Leoni XIV: mos u dëshpëroni, as në çastet e errësirës. Jezusi nuk na braktis kurrë
Vatican News
Ndjekja e vërtetë e Krishtit nuk zhvillohet përmes lavdërimit të vetvetes a përmes hamendjeve të aftësive vetjake, por përmes aftësisë "për të mos u dëshpëruar, as në çastet e territ", kur "ndihemi të pafuqishëm përballë problemeve". Leoni XIV e theksoi këtë në katekizmin e tij, që i parapriu lutjes së Engjëllit në Sheshin e Shën Pjetrit sot, më 9 gusht, në të dielën e 19-të të Kohës së zakonshme. Papa komentoi fragmentin e Ungjillit të Mateut, në të cilin Jezusi "në liqenin e Galilesë, arrin te dishepujt në mes të një stuhie, duke ecur mbi ujërat".
Frika, pas suksesit
Pasi përfundoi mrekullia e shumëzimit të bukëve e peshqve, kujtoi Papa, Mjeshtri i ftoi dishepujt "të hipnin në barkë dhe të dilnin në thellësi", ndërsa ai vetë u tërhoq në një mal për t'u lutur në vetmi. Të ndjekur nga një stuhi në mes të Detit të Galilesë, Të Dymbëdhjetët sulmohen nga era, mbeten në mëshirën e valëve të dhunshme dhe "luftojnë për të shkuar përpara".
Pas një përvoje të suksesshme, në të cilën kishin qenë një shenjë e jashtëzakonshme, tani e ndjejnë veten të pafuqishëm dhe të frikësuar përballë kërcënimit të valëve dhe të erës së kundërt.
"Ndërsa nata i lëshonte dalëngadalë dritën ditës", Jezusi arrin tek ata, duke ecur mbi ujërat e trazuara. Apostujt, vazhdon Papa, frikësohen dhe e ngatërrojnë me një fantazmë, por Krishti u tregon kush ishte, duke i nxitur të mos kenë frikë, e duke përsëritur "Guxim, jam unë; mos kini frikë!".
Përvoja e pafuqisë së tyre
Prania e Mjeshtrit "e ndryshon gjithçka". Pjetri dëshiron të shkojë drejt tij dhe bën disa hapa mbi valë për ta arritur, por "pastaj frikësohet e fundoset, por Jezusi e shpëton sakaq". Kur Krishti hipën në varkë, stuhia qetësohet e një rrëfim besimi buron spontanisht nga zemrat e dishepujve: "Vërtet, ti je Biri i Zotit!".
Për ta arritur këtë, nuk mjaftonte që ata të kishin parë një mrekulli, as të kishin pasur sukses para njerëzve: duhej të kalonin nëpër përvojën e dobësisë së tyre dhe, në të, të njihnin praninë e Zotit. Vetëm në këtë mënyrë mund t'ia hapnin vërtet sytë dhe zemrat e tyre afërsisë së Tij, duke gjetur paqe edhe në mes të stuhisë.
Fragmenti i Ungjillit të kësaj të diele, përfundoi Leoni XIV, na kujton se Jezusi nuk na braktis, "nëse e mirëpresim me përvujtëri Atë, në varkën e jetës sonë". Në marrëdhënien tonë me Të - me lutje, Sakramente dhe dëgjimin e Fjalës - mund të gjejmë paqe, "dritë dhe forcë për udhëtimin tonë".
