Papa Leoni XIV takon të rinjtë në Asizi dhe i fton të ndërtojnë qytetërimin e dashurisë
Vatican News
Këtë 6 gusht , Bazilika e Shën Marisë së Engjëjve në Asizi u bë zemra e “Go! Franciscan Youth Meeting” (Shkoni! Mitingu i Rinisë Françeskane), ngjarjes ndërkombëtare që nga data 3 deri më 6 gusht mblodhi mijëra të rinj nga 18 deri në 33 vjeç nga e gjithë Evropa. Organizuar nga Familja Françeskane, në kuadrin e kremtimeve për 800-vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut, tubimi u ofroi djemve dhe vajzave hapësira diskutimi, laboratore dhe lutje. Paraditja, në të cilën përfundoi Takimi, u mbyll me vizitën e shumëpritur të Papës Leoni XIV, i cili mbërriti mes pjesëmarrësve për një moment dialogu intensiv dhe për të kryesuar kremtimin e eukaristisë, duke u lënë të rinjve fjalë shpirtërore, të rrënjosura në vlerat e vëllazërimit dhe të paqes.
Për paqen kundër barrierave të botës
Para bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, Ati i Shenjtë iu përgjigj tri pyetjeve të të rinjve. Karolinës, me origjinë nga Zagrebi, Papa i lëvdoi vendimin për të jetuar një fe të thjeshtë dhe të afërt me njerëzit, duke kujtuar se dëshmia françeskane është sot digë kundër çdo forme nacionalizmi dhe ndarjeje, si ajo që përjetoi Kroacia 30 vjet më parë me luftën e shpërbërjes së Jugosllavisë. Leoni XIV i ftoi të rinjtë të mos dorëzohen para kulturës së më të fortit, duke i nxitur të rizbulojnë frymën e fillimeve të françeskanizmit. Papa kujtoi se heshtja dhe maturia e atyre vëllezërve janë ilaçi kundër dhunës së luftës, duke i nxitur të rinjtë t'i rezistojnë teknologjisë, që shpesh i izolon njerëzit.
“Të krishterëve do t’u kërkohet gjithnjë e më shumë të bëhen veprimtarë të paqes brenda shoqërive të tunduara për ta instrumentalizuar fenë, duke kundërvënë identitetet. Të jesh dëshmitar i Krishtit mbetet diçka tërheqëse dhe impenjuese, sepse e zgjeron mendjen dhe zemrën përtej kufijve artificiale, pra,përtej frikës së shkaktuar nga muret e informacionit të keq dhe nga paragjykimet”.
Guximi për të zgjedhur “përgjithmonë”
Duke iu përgjigjur Gjonit nga Bolonja, i cili i vuri në dukje sa e vështirë është të bësh zgjedhje përfundimtare në një epokë të dominuar nga "kultura e së përkohshmes", Leoni XIV ofroi një perspektivë revolucionare mbi lirinë dhe thirrjen, sidomos thirrjen për t’ia kushtuar jetën Zotit. Ai shpjegoi se stabiliteti nuk është kafaz, që të mban mbyllur e të izolon nga bota, por është hapje drejt një rrugëtimi autentik për t'u përshkuar së bashku me Zotin dhe me të tjerët. Duke u ndalur te vlera e vendimeve të pjekura, Papa theksoi:
«Të vendosësh përgjithmonë nuk na mbyll brenda ndonjë kafazi, por na hap drejt një dinamizmi më të madh. Të duash është një eksod, një rrugë për t'u zbuluar, një shteg që Zoti e përshkon bashkë me ne dhe ky është kuptimi i vërtetë i çdo thirrjeje».
Pranimi i papnisë, bindja ndaj një Zoti që nuk na lë vetëm
"I provokuar" nga Gjoni, Leoni XIV përmendi përvojën e tij personale për të thënë se vendimet duhen marrë çdo ditë, se thirrja është "udhë shëlbimi dhe shërimi" dhe duhet të ripërtërihet përherë, duke e ruajtur vigjilencën kundër asaj ndotjeje të qartësisë, siç e quajti, ndotje e shkaktuar nga mëkati.
“Në përvojën time, mund të them se Zoti nuk më ka lënë kurrë vetëm: më ka shoqëruar gjithmonë, duke më dhuruar edhe njerëz me të cilët të rrugëtoj. Kështu, në thirrjen për të qenë meshtar, anëtar i bashkësisë augustiniane dhe misionar, kam gjetur një lloj drite, që më ka udhëhequr deri më sot, derisa i thashë "po" një thirrjeje tejet të veçantë: asaj për të qenë Papë”.
Riparimi i Kishës me dashuri dhe shërbim
I pyetur nga i riu siçilian Luigji mbi vështirësinë për ta kuptuar Kishën si një Nënë plot dashuri, pavarësisht nga krizat dhe kontradiktat e saj, Papa mori shembullin e Shën Françeskut, i cili zgjodhi rrugën e dëgjesës dhe të dhembshurisë, në vend të përçarjes. Leoni XIV ritheksoi se dëshira e Jezu Krishtit është të krijojë një bashkësi të themeluar mbi shërbimin e ndërsjellë dhe jo mbi pushtetin. Duke ftuar secilin që të luajë rolin e vet në këtë kantier të hapur, ashtu si Shën Françesku i thirrur nga Hyji të riparojë Kishën, Ati i Shenjtë përfundoi:
«Atëherë do të flasim për Kishën me dashurinë me të cilën flitet për një Nënë, sepse do të pranojmë se i përkasim asaj. Do të jetë një mënyrë e sinqertë për t’i dashur ata njerëz dhe atë histori, në të cilën Jezu Krishti vjen tek ne dhe rri me ne».
