Kërko

Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa rregulltareve: dashuria është ilaç për globalizimin e indiferencës

Në një videomesazh drejtuar Asamblesë vjetore të Konferencës së Eproreve të Mëdha të Shteteve të Bashkuara (LCWR), Leoni XIV kujton se Kisha ka nevojë për gra e burra të shuguruar sepse, me gjallërinë e tyre dhe me dëshminë e një jete të përqendruar te Jezusi, mund të ndihmojnë në "rizgjimin e botës". Shpreh edhe mirënjohjen për kontributet e qëndrueshme të "Instituteve në fushat e ungjillëzimit, të edukimit dhe kujdesit për të varfrit dhe të braktisurit".

Vatican News

Kisha ka nevojë për gra e burra të shuguruar si dhe "për të gjithë diversitetin dhe pasurinë e formave të shenjtërimit dhe të shërbesës" që përfaqësojnë sepse, me vitalitetin e tyre dhe dëshminë e një jete të përqendruar te Jezusi,  mund të ndihmojnë në "rizgjimin e botës". Kështu, së bashku, do të jemi në gjendje ta "përballojmë globalizimin e indiferencës dhe të ligështisë me ilaçin e dashurisë e të mëshirës së Krishtit".

Me këto fjalë, duke cituar fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve në Jubileun e Jetës së Kushtuar më 10 tetor 2025, Papa Leoni XIV iu drejtua sot, më 12 gusht, me një vodeo mesazh në anglisht, burrave dhe grave rregulltare mbledhur në Orlando për Asamblenë Vjetore të Konferencës së Eproreve të Mëdha  të SHBA (LCWR – Konferenca të Motrave Rregulltare), në 70-vjetorin e themelimit.

Shumë karizma, një shpirt, një thirrje

Duke kujtuar temën e takimit, që do të zhvillohet nga 11 deri më 14 gusht, "Shumë karizma, një Shpirt, një thirrje", Papa theksoi se lutej që, gjatë takimit, "do të mbanin mend në një mënyrë të veçantë karizmat specifike që Zoti ua ka besuar themelueseve dhe themelueseve të komuniteteve të tyre përkatëse". Shprehu gjithashtu edhe mirënjohjen "për kontributet e qëndrueshme të instituteve të tyre në fushat e ungjillëzimit, arsimit dhe kujdesit për të varfrit dhe të braktisurit, për të përmendur vetëm disa". Këto janë karizma të dhuruara nga Shpirti, përmes të cilave, me kalimin e kohës, "gratë dhe burrat e shuguruar kanë ndihmuar që misioni dhe misteri i Kishës të jenë të dukshëm në botën tonë".

Të thirrur për t'u bërë ekspertë në sinodalitet

Në fillim të mesazhit, Papa Leoni XIV citoi fjalimin e hapjes në Koncistorin e jashtëzakonshëm të 26 qershorit 2026, kur kujtoi se të gjithë të krishterët "janë të thirrur të jenë ndërtues të bashkësisë së Krishtit, që merr formë në një Kishë sinodale, ku secili bashkëpunon në të njëjtin mision sipas karizmës dhe shërbesës së tij ose të saj".

Në mënyrë të veçantë, anëtarët e jetës fetare janë të thirrur të bëhen ekspertë në sinodalitet nga shkaku i mundësive për ta praktikuar atë që ofron jeta komunitare, si dhe nga vetë mënyra se si janë organizuar Kongregacionet tuaja.

Në Asamble, biseda në Shpirt

Kështu, pasi përsëriti atë që u tha në Jubileun e Jetës së Kushtuar, Papa shprehu kënaqësinë që mësoi "se procedurat e Asamblesë do të përfshijnë një metodë sinodale të dëgjimit, diskutimit dhe dallimit, me hapje dhe gatishmëri, për të kuptuar atë që thonë të tjerët". Programi përfshin më shumë biseda në Shpirt. E Papa Leoni shpreson se, "përmes këtij formati të dialogut vëllazëror dhe të hapur, do të mund të dallojnë atë që Shpirti Shenjt thotë për të tashmen dhe të ardhmen e jetës së kushtuar në kombet ku shërbeni".

Transmetojini të rinjve gëzimin e përgjigjes ndaj thirrjes

Në pjesën e fundit të mesazhit të tij video mesazhit, Papa përsëriti rëndësinë e punës për të nxitur thirrjet rregulltare dhe kujtoi se, "siç e kanë përjetuar personalisht shumë prej nesh", thirrja e Krishtit për ta ndjekur atë, "përmes premtimeve të varfërisë, dlirësisë dhe bindjes, sjell gëzim, paqe dhe përkryerje". Kështu, ai kthehet te fjalët e thëna në Vigjiljen e lutjes më 9 qershor, në Barcelonë, kur vërejti se "shumë të rinj dhe të rritur po e rizbulojnë fenë e krishterë, ndoshta pas një periudhe të jetës së tyre në të cilën ishin larguar disi nga Zoti". Ai u kërkon rregulltarëve dhe rregulltareve që, në takimet e tyre me të rinjtë, të "kërkojnë mënyra për të ndarë me ta mënyrën e jetesës dhe për t'i ndihmuar të dëgjojnë zërin e Zotit".

Nxitini ata të kenë guxim në përgjigjen që i japin Jezusit, i cili nuk mund të tejkalohet në bujari, në mënyrë që edhe ata të mund të ndajnë gëzimin që vjen nga ndjekja e thirrjes së tij.

Mesazhi i Motrës Brambilla dhe marrëdhëniet e para në program

Leoni XIV përfundon, përpara bekimit, duke ia besuar punën e kuvendit mbrojtjes amtare të Marisë Virgjër. Pas mesazhit papnor, lexohet mesazhi i Prefektes së Dikasterit për institutet e jetës së kushtuar dhe shoqëritë e jetës apostolike, Motër Simona Brambilla. Më pas parashikohet një raport nga Motër Nathalie Becquart, nënsekretare e Sinodit të ipeshkvijve, mbi “Sinodaliteti dhe jetën rregulltare shenjtëruar”, i ndjekur nga ai i Motër Vicky Larson, presidente e LCWR, titulluar “Harmonia për një Epokë të Re: të dëgjohen karizmat e shumëfishta, një Shpirt i vetëm, një thirrje e vetme”.

12 gusht 2026, 11:43