Kërko

Papa në Lampedusa lutet në varreza, kalon “Portën e Evropës” dhe bën thirrje për një botë më njerëzore

Leoni XIV në Lampedusa: Emigrantët vdiqën në det për shkak të vendimeve të marra ose të pamarra. Evropa të hartojë një plan shpëtimi

Vatican News

Në Lampedusa, ku zbarkojnë mijëra emigrantë, vizita e Papës Leoni XIV u shndërrua në një ditë të mbushur me emocione të forta dhe gjeste simbolike që lanë gjurmë të thella. Ati i Shenjtë u ndal në varreza për t’u lutur për migrantët që kanë humbur jetën në det, përpara se të kalonte nëpër atë që njihet si “Porta e Evropës”, një vend që për shumëkënd përfaqëson kufirin mes shpresës dhe tragjedisë.

Më pas, Papa iu afrua shkëmbinjve të bregut të detit, duke ecur i vetëm në një çast heshtjeje dhe përsiatjeje.  Ati i Shenjtë Prevost u ngjit i vetëm mes shkëmbinjve për një çast lutjeje e përsiatjeje përballë Mesdheut dhe kaloi nëpër Portën e Evropës, duke theksuar: "Prej këtu shihet më qartë thirrja historike që dukuria e migracionit i drejton kontinentit evropian". Në një moment të papritur, era i mori kapelën papnore, një detaj i vogël që u përjetua si shenjë e brishtësisë njerëzore përballë pafundësisë së detit dhe dramës së atyre që e kanë kaluar atë në kërkim të jetës.

Gjatë ndalesës së tij te monumenti kushtuar migrantëve, Papa Leoni XIV pati një fjalë të shkurtër, por të ngarkuar me ndjenjë: “Jam pranë jush, ju shoqëroj dhe ju mbështes.” Ishte një gjest afërsie që u prit me emocion nga të pranishmit dhe që përforcoi mesazhin qendror të vizitës së tij: askush nuk duhet të mbetet vetëm përballë dhimbjes. Në molin Favaloro në Lampedsua, Papa zbuloi dhe bekoi një pllakë përkujtimore kushtuar Papa Françeskut, të titulluar “Portë e njerëzimit”, duke e lidhur simbolikisht këtë vend me historinë e mikpritjes së migrantëve dhe dhimbjes që ka shënuar Lampedusën ndër vite.

Në përfundim të vizitës, në Meshën e kremtuar në fushën sportive të ishullit, Leoni XIV ngriti zërin për një reflektim të thellë mbi dramën e migracionit dhe kujtoi se të vdekurit në det janë viktima të vendimeve të munguar dhe të llogarive të ftohta e çnjerëzore, duke theksuar se Ungjilli humb zërin e tij kur mungojnë mikpritja dhe dialogu. Në fjalën e tij, Papa bëri thirrje që Evropa të mos mbetet spektatore përballë dramës së migracionit, por të angazhohet konkretisht me një plan të koordinuar shpëtimi dhe mikpritjeje, në mënyrë që Mesdheu të mos vazhdojë të jetë një varr për mijëra burra, gra dhe fëmijë që kërkojnë një jetë më të sigurt.

Papa u lut pranë varreve të atyre që humbën jetën në një mbytje tragjike në det dhe dënoi me forcë indiferencën ndaj vuajtjeve të migrantëve. "Në çdo kohë" , tha Ati i Shenjtë, "nuk mungojnë ata që kanë frikë të 'ndoten' nga takimi me tjetrin, duke mohuar kështu – madje edhe përballë vuajtjes dhe vdekjes – prejardhjen tonë të përbashkët nga Hyji dhe dinjitetin e pafund të çdo qenieje njerëzore". Me këtë mesazh, Papa la pas një thirrje të fortë për botën: nevojën për një njerëzim më të madh, më të hapur dhe më të aftë për të parë në fytyrën e çdo migranti dinjitetin e vetë njeriut.

04 korrik 2026, 11:49