Kërko

Parolin: të promovojmë “kulturën e kujdesit” për një ekonomi më njerëzore

Në konferencën ndërkombëtare “Gurët kilometrikë të ekologjisë së gjithanshme për një ekonomi njerëzore”, organizuar në internet nga Fondacioni “Centesimus Annus pro Pontifice”, videomesazhi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit analizon temat kryesore të enciklikës “Laudato si’”, duke i integruar me ato të “Fratelli tutti”. Fton të rithemelohet modeli i zhvillimit, duke vendosur në qendër dinjitetin njerëzor, vlerën e duhur të punës, rolin themelor të edukimit e solidaritetin.

R.SH. - Vatikan

Tema e ekologjisë së gjithanshme dhe e ekonomisë, në këndvështrimin e një bote më njerëzore e të një planeti më të banueshëm, në qendër të videomesazhit, që u dërgoi sot Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, pjesëmarrësve në konferencën virtuale të Fondacionit “Centesimus Annus-pro Pontifice, me temë “Gurët kilometrikë të ekologjisë së gjithanshme për një ekonomi njerëzore”. Takimet në internet mbahen sot e më 30 tetor.

Kardinali Parolin përqendrohet në dy konceptet e rëndësishme, që përmbahen në titull, në atë të “ekologjisë së gjithanshme” dhe në atë të “ekonomisë njerëzore”, duke e përshkruar secilin përmes tre aspekteve.

Ekologjia e gjithanshme, shumëfaqësh për një vizion të ri mbi botën

 “Ekologjia e gjithanshme – nënvizon ai aspektin e parë të saj – duhet kuptuar si shumëfaqëshi, përmes të cilit, të shkojmë drejt një vizioni të ri për botën e të analizojmë çështjet e ndryshme, që e shqetësojnë njerëzimin. Aspekti i dytë… është fakti se ky vizion i ri shumëfaqësh i ekologjisë së gjithanshme zhvillohet rreth një pike themelore, asaj të centralitetit të njeriut dhe, për rrjedhojë, të nevojës për të promovuar kulturën e kujdesit. Kjo e fundit është në antitezë me kulturën e hedhurinave, objekti i së cilës ‘nuk është vetëm ushqimi ose pasuria e tepruar, por shpesh, edhe vetë njerëzit’”.

 Kardinali Parolin pranon se zbatimi i ekologjisë së gjithanshme ka nevojë për një sërë mjetesh teknike, ekonomike dhe shkencore, të cilat duhet të jenë në gjendje t’ia ndryshojnë udhën shoqërisë. Por, vëren Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kufizimi vetëm në përmasën tekniko-ekonomike është e pamjaftueshëm, pasi zhvillimi ka nevojë edhe për përmasën etiko-shoqërore. E është pikërisht për këtë arsye që, duke analizuar aspektin e tretë të ekologjisë së gjithanshme, prelati i lartë tërheq vëmendjen e pjesëmarrësve të konferencës së Fondacionit “Centesimus Annus” mbi “nevojën e edukimit për një ekologji të gjithanshme, që përfaqëson një sfidë të madhe kulturore, shpirtërore dhe edukative, edhe sepse nuk mund të mos kërkojë një kthesë të vërtetë e një ndryshim mendësie dhe këndvështrimi”.

Për një ekonomi më njerëzore

Duke u bazuar në fjalët e Papës Françesku në enciklikën “Laudato si’”, kardinali Parolin analizon tre aspekte të së ashtuquajturës “ekonomi humane”. “Ekologjia e gjithanshme – arsyeton ai – kërkon një konceptim ‘më njerëzor’ të ekonomisë, bazuar mbi domosdoshmërinë e ‘ruajtjes e të kultivimit’, në mënyrë që sistemi ekonomik ta përmirësojë e jo ta shkatërrojë botën. Mendoj, për shembull, për modelet e ndryshme rrethqarkulluese të prodhimit e të konsumit, në gjendje të kundërshtojnë e të ndryshojnë dinamikat perverse të kulturës së hedhurinave”.

Së dyti, Sekretari i Shtetit të Vatikanit vë theksin mbi rëndësinë që ka puna, element themelor për një jetë dinjitoze. E citon Papën Françesku kur thotë: “T’u sigurohet të gjithëve mundësia për t’i bërë të mbijnë farat, që Zoti ka vendosur në secilin prej nesh, aftësitë, iniciativën, forcën… Politika nuk mund të heqë dorë nga objektivi i organizimit të shoqërisë në mënyrë të tillë, që t’i sigurojë çdo njeriu mundësinë për të kontribuar me aftësitë dhe me impenjimin e tij”.

Kardinali Parolin denoncon fenomenin e së ashtuquajturës “papunësi teknologjike”, rrjedhojë e përparimit të shpejtë të robotikës dhe të formave të ndryshme të automatizimit, duke kërkuar të përballohet çështja me krijimtari dhe fantazi. Kërkon gjithashtu, që ekonomia humane e dëshiruar të karakterizohet nga një aspekt i tretë, ai i solidaritetit ndërmjet brezave.

Jemi një familje e vetme

Vetëm në këtë perspektivë ekonomia vërtet “humane”, përfundon kardinali Parolin, “mund të japë një kontribut të rëndësishëm për atë ndryshim drejtimi, për të cilin ka shumë nevojë njerëzimi e që vihet në dukje shpesh nga fenomene globale si përhapja e pandemisë së Covid-19 e ngrohja botërore. Fenomene që nuk bëjnë tjetër, veçse të na nxisin vazhdimisht drejt ndjenjave të përkatësisë në të njëjtën familje njerëzore, si vëllezër e motra, secili me rolin e vet unik dhe thelbësor” brenda saj.

23 tetor 2020, 16:15