Leoni XIV: si për Marinë, dashuria e vërtetë na shndërron e na afron me Zotin
Vatican News
Bukuria e vërtetë, ajo që shumë artistë e paraqesin në Marinë "e ngjitur në lavdinë qiellore me trup e me shpirt", si "grua e re, e bukur, që lartohet fizikisht nga toka drejt kupës së qiellit", mund të gjendet "atje ku ka bamirësi të vërtetë": në "sytë e një babai dhe të një nëne, që kthehen në shtëpi pas një dite pune", të lumtur me fëmijët e tyre; ose në fytyrat e gjyshërve, të cilët, pavarësisht sëmundjeve, "rigjallërohen me energji të papritur nga kujdesi për nipërit e mbesat e tyre", ose në angazhimin e të rinjve, që "përpiqen të rriten të pastër dhe të ndershëm".
Fytyra e mahnitëse e së Zojës së Ngjitur në Qiell
Kështu e përshkroi Papa Leoni XIV "fytyrën e bukur të Zojës të Ngjitur në Qiell" gjatë homelisë së Meshës, në Famullinë Papnore të Shën Tomës nga Villanova, në Castel Gandolfo, ku po shijonte një periudhë të dytë pushimi, që nga mbrëmja e së mërkurës.
Të pranishëm, dy mijë besimtarë, shumica e të cilëve u mblodhën në Piazza della Libertà, përpara kishës, që nga orët e para të mëngjesit për të pritur mbërritjen e Papës dhe për të dëgjuar fjalët e tij, falë një ekrani të madh dhe amplifikatorit të vendosur në zonën përpara kishës së vogël. Pjesa tjetër, afërsisht 250, ishin ulur në stolat e kishës kolegjiale të shekullit të 17-të, e cila ishte përplot që nga mëngjesi.
Famullitari i Castel Gandolfo-s: "Papa sjell gëzim këtu, është magnet për një mori njerëzish".
Dashuria është stolia më e bukur e njeriut
Duhet të mësojmë ta lexojmë “bukurinë hyjnore që na rrethon - shpjegon Papa - në fytyrën e butë të një fëmije, si dhe në rrudhat e një të moshuari; në gjallërinë e një të riu, si në qetësinë e një të rrituri; në stolitë e festimit, si dhe në rrobat dhe mjetet e punës”. Duke njohur në secilën prej këtyre realiteteve “shpërthime të vogla të qiellit”.
Dashuria është stolia më e bukur e njeriut: dashuria që na transfiguron, na transformon, na fisnikëron dhe na ngre lart; që na bën të lehtë, të lirë e pranë Zotit, edhe përmes uljeve e lartimeve të jetës.
“Një grua e veshur me diell, me hënën nën këmbët e saj”
Leoni XIV shpjegon se artistët, duke përshkruar Ngjitjen në Qiell, u frymëzuan nga fragmenti i Librit të Zbulesës, duke e dëgjuar në leximin e parë: “Një grua e veshur me diellin, me hënën nën këmbët e saj”. Kjo do të thotë se “qielli dhe toka, koha dhe përjetësia, takohen në zemrën e Marisë”. Ajo është grua e re, e bukur, por kjo bie ndesh, thekson Papa, "me përvojën e asaj që prodhon tek ne kalimi i viteve". Me moshën, lëkura "tregon shenjat e plakjes" e flokët "bëhen gri dhe pastaj të bardhë".
“Çka kemi të përbashkët - pyet akoma Papa - me të renë e mrekullueshme, që e shikojmë të pikturuar në altaret tanë?".
Bukuria e vërtetë është pastërtia e shpirtit
Papa Leoni na fton të shohim dy shenja: "trupin e paprishur të Nënës së Zotit dhe zemrën e saj patëmetë". Është pastërtia e shpirtit tek Maria, ashtu si tek ne, "me hirin e Zotit ndriçon dhe transformon gjithë personin, duke e çuar atë në lavdinë e Qiellit".
Lavdërimi i Marisë në trup e në shpirt na mëson se bukuria jonë e vërtetë nuk ndodhet në fshehjen e shenjave të kohës që kalon, por edhe në dukjen, në mishin tonë, të shenjave të dashurisë së pafund.
Rishikimi i standardeve estetike, të lidhura me konsumizmin
Kjo, vazhdon Papa, na fton "të rishikojmë shumë nga standardet estetike, kryesisht hedoniste dhe konsumiste", të imponuara nga bota, të cilat rrezikojnë "të na burgosin në kushte të rënda, duke na bërë të humbasim energji të çmuar në atë që nuk ka vërtet rëndësi dhe nuk zgjat përgjithmonë".
Në përvojën e zakonshme, mund të hasim njerëz, fytyrat e të cilëve janë të prekura nga mosha e nga vuajtja, por të aftë të rrezatojnë qetësi, mirësi dhe paqe rreth tyre; ashtu siç mund të vëzhgojmë të tjerët, ndoshta tërheqës nga jashtë, por të ngurtë dhe të akullt nga brenda.
Në "përmasën e vogël" të Marisë, edhe ne e takojmë Zotin.
E është e lehtë, komenton Ipeshkvi i Romës, të kuptojmë se ku qëndron bukuria e vërtetë dhe ku ka ende nevojë për konvertim, falje dhe shërim. E më pas shpjegon se mrekullia që Maria "e jetoi në zemrën e saj të pafajshme” dhe që e çoi në lavdinë e Qiellit, “është takim ekstremesh”, siç dëshmojnë fjalët e frymëzuara të Magnificat, të dëgjuara në Ungjillin e Lukës. Me këto fjalë, ajo na tregon më në fund, “në gjendjen e saj si ‘shërbëtore e përulur’, ‘dimensionin e vogël’, siç tha Shën Pali VI, edhe ne mund ta takojmë Zotin”. Një shërbim si puna “e kaq shumë burrave dhe grave që çdo ditë, me besim dhe përkushtim, kontribuojnë për të sjellë pak Qiell në tokë dhe tokë në Qiell”.
Fytyra e Zojës Mari Ngjitur në Qiell, tek ata që ndajnë fenë me ne
Papa Leoni XIV nënvizon, më pas, se "fytyra e bukur e të Ngjiturës në Qiell është unike, e pra shumë e njohur nga ne... Është fytyra e njerëzve që janë pranë nesh, edhe në këtë çast, e vëllezërve dhe motrave me të cilët ndajmë, në fe, ofertën e përditshme të jetës sonë.
Duke e parë Marinë, ndjekim dritën e të Ngjallurit
Kjo është arsyeja pse, shpjegon ai, "bashkësia e besimtarëve e sheh veten në gruan e Apokalipsit, dhe Koncili II i Vatikanit e përshkruan Marinë si 'shëmbëlltyrën dhe fillimin e Kishës'". Së fundi, Papa kujton se Shën Agustini, "duke folur për ringjalljen e Krishtit, i ftoi të krishterët e kohës së tij ta bënin atë busull dhe pikë referimi për ekzistencën e tyre", duke i nxitur të ndryshonin kurs dhe të ndiqnin dritën, e duke u ngritur "nga i njëjti vend, nga i cili u ngrit ai ".
Ta bëjmë tonën ftesën e tij. Të ndjekim dritën e të Ngjallurit, duke ndryshuar kurs, nëse është e nevojshme. Ta bëjmë këtë, veçanërisht sot, duke vështruar Marinë, të cilën Zoti e kurorëzoi me lavdi në trup dhe në shpirt, e të cilën na e dha si Nënë, udhërrëfyese, shoqëruese udhëtimi dhe mbrojtëse në rrugën drejt Qiellit.
Në bashkëfestim me Leonin XIV ishin Ipeshkvi Vincenzo Viva i Albanos, famullitari Atë Tadeusz Rozmus, Rektori Major i Salezianëve, At Fabio Attard, Prokurori i Përgjithshëm i Salezianëve, Atë Pierfausto Frisoli, dhe disa të ftuar.
