Kërko

POPE-MALTA/PRESIDENT POPE-MALTA/PRESIDENT
Editorial

Logjikat e vjetra dhe risia e ëndrrës së paqes

“Në natën e zezë të luftës, që peshon trishtueshëm mbi njerëzimin, nuk duhet ta zbehim ëndrrën e bukur të paqes!”. Papa Françesku, edhe nga Malta, flet për çka po ndodh në zemër të Evropës. Kërkon “ju lutem” mos e shuani ëndrrën e paqes, shpresën e paqes. Flet për “një agresivitet fëminor e shkatrrimtar”, që na kërcënon, e edhe për rrezikun e luftës së ftohtë të zgjeruar, “që mund t’ua shuajë frymën e jetës një mori popujsh e breznish”.

R.SH. - Vatikan

Fjalët e Papës Françesku drejtuar autoriteteve të Maltës: lufta nuk shpërtheu papritur, por u përgatit prej kohe me investime të mëdha e tregti armësh. “Në natën e zezë të luftës, që peshon trishtueshëm mbi njerëzimin, nuk duhet ta zbehim ëndrrën e bukur të paqes!”. Papa Françesku, edhe nga Malta, flet për çka po ndodh në zemër të Evropës. Kërkon “ju lutem” mos  e shuani ëndrrën e paqes, shpresën e paqes. Flet, duke i bërë jehonë Giorgio La Pirës, për “një agresivitet fëminor e shkatrrimtar”, që na kërcënon, e edhe për rrezikun e luftës së ftohtë të zgjeruar, “që mund t’ua shuajë frymën e jetës një mori popujsh e breznish”. E jo vetëm kujt jeton sot në tokën tonë, por edhe atyre, që do të vijnë pas nesh.

Edhe një herë, ndërsa pati nga ata që shpresonin se Papa “do ta bekonte luftën” ose të paktën do t’i zbuste fjalët e tij “të pakëndshme” kundër garës së armatimeve, që duket e pandalshme, Françesku shqipton përsërin “fjalë të papëlqyeshme”. Fjalë, që nuk mund t’i dredhësh sipas qejfit të ndokujt. E thotë qartë Papa, se po riduket një sjellje foshnjore në “joshjen për autokraci”, në imperializmat e reja, në agresivitetin e përhapur, në paaftësinë për të hedhur ura e për t’u nisur nga më të varfërit. Rithekson  se sot është tejet e vështirë të mendosh me logjikën e paqes, sepse u mësuam “të flasim me logjikën e luftës”.

Papa: njerëzit kanë etje për paqen…

Më pas flet për erërat e akullta  të luftës, që “edhe këtë herë u ushqye për vite me radhë”. Edhe këtë herë. Domethënë, siç pati ndodhur në të kaluarën, në atë të kaluar, që e harruam, por që e njohën mirë prindërit a gjyshat tonë, në luftërat vëllavrasëse në Evropë, me përmasa botërore. Edhe këtë herë, si në kohët e fundit, kur  luftëra në dukje të largta prej nesh u luftuan duke vrarë qindra mijëra të pafajshëm e duke shkaktuar miliona refugjatë.

Po, përsërit me bindje Françesku: lufta nuk shpërtheu papritmas, por po përgatitej prej disa kohësh. E si? “Me investime të mëdha dhe tregti armësh”. Për këtë arsye, pasardhësi i Pjetrit e quajti garën e armatimeve çmenduri, e prandaj edhe na fton të hyjmë në një logjikë tjetër, të re, në një logjikë paqeje; një paqeje, që nuk bazohet mbi frikën dhe frenimin, por mbi drejtësinë, dialogun, mbi një sistem të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare. Është e trishtueshme të shohësh sesi entuziazmi për paqen, i lindur pas Luftës II Botërore, u zbeh në dekadat e fundit. E ardhmja e bashkëjetesës paqësore nuk ndërtohet me arsenale të mbushura jashtë mase, as me mjete të fuqishme, shkatërrimtare.

Kështu, përveç paqes, shumë çështje të tjera madhore, si lufta kundër urisë, varfërisë dhe pabarazisë, u “deklasifikuan” nga axhendat kryesore politike. Prej këndej, thirrja që Françesku i drejton mbarë njerëzimit nga Malta:

“Të ndihmojmë njëri-tjetrin, që të dëgjohet zëri i njerëzve paqedashës;  të punojmë për të hedhur themelet e një dialogu gjithnjë e më të gjerë; të  mblidhemi përsëri në konferenca ndërkombëtare për paqen, që kanë në qendër të vëmendjes temën e çarmatimit, me shikimin e drejtuar nga  breznitë e ardhshme! E fondet e mëdha, që vazhdojnë të shërbejnë për armatim, të shpenzohen për zhvillimin, shëndetin, për ushqimin”.

02 prill 2022, 16:33