të veçantë ndaj të varfërve dhe të përjashtuarve.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Spanjë, ndërsa denonconte trafikun e qenieve njerëzore në Santa Cruz de Tenerife, Papa kujtonte se: «Një ndërgjegje njerëzore, e aq më tepër një ndërgjegje e krishterë, nuk mund të mbetet indiferente përballë viktimave të mbytjeve në det dhe mungesës së ndihmës, përballë këtyre varrezave të detit». Sipas Leonit XIV, çdo njeri i detyruar të largohet nga vendi i vet mbart një histori, një dinjitet dhe një shpresë që meritojnë të mirëpriten e të respektohen, aq më tepër sepse «të gjithë jemi migrantë; të gjithë jemi shtegtarë në udhën drejt atdheut qiellor».
Lampeduza, ishull në zemër të sfidës së migrimit
Në Lampeduzë, Ati i Shenjtë Leoni XIV do të shkelë në një tokë që është bërë simbol i migrimit në Mesdhe, por edhe i solidaritetit me ata që ikin nga lufta, përndjekja ose mjerimi. Me këtë vizitë, Papa dëshiron të vërë në pah fytyrën e një Kishe që mbetet pranë atyre që përjetojnë dramën e mërgimit. Njëkohësisht, Ati i Shenjtë do të shprehë mbështetjen e tij për banorët e ishullit, për vullnetarët dhe institucionet që çdo ditë kujdesen për pritjen e migrantëve.
Në gjurmët e Papës Françesku
Programi i vizitës së Papës në Lampedusa parashikon bekimin e një pllake përkujtimore kushtuar Papës Françesku. Me këtë gjest, Leoni XIV shpreh vendosmërinë për të vazhduar udhën e hapur nga paraardhësi i tij, udhëtimi i parë apostolik i të cilit, në vitin 2013, ishte pikërisht në Lampeduzë. Kështu, përtej përmasës përkujtimor, kjo vizitë e Leonit XIV në ishullin italian dëshmon vazhdimësinë e angazhimit të Kishës katolike në mbrojtje të dinjitetit të migrantëve, në ruajtjen e kujtesës së viktimave të Mesdheut dhe në promovimin e kulturës së takimit.
Një program i shënuar nga lutja dhe takimi
Ipeshkvi i Romës do të niset nesër nga aeroporti i Romë-Ciampino në orën 7:45 dhe pritet të mbërrijë në Lampeduzë në orën 9:00.
Gjesti i tij i parë i Papës do të jetë një çast lutjeje në varrezat e ishullit, ku do të vendosë një buqetë me lule mbi varret e të ndjerëve. Kujtohet videomesazhi që Papa dërgoi në shtator të vitit 2025 me rastin e paraqitjes së kandidaturës së projektit "Gjeste mikpritjeje" për Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Në atë rast, duke denoncuar «globalizimin e pafuqisë», Leoni XIV shprehej me dhimbje: «Sa shumë viktima – mes tyre edhe kaq shumë nëna e fëmijë! Shumë vëllezër e motra migrantë janë varrosur në Lampeduzë dhe pushojnë në këtë tokë si fara, prej së cilës Zoti dëshiron të mbijë një botë e re».
Më pas Papa do të drejtohet te Porta e Evropës, monumenti Lapmedusës simbol kushtuar migrantëve, e më pas në Molo Favaloro, ku do të bekojë një pllakë përkujtimore kushtuar Papës Françesku. Menjëherë pas kësaj Leoni XIV do të përshëndesë një grup migrantësh. Në orën 10:30 Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën e Shenjtë. Në përfundim të saj do të takohet me autoritetet, me fëmijët, me të sëmurët dhe me vullnetarët që shërbejnë pranë njerëzve më të brishtë.
