Kërko

Papa: Krishti Ngjallur na udhëheq drejt jetës së amshuar

“Është Krishti i vdekur dhe i Ngjallur që na çon drejt cakut për të cilin jemi të destinuar që prej fillimit: jetës së amshuar”, tha Papa, duke kujtuar se këtë shpresë breza të tërë të krishterësh e kanë soditur përpara ikonave të Fjetjes së Marisë.

Vatican News

Duke iu drejtuar besimtarëve të mbledhur në sheshin e Lirisë, në Castel Gandolfo, për lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV foli për kuptimin e thellë të Solemnitetit të Ngjitjes së Virgjrës Mari në Qiell.

“Është Krishti i vdekur dhe i Ngjallur që na çon drejt cakut për të cilin jemi të destinuar që prej fillimit: jetës së amshuar”, tha Papa, duke kujtuar se këtë shpresë breza të tërë të krishterësh e kanë soditur përpara ikonave të Fjetjes së Marisë. Një nga paraqitjet më të bukura të këtij misteri, shtoi Ati i Shenjtë, gjendet edhe në Romë, në mozaikun e madh të absidës së Bazilikës së Shën Marisë së Madhe.

Papa Leoni e quajti festën e Zojës Mari të Ngjitur në Qiell një solemnitet me rëndësi të madhe, jo vetëm për teologjinë katolike, por edhe për përshpirtërinë popullore. Është një festë që jeton thellë në zemrën e shumë bashkësive, sidomos aty ku Katedralja ose Kisha famullitare i kushtohet Zojës së Ngjitur në Qiell.

Për të kuptuar këtë mister, Papa na fton të shohim mënyrën se si artistët e kanë paraqitur Marinë gjatë shekujve. Në disa ikona shohim Fjetjen e Marisë, ndërsa në të tjera Maria shfaqet e gjallë dhe e lavdishme në qiell, e mbështjellë me dritë dhe e rrethuar nga engjëj e shenjtorë. Këto pamje nuk flasin vetëm për Marinë. Ato flasin edhe për ne dhe për të ardhmen tonë.

“Plotësia e jetës që sot e admirojmë me gëzim te Maria, na pret edhe ne në fund të kohëve”, shpjegoi Leoni XIV. Atëherë, siç thotë Shën Pali, Krishti i Ngjallur do ta shndërrojë trupin tonë të brishtë dhe do ta bëjë të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm. Ajo që është e prishshme do të veshë paprishshmërinë dhe ajo që është e vdekshme do të veshë pavdekësinë.

Kjo është shpresa e krishterë: jeta jonë nuk përfundon në vdekje. Dashuria e Krishtit është më e fortë se vdekja dhe një ditë do ta shndërrojë të gjithë qenien tonë. “Atëherë, me trupin tonë të shndërruar nga dashuria e Shëlbuesit Jezus, do të jetojmë përgjithmonë, në festën që nuk ka fund”, përfundoi Papa.

Dhe në këtë festë të Marisë, Kisha na fton të shohim përtej jetës së sotme dhe të mos harrojmë cakun drejt të cilit ecim: jetën e amshuar me Zotin. “Ta lavdërojmë Zotin, që ka bërë gjëra të mëdha në Nënën e tij dhe Nënën tonë të Shenjtë!”

15 gusht 2026, 12:14