Papa: ta pranojmë e respektojmë jetën pa kushte, jo kulturës së përjashtimit
Vatican News
Papa Leoni XIV u bënë thirrje katolikëve në mbarë botën që t’i bashkohen gjatë këtij muaji korrik në lutje për respektimin ndaj jetës njerëzore çdo fazë.
“Një shtëpi e hapur”, që e mirëpret dhe respekton jetën pa vendosur kushte. Ku askush nuk është i tepërt, por secili është i denjë për dashurinë që nuk përjashton”. Kjo është natyra e Kishës që Papa Leoni XIV e kërkon në ndjetin e tij të lutjes për muajin korrik. E shpërndarë përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, në bashkëpunim me Dikasterin e Vatikanit për Komunikimin, kjo thirrje e Papës Prevost është “një ftesë për ta shoqëruar dhe respektuar jetën njerëzore në çdo fazë, duke mbrojtur me guxim ata që nuk kanë zë dhe mbështetje”.
Të shoqërojmë çdo fazë të jetës
Papa e ka theksuar këtë temë edhe disa javë më parë gjatë udhëtimit të tij apostolik në Spanjë, kur duke iu drejtuar Parlamentit në Madrid pati pohuar se “çdo jetë njerëzore duhet të njihet dhe të ruhet nga ngjizja deri në përfundimin e saj natyror, në çdo rrethanë të ekzistencës së saj”.
Në videomesazhin me ndjetin e lutjes për muajin korrik — pjesë e nismës “Lutu me Papën”, në italisht, anglisht dhe spanjisht — Leoni XIV kujtoi se Zoti e ka krijuar secilin prej nesh me dashuri dhe na ka thirrur të jetojmë jetën në plotësi.
Papa thekson edhe një herë se çdo person është një “dhuratë e shenjtë” që pasqyron fytyrën e Zotit, “nga çasti i parë i ekzistencës së tij deri në frymën e fundit në tokë”. Prandaj lutet duke thënë “na mëso, o Zot, ta pranojmë jetën pa kushte, ta mbështesim me butësi brishtësinë, ta shoqërojmë jetën në çdo fazë me respekt dhe të mbrojmë me guxim ata që nuk kanë zë”.
Ruajtja e dinjitetit
Lutja e Papës shndërrohet gjithashtu edhe në një kërkesë për falje për rastet kur njerëzit bien në indiferencë ose në atë që Papa Françesku e quante “kulturë e përjashtimit”, duke mos e shikuar tjetrin si “një qenie të denjë për dashuri” dhe jetën si diçka që meriton “dhurimin e plotë” të vetvetes.
“Bëje Kishën tënde, o Zot, një dëshmi të gjallë të Ungjillit të jetës, një shtëpi të hapur ku çdo jetë kremtohet, ku askush nuk ndihet i tepërt dhe ku dinjiteti respektohet e ruhet gjithmonë”.
Situatat e emergjencës
Ndjeti i lutjes së Papa Leonit pasqyron një realitet shqetësues, të dokumentuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), sipas së cilës çdo vit në mbarë botën regjistrohen rreth 73 milion aborte të shkaktuara.
Po aq shqetësuese është edhe prirja në lidhje me zbatimin e dënimit me vdekje. Sipas Amnesty International, gjatë vitit 2025 u regjistruan të paktën 2.707 ekzekutime në 17 vende, shifra më e lartë që nga viti 1981 dhe një rritje prej 78% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, OBSH njoftoi në vitin 2024 se një në gjashtë persona mbi moshën 60 vjeç përjeton një formë abuzimi, duke vënë në dukje cenueshmërinë e vazhdueshme të të moshuarve.
Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës
I themeluar në vitin 1844 me emrin Apostullimi i Lutjes, Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës është një Vepër Papnore e besuar Shoqërisë së Jezusit (Jezuitëve). Në dhjetor 2020, Papa Françesku e themeloi këtë Vepër Papnore si një Fondacion të Vatikanit, ndërsa në korrik 2024 miratoi statutet e saj përfundimtare.
Rrjeti është i pranishëm në më shumë se 92 vende të botës dhe përbën një bashkësi shpirtërore me mbi 22 milionë anëtarë, të cilët përpiqen ta jetojnë çdo ditë me gatishmëri misionin e Zotit. Në qendër të misionit të tij janë qëllimet mujore të lutjes së Papës, të cilat i ftojnë besimtarët të përqendrohen te sfidat më urgjente me të cilat përballet njerëzimi dhe misioni i Kishës.
