Kërko

2026.08.05 card. Carlos Castillo Arzobispo de LIma

Papa në Peru, kardinali Castillo: shtytje për unitet në mes të sfidave të vendit

Përpara mbërritjes së Leonit XIV në Vendin jugamerikan, planifikuar për 11-17 nëntor, kryeipeshkvi i Limës flet për gëzimin me të cilin Kisha dhe populli peruan e presin Papën, "mikun e popullit". Thekson edhe se prania e tij përfaqëson stimulin për të forcuar vëllazërinë dhe për të arritur paqen në një komb që po kalon një çast të ndërlikuar, me pasiguri dhe pabarazi

Vatican News
Vlojnë tashmë përgatitjet në Peru, ku Papa do të jetë nga 11-17 nëntori si pjesë e udhëtimit të tij apostolik në Amerikën e Jugut, pas ndalesave në Uruguai dhe Argjentinë. Në vendin ku shërbeu si misionar dhe ipeshkëv, Leoni XIV do të vizitojë katër qytete: Limën, Çiklajon, Kuskon dhe Pukallpën. Për gëzimin e madh dhe pritjen e popullit flet me median e Vatikanit Kardinali Carlos Castillo, Kryeipeshkëv i Limës. 

Mik i popullit

Për kardinalin, kthimi i Papës në vendin ku shërbeu si misionar, i përgjigjet një shprese të thellë që po rritej në zemrat e popullit peruan. "Si Kryeipeshkëv i Limës, mund të them sinqerisht se ka një pritje të madhe për arritjen e Papës", shpjegon ai. Kujton, më pas, se edhe Peruja është  vend me traditë të fortë katolike dhe se Papa është i mirëpritur si "mik i vërtetë i popullit, i të gjithë njerëzve". Kardinali thekson veçanërisht lidhjen e Papës me popullin e Chiclayo-s: njoftimi zyrtar i vizitës më 5 gusht përmbushi pritjet e krijuara muajt e fundit. "E mirëpresim këtë lajm jo vetëm me gëzim të madh, por edhe me forcë jetike, që na shtyn drejt  përkushtimit bujar ndaj fesë sonë, për ta mirëpritur atë dhe për t'i dhënë një shtysë të re përvojës sonë të krishterë e katolike", thekson Castillo.

E në vijim, kujton se mbërritja e Papës vjen në një kohë të ndërlikuar për Perunë, përplot me probleme sociale, si pasiguria e qytetarëve, vrasjet me pagesë, zhvatja dhe situata të ndryshme që prekin veçanërisht sektorët më të rëndësishëm. Në këtë kontekst, prania e Papës mund ta ndihmojë vendin të reflektojë dhe të rinovojë angazhimin e tij ndaj jetës, drejtësisë dhe solidaritetit.

Përgatitjet në vazhdim

Lidhur me organizimin e vizitës, Kryeipeshkvi i Limës shpjegon se komisionet përgatitore u krijuan tashmë në katër qytetet, që do ta presin Leonin XIV. "U krijuan në mënyrë optimale dhe secila po organizohet posaçërisht për detyrën e saj, në mënyrë që të koordinojë të gjitha aspektet e nevojshme". Këto komisione janë përgjegjëse për vendet e takimeve, liturgjinë, pjesëmarrjen e sektorëve të ndryshëm shoqëror dhe organizimin e aktiviteteve baritore. Ka pasur një pjesëmarrje të konsiderueshme edhe nga të rinjtë, komunitetet popullore, gratë që bashkëpunojnë në mensa, iniciativat e popujve indigjenë dhe grupe të ndryshme, që shprehin pasurinë shoqërore dhe kulturore të vendit. "Këto përgatitje janë shumë interesante, sepse karakterizohen nga pjesëmarrja e madhe dhe fryma e iniciativës", thotë kardinali, duke theksuar angazhimin e treguar nga provincat e ndryshme të përfshira. Për më tepër, po merren masat e nevojshme për të siguruar një pritje të përshtatshme dhe të sigurt në çdo kohë gjatë vizitës.

 

Një mesazh vëllazërie, uniteti dhe paqeje për Perunë

Kardinali Castillo thekson edhe rëndësinë e enciklikës Magnifica Humanitas të Leonit XIV si dhe zbatimin e saj konkret në situatën peruane. Për kryeipeshkvin, një nga sfidat më të mëdha të vendit është rimëkëmbja e njerëzimit të aftë për të njohur diversitetin dhe për të ndërtuar unitetin. Diversiteti i popullit peruan, pohon ai, duhet të konsiderohet pasuri, ndërsa uniteti, të bëhet detyrë e përbashkët. Ai shprehu besimin se Papa mund të ndajë një lexim të kujdesshëm të realitetit peruan në dritën e mësimeve të tij mbi vëllazërinë dhe solidaritetin. "Do të ishte e mrekullueshme nëse ai do të mund të na tregonte se si e percepton zbatimin e enciklikës në jetën peruane", komentoi kardinali. Papa i njeh nga afër vështirësitë me të cilat përballet vendi, duke përfshirë pasigurinë, dhunën dhe mungesën e vëmendjes ndaj nevojave të më të varfërve dhe më të vuajturve.

Përballë këtij realiteti, kardinali Castillo përsëriti nevojën e rivendosjes së aftësisë së shoqërisë për veprim dhe për të forcuar një Kishë sinodale, të aftë për të ndërtuar shtigje takimi.

Shpresohet që shtegtimi apostolik të kontribuojë në krijimin e një paqeje të themeluar mbi dialogun dhe pajtimin.

"Ati i Shenjtë ‘na çarmatostë’ - përfundon bariu i Limës – dhe e bëftë të mundshëm, me gjithë qartësinë, zhvillimin e një paqeje të çarmatosur dhe çarmatosëse".

08 gusht 2026, 12:29