Kërko

Një këndvështrim mbi Bazilikën e Shën Pjetrit Një këndvështrim mbi Bazilikën e Shën Pjetrit

Lindi Fondacioni “Fratelli tutti”: arti dhe formimi në dialog me kulturat e fetë

Me një kirograf, Papa themelon, në kuadrin e Fabrikës së Shën Pjetrit, fondacionin “Fratelli tutti”, që do të kryesohet nga kardinali Mauro Gambetti. Ndër synimet, investimi në kulturë e përshpirtëri, përmes ngjarjeve, përvojave, udhëve dhe ushtrimeve shpirtërore, për të promovuar parimet e enciklikës së Françeskut

R.SH. - Vatikan

Të mbështeten dhe të planifikohen udhë arti e feje; të investohet në formimin kulturor dhe shpirtëror; të promovohet dialogu me kulturat dhe fetë e tjera mbi temat e enciklikave më të fundit të Papës, për të krijuar “aleancë shoqërore”. Këto janë qëllimet e Fondacionit të ri “Fratelli Tutti”, themeluar nga Papa Françesku me një kirograf të nënshkruar më 8 dhjetor 2021.

Kryetar është kardinali Gambetti

         Organizmi i ri “i fesë dhe i kultit”, nënvizon Papa, lind në kuadrin e Fabrikës së Shën Pjetrit, falë edhe bashkëpunimit të disa besimtarëve. Do të ketë një kryetar dhe një sekretar të përgjithshëm. Në krye të fondacionit, Papa caktoi kardinalin Mauro Gambetti, vikar i Qytetit të Vatikanit dhe kryetar i Fabrikës së Shën Pjetrit. Ai vetë e pati njoftuar para disa kohësh lindjen e Fondacionit, përqendruar mbi tri fjalë kyçe “për të ndërtuar të ardhmen së bashku”: dialog, takim dhe bashkëndarje. Këto janë edhe parimet e enciklikës së Papës, botuar më 3 tetor 2020.

Kënaqësia e Papës

         “Mësova me kënaqësi se Fabrika e Shën Pjetrit dhe disa besimtarë dëshirojnë të bashkohen për të krijuar një Fondacion feje e kulti, që synon të bashkëpunojë në përhapjen e parimeve të enciklikës sime të fundit ‘Fratelli tutti’, me qëllim që të zgjojë rreth Bazilikës së Shën Pjetrit dhe përqafimit të shtyllave të Berninit, nisma që lidhen me përshpirtërinë, artin, formimin dhe dialogun me botën”, shkruan Papa në kirograf. Organizmi, shpjegon ai, do t’u nënshtrohet ligjeve kishtare, “sidomos, rregullave të veçanta që vlejnë për entet e Selisë së Shenjtë, nga ato civile në fuqi në Shtetin e Vatikanit e deri në Statutin e bashkangjitur, që e miratoj njëkohësisht”.

Nisma arti, formimi e përshpirtërie

         Pikërisht Statuti përcakton qëllimet e Fondacionit, që dëshiron të promovojë solidaritetin, formimin, përhapjen e artit, veçanërisht të atij kishtar, por edhe sinodalitetin, kulturën e vëllazërimit e të dialogut. Do të merret kryesisht me formimin kulturor e shpirtëror, por do të ndihmojë edhe turistët, që vizitojnë Bazilikën e Shën Pjetrit e hapësira të tjera vatikanase ta jetojnë sa më mirë udhën shpirtërore, kulturore e artistike, që propozojnë ato vende. Ndër qëllimet e Fondacionit, promovimi i “kulturës së paqes”, nga përmasa personale në atë shoqërore e politike, si edhe organizimi i takimeve për dialogun shoqëror, faljen, purifikimin e kujtesës, drejtësinë që shkon përtej hakmarrjes shoqërore. Në të njëjtën mënyrë, do të nxiten projekte për ambientin, për solidaritetin ndërkombëtar, për aleancën ndërmjet brezave, për investime shoqërore, për forma pune humane e për zhvillime në fushën e ekologjisë, të shëndetit e të punës kërkimore-shkencore. E jo më pak, do të punohet për një komunikim më të përgjegjshëm, që kontrollon e verifikon besueshmërinë e burimit të lajmeve.

15 dhjetor 2021, 15:34