Kërko

Shkatërrimi në Venezuelë Shkatërrimi në Venezuelë

Papa për Venezuelën: “në lutjet e mia kujtoj gjithmonë viktimat e tërmetit”

Papa Leoni XIV, në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, drejtoi mendimin e tij ndaj Venezuelës, e goditur rëndë nga dy lëkundje të forta tërmeti që kanë shkaktuar gati 3 mijë viktima. Më pas, Ati i Shenjtë kujtoi edhe lumturimin e meshtarit vietnamez Françesk Ksavier Tru’o’ng Bǚu, i vrarë nga urrejtja për fenë.

Vatican News

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa Leoni XIV shprehu afërsinë e tij me popullin e Venezuelës, i cili po përjeton një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit. Duke folur në gjuhën spanjolle, Ati i Shenjtë u drejtoi një mesazh ngushëllimi dhe shprese familjeve që prej 24 qershorit vajtojnë humbjen e të dashurve të tyre, pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin.

Mendimi i Papës shkoi veçanërisht për banorët e La Guaira-s, epiqendra e katastrofës rreth dyzet kilometra larg Karakasit, ku lëkundjet sizmike lanë pas mijëra viktima dhe dëme të mëdha.

«I kujtoj gjithmonë në lutjet e mia viktimat e tërmetit dhe mbarë popullin venezuelian. Zoti e mbështettë në këtë çast kaq të vështirë», tha Papa.

Bilanci i tragjedisë është tejet i rëndë: afro tre mijë të vdekur, mijëra të pastrehë dhe komunitete të tëra të shkatërruara. Shumë njerëz vazhdojnë të jetojnë në rrugë ose në strehime të përkohshme, ndërsa ekipet ndërkombëtare të shpëtimit po përfundojnë gradualisht kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.

Papa Leoni XIV kujtoi më pas edhe lumturimin e meshtarit vietnamez Françesk Ksavier Tru’o’ng Bǚu, të kremtuar më 2 korrik në Shenjtëroren e Tac Say-t, në Vietnam. Meshtari u vra në vitin 1946 nga urrejtja për fenë dhe u shpall i Lum nga Kisha gjatë një kremtimi të kryesuar nga kardinali Louis Antonio Gokim Tagle, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin, i cili e cilësoi atë si «një misionar të vërtetë».

Duke e paraqitur si shembull për Kishën e sotme, Papa kujtoi se, në një kohë të mbushur me padrejtësi dhe dhunë, ai u bë mbrojtës i të drejtave të njerëzve dhe nuk i braktisi kurrë besimtarët e famullisë së tij. Ati i Shenjtë shprehu urimin që ndërmjetësimi dhe lutja e martirit të ri të jenë mbështetje për të gjithë punëtorët e Ungjillit, veçanërisht për ata që edhe sot jetojnë dhe shërbejnë në rrethana përndjekjeje.

Në fund të takimit gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, Papa përshëndeti besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Në gjuhën portugeze u uroi mirëseardhjen shtegtarëve nga Brazili dhe Korit të Universitetit të Mérida-s në Venezuelë, ndërsa përshëndeti gjithashtu grupe shtegtarësh nga Polonia, si edhe besimtarë italianë të ardhur nga Bellagio, pranë liqenit të Komos, dhe nga Sicilia.

05 korrik 2026, 15:28