Kërko

 Copertina del libro (Lev) "Dio è sempre nuovo" raccolta di pensieri spirituali di Benedetto XVI Copertina del libro (Lev) "Dio è sempre nuovo" raccolta di pensieri spirituali di Benedetto XVI

Botohet vëllimi "Zoti është gjithmonë i ri" i Benediktit XVI

Vëllimi "Zoti është gjithmonë i ri" i Benediktit XVI, që do të dalë në librari të enjten, më 19 janar, është antologji tejet e pasur rreth temave kryesore të fesë së krishterë. Nëpërmjet nëntë kapitujve, kushtuar Atit qiellor dhe Jezusit, besimit dhe dashurisë, lutjes, të rinjve, familjes, shpresës dhe shenjtërisë, të vërtetës, lirisë dhe gëzimit, Benedikti XVI pikturon bukurinë e krishterimit

R.SH. - Vatikan

Libri "Zoti është gjithmonë i ri", të zhyt në mendimet shpirtërore të Joseph Ratzinger i cili "e bëri teologjinë në gjunjë". Vëllimi, i botuar nga Libreria Editrice Vaticana, redaktuar nga Luca Caruso, del në librari nesër, më 19 janar, është antologji e gjerë, rreth temave kryesore të fesë së krishterë, shkruar nga Benedikti XVI.

Papa Françesku, autor i parathënies, e paraqet këtë tekst si "një lloj sinteze shpirtërore të shkrimeve të Benediktit XVI”. Në të - kujton – “shkëlqen aftësia e tij për ta treguar gjithnjë të re thellësinë e fesë së krishterë". Ky libër e zhyt lexuesin në mendimin e një  Pape teolog dhe bari i cili, në agun e papnisë së tij, më 19 prill 2005, u paraqit para botës si "punëtor i përulur në vreshtin e Zotit" e më pas, duke u lëshuar plotësisht në dorë të Atij të Lumit, kujtoi gjithnjë nevojën për të vërtetën duke theksuar marrëdhënien e thellë ndërmjet fesë dhe arsyes.

Nëpërmjet nëntë kapitujve, kushtuar Atit qiellor dhe Jezusit, besimit dhe dashurisë, lutjes, të rinjve, familjes, shpresës dhe shenjtërisë, të vërtetës, lirisë dhe gëzimit, Papa Benedikti XVI pikturon bukurinë e krishterimit me një mendim të qartë dhe të zjarrtë, që i bën vetes pyetjen për marrëdhënien e tij me Zotin, këtë “ngjarje dashurie”, e cila “i ndriçon edhe netët më të errëta”. Zoti duhet kërkuar e duhet dëgjuar - shpjegon Benedikti XVI në këtë libër - nga i cili buçet thirrja e gjallë: "Duhet ta bëjmë përsëri Zotin të pranishëm në shoqëritë tona!”.

Kjo më duket si nevoja e parë: “që Zoti të jetë sërish i pranishëm në jetën tonë, që të mos jetojmë si të ishim të pavarur, të autorizuar ta shpikim lirinë dhe jetën”. “Zoti e do krijesën e vet, njeriun; e do atë edhe në rënien e tij, nuk e braktis, nuk e lë kurrë vetëm. E do fort e deri në fund të fundit”. “Thellësia e mendimit të Joseph Ratzinger, e bazuar në Shkrimin Shenjt dhe në Etërit e Kishës, na ndihmon edhe ne, sot” - kujton Papa Françesku në parathënien e tij, duke uruar që lexuesi “të gjejë në këto faqe, të përshkuara nga zëri sa i pasionuar, aq edhe i butë i një mësuesi feje dhe shprese, hirin e takimit të ri dhe jetëdhënës me Jezusin”.

18 janar 2023, 16:47