Papa merr librin për Xavierin: një jetë plot dashuri, pavarësisht nga sëmundja
Vatican News
Deri në çastin e fundit, Elisabet Argemí nuk e dinte nëse do të kishte mundësinë të fliste me Papën Leoni XIV. Të martën, më 18 gusht, në Castel Gandolfo, ndërsa Papa po largohej nga Pallati Apostolik për t'u kthyer në Vatikan, papritur, mundi ta takojë: makina e Papës ndaloi, Leoni XIV uli dritaren dhe i tha fjalë, që ajo ende i kujton me emocion: "Më trego, më trego". Argemí, infermiere në Klinikën Spitalore ICOF në Barcelonë, shfrytëzoi ato çaste për t'i dhënë një kopje të librit "Të mësosh të vdesësh për të jetuar", dëshmia e vëllait të saj, Xavier Argemí, i cili vuante nga distrofia muskulare dhe ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 29 vjeçare.
"Vëllai im e donte shumë jetën", shpjegoi ajo. Xavier shpesh thoshte se ndihej i dashur dhe i donte shumë edhe të tjerët. Për të, ajo dashuri i dha kuptim ekzistencës. Sëmundja ia ndryshoi jetën, por nuk e zbehu kuptimin e saj. Sipas së motrës, Xavier arriti të shoqëronte dhe të ndihmonte shumë njerëz. Pas vdekjes së tij, shumë prej tyre erdhën në funeral. "Ishte jetë shumë e shenjtë", pohoi Elisabet.
Takimi i shkurtër me Papën
Biseda me Leonin XIV zgjati vetëm disa çaste, por mbeti e ngulitur në zemrën e Elisabet Argemí-t. Papa e mori librin, me një dedikim, dhe e dëgjoi: "Më shikoi me vëmendje, me dashuri, si babai me vajzën e vet". Argemí deshi t'ia dorëzonte librin Papës në Barcelonë, por nuk ia doli. Takimi në Castel Gandolfo i dha mundësinë ta realizojë këtë dëshirë të veçantë: i solli Papës dëshminë e një të riu, jeta e të cilit u ndryshua nga sëmundja, por edhe nga bindja se vlera e saj nuk varet nga kushtet në të cilat jeton, por nga aftësia për të dashur dhe për t'u dashur.
"Lartojeni vështrimin çdo ditë"
Elisabet Argemí kujtoi përvojën e saj gjatë udhëtimit apostolik të Papës në Spanjë, në qershor. Ajo i ndoqi nga afër ngjarjet, mori pjesë në lutjen e Montjuïc dhe ishte në rrugët e Barcelonës gjatë atyre ditëve. Për të, një nga mesazhet qendrore të udhëtimit, me temën "Lartojeni vështrimin", mund të jetë pikënisja për të vijuar trashëgiminë e Xavier-it. Vështrim i ushqyer nga marrëdhëniet e vëllait të saj me Jezusin, "mikun dhe dashurinë tonë", mësim për të gjithë. Për Elisabet, lutja, sakramentet dhe Ungjilli janë një pjesë e rrugëtimit të saj të përditshëm, ashtu siç është edhe ndjekja e Papës përmes audiencave, shkrimeve dhe fjalëve të tij. Mes sfidave të botës së sotme, Argemí beson se dëshmia e të vëllait përmban pikërisht atë ftesë: të shikojë përtej sëmundjes dhe vështirësive për të zbuluar se çfarë mund t'i japë kuptim jetës. Elisabet ka vendosur të vazhdojë ta ndajë me të tjerët historinë e Xavierit - një dëshmi, që arriti deri tek Papa Leoni XIV.
