Kërko

Lotët e popullsive indigjene të Kanadasë Lotët e popullsive indigjene të Kanadasë
Editorial

Françesku në Kanada: dhurata e lotëve

Të shumta, pamjet e shtegtimit pendestar të Papës Françesku në tokën e indigjenëve. Çaste, që vënë theksin në udhën e shërimit dhe të pajtimit të popujve autoktonë kanadezë, që vuajtën shumë, por sot kanë mundësinë të shohin fytyrën e re të Kishës

R.SH. – Vatikan

Massimiliano Menicchetti

         Në shoqërinë e sotme ka pamje, që bëjnë xhiron e botës në një sekondë, përhapur nga rrjetet shoqërore, falë telefonave dhe kompiuterave: mijëra, miliona, madje miliarda njerëz shpesh, pa e ditur, shohin të njëjtën fotografi. Ka vija, ngjyra dhe forma, që zhduken në vorbullën e internetit, të tjera mbeten të gdhendura përgjithmonë në kujtesë, të tjera akoma mbahen ekskluzivisht në zemër. Në udhëtimin e Papës Françesku në Kanada, nga 24 deri më 30 korrik, ka shumë nga këto fotografi, që dëshmojnë diçka më tepër se ngjarja, që paraqesin: hapin horizonte, tregojnë heshtje, dhimbje dhe vuajtje, por edhe përkatësi, njohje, takim, shpresë.

         Papa, siç tha vetë, bëri një shtegtim pendestar në një vend, ku u martirizuan popujt indigjenë, të cilët u detyruan të shkëputen nga fëmijët, në kohën e politikave të asimilimit. Françesku u nis për udhë, duke mbartur dritën e Krishtit, të Kishës që sheh, që nuk i trembet së vërtetës dhe kërkon falje, që përqafon, dëgjon e do fort. Një Kishë, pranë njerëzve nevojtarë, pa hezitime, pa dyshime, pa u kthyer mbrapsht e pa pengesa.

         Në gjashtë ditë, Papa përshkoi Kanadanë, duke prekur periferitë e zemrës dhe ato gjeografike, duke arritur në kufijtë e Rrethit Arktik, ku jeton bashkësia më e madhe Inuit e planetit. Në Iqaluit, u takua me ish-nxënësit e shkollave rezidenciale në një nga katër shkollat​​fillore: struktura të tmerrshme, krijuar për të riedukuar indigjenët e shkëputur nga familjet e tyre, vende mizorie e dhune. Françesku hyri në një dhomë të kësaj strukture, e cila të kujton një kuti të madhe të bardhë, me oblo nëpër muret shumëfaqëshe.

         Hyri në heshtje; e prisnin disa dhjetëra njerëz, të renditur në disa rreshta, në rreth. Shumica ishin të moshuar, të veshur thjesht, disa me veshje tradicionale. Duart e rudhosura nga vitet iu afruan fytyrës. Nga sytë e palëvizshëm, thuajse pa shprehje, të fiksuar mbi Pasardhësin e Shën Pjetrit, lotët rrodhën ngadalë. Në atë pamje – që u përsërit shumë herë gjatë udhëtimit - përfshihej shumë më tepër se një jetë e vetme, ndihej klithma e mbytur e një populli. Burra e gra, që edhe për shkak të katolikëve, përjetuan tmerre, në atë takim, e ndjenë se dikush i shihte, i prekte, i përqafonte, i donte. Ishin lotë, që dëshmonin humnerë, vuajtje, shpresa, para të cilave mund vetëm të heshtësh, të hapësh krahët, të përqafosh.

         Në ditët e vizitës apostolike, Papa përvijoi një udhë pajtimi dhe shërimi, ashtu si muajt e fundit në Vatikan, kur priti përfaqësuesit e popujve indigjenë të Kombeve të Para, Inuit dhe Métis. Tashmë, procesi ka filluar, ka një horizont për t’u arritur e për të ecur më tej. Prania e Papës ishte “bekim dhe dhuratë", tha kreu indigjen Wilton Littlechild, duke theksuar se tani "fillon puna". Littlechild është njëri prej atyre, që mbijetoi nga shkollat rezidenciale. Tani 78 vjeç, i dha Papës një kapelë me pupla indiane, gjatë takimit në Bear Park Pow-Wow Grounds, në Maskwacis.

Një fotografi e jashtëzakonshme, ajo e Papës me pendët e shqiponjës, por fotografia e zemrës ishte disa fotograme më parë: kur u bë i mundur ky gjest e, për ta kuptuar, skena duhet ndryshuar. Ajo dhuratë tregon mirënjohje për faktin se vendasit i rihapën zemrat dhe veshët për Lajmin e Mirë të Ungjillit, për realitetin e një Kishe të gjallë, ndryshe nga ajo, që i poshtëroi dhe i shtypi. Për Littlechild, dorëzimi i kësaj dhurate kërkoi një përpjekje të konsiderueshme fizike, pasi zakonisht, ai ecën me paterica, ose në karrige me rrota: kësaj radhe eci disa metra, duke ngjitur shkallët për të arritur në tribunën, ku ndodhej Papa.

Tmerri i përjetuar gjatë shtypjes koloniale u duk edhe në banderolën e gjatë e të kuqe me emrat e viktimave të shkollave rezidenciale, që iu tregua Papës, ndërsa ritmi i daulleve të ngjethte mishin e bëhej një me rrahjet e zemrës së secilit. E paharrueshme, pamja e dhimbjes, emocionit dhe zemërimit të indigjenes Si Pih Ko, e cila qëndroi drejt para Papës, ndërmjet turmës plot admirim e pavendosmërisë së forcave të sigurisë për të ndërhyrë, ndërsa këndonte, e paplanifikuar, një këngë që të kujtonte himnin kanadez.

Pastaj, Papa i ulur në karrige me rrota, në heshtje, para liqenit të Shën Anës, vend i dashur për indigjenët, ku mijëra njerëz shkojnë çdo vit për shtegtim. E ku, ndërsa Françesku fliste, duart e gjyshërve shtrëngonin ato të të rinjve, në mbështetje të njëri-tjetrit.

Pamjet e vuajtjes, të krenarisë, pasionit, identitetit, valleve, heshtjes, lutjes, lotëve e shoqëruan këtë shtegtim pendestar, i cili hap një perspektivë të re dhe përcakton detyra e objektiva për individët dhe institucionet, por është edhe mundësi për mbarë njerëzimin, për të gjithë ne, që të ndjekim udhët e bashkëpunimit e të vëllazërimit, të dëgjojmë dhe ta hedhim vështrimin mbi njeriun dhe Krijimin, duke e parë njëri-tjetrin si bij të Zotit.

03 gusht 2022, 12:17