Papa u siguron amerikanëve lutjet për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara
Vatican News
Në mesazhin e tij, Ati i Shenjtë, Papa Robert Francis Prevost, i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndalet te parimet që kanë udhëhequr historinë amerikane gjatë dy shekujve e gjysmë të fundit. Leoni XIV e cilëson këtë jubile si një moment të rëndësishëm për jetën e kombit, duke kujtuar se Deklarata e Pavarësisë në SHBA-së i dha zë idealeve të lirisë, barazisë, kërkimit të lumturisë, drejtësisë dhe vetëqeverisjes demokratike.
Papa vëren se, gjatë këtyre 250 viteve, breza të tërë amerikanësh janë përpjekur t'i bëjnë këto ideale realitet përmes sakrificës, shërbimit, krijimtarisë dhe pjesëmarrjes aktive në jetën qytetare.
Në të njëjtën kohë, Leoni XIV nënvizon se ky përvjetor nuk duhet të jetë vetëm një rast festimi, por edhe një ftesë për të reflektuar mbi përgjegjësinë që qytetarët kanë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj brezave që do të vijnë.
Në qendër të këtij reflektimi, Papa vendos lirinë fetare, të cilën e quan një nga parimet më të çmuara të Shteteve të Bashkuara. "Ndër më të çmuarat nga këto parime", shkruan Ati i Shenjtë, "është liria fetare – e drejta e çdo njeriu për të adhuruar sipas ndërgjegjes dhe për ta ushtruar hapur fenë e tij, pa detyrim dhe pa frikë." Sipas tij, pikërisht kjo liri ka mbrojtur dinjitetin e individit dhe ka bërë të mundur bashkëjetesën paqësore të një shoqërie të larmishme, duke i krijuar gjithashtu Kishës Katolike mundësinë të zhvillohet e të japë fryte në vend.
Duke reflektuar mbi rolin e katolikëve në jetën publike, Papa Leoni thekson se feja nuk e dobëson përgjegjësinë qytetare, por e forcon atë. "Si bij dhe bija besnike të Kishës", shkruan ai, "katolikët janë të thirrur ta përshkojnë çdo dimension të jetës së tyre me dashurinë e Krishtit, duke e jetuar Ungjillin në rrethanat e përditshme”. Kjo dëshmi, shton ai, është shprehur ndër vite përmes kontributit të Kishës në arsim, kujdesin shëndetësor dhe shërbimin ndaj së mirës së përbashkët.
Duke kujtuar enciklikën Sapientiae Christianae të Papa Leonit XIII, Ati i Shenjtë Prevost citon fjalët e paraardhësit të tij: "Nuk ka qytetar më të mirë... se i krishteri që është i vetëdijshëm për detyrën e tij". Në të njëjtën frymë, Ati i Shenjtë thekson se feja i jep një shtysë të re angazhimit për drejtësinë, paqen dhe të mirën e përbashkët, ndërsa kujton edhe thirrjen e Shën Palit për t'u lutur për ata që mbajnë përgjegjësi në qeverisje.
Një pjesë e rëndësishme e letrës i kushtohet dinjitetit të jetës njerëzore. Papa Leoni XIV rithekson se çdo njeri ka një vlerë të lindur e të paprekshme, të dhënë nga Zoti, dhe se kjo kërkon mbrojtjen e jetës që nga ngjizja deri në vdekjen natyrore. Ai fton gjithashtu për ndërtimin e një shoqërie ku më të pambrojturit, ata që vuajnë dhe të harruarit të priten gjithmonë me dhembshuri, solidaritet dhe dashuri.
Në këtë kontekst, Papa ndalet edhe te emigrantët, duke kujtuar se historia e Shteteve të Bashkuara është ndërtuar edhe mbi sakrificat dhe kontributin e tyre. "Në çdo brez", shkruan ai, "ata që kanë ardhur në kërkim të lirisë, mundësive dhe një vendi ku të ndihen pjesë e shoqërisë, kanë ndihmuar në formësimin e karakterit të kombit". Pranimi i tyre me dhembshuri dhe bujari, shton Papa, nuk është vetëm një akt bamirësie, por edhe një njohje e dinjitetit që i përket çdo njeriu.
Duke iu referuar edhe enciklikës së tij Magnifica humanitas, Papa Leoni kujton se sfidat globale të kohës sonë nuk mund të përballohen nga askush i vetëm. "Ndërtimi i një bote ku secili mund të lulëzojë kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe guxim. Askush nuk mund ta mbajë i vetëm peshën e sfidave me të cilat përballet bota".
Në përfundim, Ati i Shenjtë Prevost shpreh dëshirën që ky jubile t'i nxisë amerikanët të ripërtërijnë angazhimin e tyre për lirinë, mundësitë dhe demokracinë. "Uroj", shkruan ai, "që amerikanët ta nderojnë guximin dhe vizionin e atyre që i paraprinë, duke forcuar bashkësitë e tyre, duke respektuar dallimet dhe duke punuar së bashku për një bashkim gjithnjë e më të përsosur".
Letrën e tij Papa Leoni XIV e mbyll duke ia besuar popullin amerikan ndërmjetësimit të Zojës së Papërlyer, Pajtores Qiellore të Shteteve të Bashkuara, me lutjen që ajo të vazhdojë ta mbrojë kombin dhe të gjithë ata që jetojnë në të.
