Kërko

Afresku i Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, në katakombet e Shën Sebastianit, në Romë, 2021.06.10 Afresku i Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, në katakombet e Shën Sebastianit, në Romë, 2021.06.10

Afresku më i lashtë i Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell

Afresku 'Të ngjiturin e Krishtit Ngjallur në Qiell', nga Katakombet e Shën Sebastianit, në Romë, në kohën ndërmjet papnive të Damasit e të Inocencit (401-417), u gjet më 2021 mbi një varr të skalitur në shtuf e të kurorëzuar nga një hark, krejtësisht i afreskuar me skena nga Besëlidhja e Re.

R. SH. - Vatikan

Si t’u përgjigjej pyetjeve më të mprehta të njeriut për jetën dhe fundin e saj, që ekzistojnë në thellësinë e shpirtit, mes tjerash, flet edhe nëntoka me gjuhën e pikturës, duke treguar çka na intereson më shumë në këtë jetë tokësore, të përkohshme, në Udhën drejt Amshimit: arkeologjia na zbuloi, në vitin 2021,  afreskun më të lashtë të Ngjitjes së Jezu Krishtit në Qiell, si të donte të na siguronte se me këtë Ngjitje, Qielli u hap për të gjithë njerëzit, mjafton që të dëshirojnë e jetojnë të arrijnë atje, ku drita e Zotit nuk shuhet kurrë.

Afresku i Jezu Krishtit Ngjallur, pra, doli, në vitin 2021, nga Katakombet e Shën Sebastianit, në Romë, nga koha ndërmjet papnive të Damasit dhe të Inocencit (401-417), kur këto katakombe romake ishin në kulmin e shfrytëzimit, ndonëse pas pak do të niste braktisja e madhe - e të vdekurit nuk do të zbrisnin më nën dhe për të bërë gjumin e madh, por do të fillonin “të flinin” mbi dhe!

Ku u gjet afresku

Afresku i Jezu Krishtit Ngjallur u gjet mbi një varr të skalitur në shtuf e të kurorëzuar nga një hark, krejtësisht i afreskuar me skena nga Besëlidhja e Re. Të bie në sy mrekullia e Kanës, shumëzimi i bukëve e, doemos, ringjallja e Lazrit. Pastaj, portretet e të vdekurve, të cilët bëjnë aty gjumin e madh, Primenius e Severa me djalin e tyre (që nuk e dimë kush ishin, pse jetuan as pse vdiqën). Mbi ta, afresku, që na flet vetë për shpresën e ringjalljes.

Afresku i Krishtit të ngjitur në qiell

Ndalemi te afresku, që na paraqet një skenë të frymëzuar  nga rrëfimi ungjillor i të Ngjiturit të Krishtit në qiell. Nga thellësitë e dheut piktura e lashtë nis e na flet, duke na kujtuar Ungjillin e Shën Lukës (24,50-53), Veprat e Apostujve (1,6-11) dhe ngjarjen që ndodhi mbi Malin e Ullinjve, atje ku ende sot ruhet kujtimi monumental.

Është  realizimi më i lashtë ikonografik i Krishtit, që Ngjitet në Qiell e që i shtohet një sërë gjetjesh të tjera, ndërmjet të cilave, një relikuar druri, që një herë e një kohë ruhej në Kapelën e Sancta Sanctorum të Lateranit.

Me interes, të kujtojmë se skema e Ngjitjes së Krishtit në qiell, që e shikojmë në katakombet e Shën Sebastianit, vërehet  edhe në Kapelën padovane të Scrovegni-t (1303 1305), atje ku Giotto dhe shkolla e tij frymëzohen nga struktura ikonografike romake e epokës teodosiane, e cila vijon ta paraqesë Krishtin në profil, duke u ngjitur në qiell, si i rrëmbyer nga një forcë e pushtetshme, e pakundërshtueshme, që e tërheq drejt lartësive pa fund!

Kjo, gjetja arkelogjike, më 2021, në një kohë, siç është edhe situata ndërombëtare, kur flitet edhe tepër vdekje e për varre, na kujton “Të Ngjiturin në Qiell” të Jezu Krishtit, pas vdekjes mbi Kryq dhe na fton t’i drejtomë sytë nga Ai, Jezusi që, dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u Ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u Ngjitur në Qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë, drejt këtij caku përfundimtar.

 

18 maj 2023, 10:32