Kërko

 Alistair Dutton, nuovo segretario generale di Caritas internationalis Alistair Dutton, nuovo segretario generale di Caritas internationalis

Alistar Dutton zgjidhet Sekretar i ri i Përgjithshëm i Caritas Internationalis

Alistair Dutton u zgjodh sot (15 maj) si Sekretar i Përgjithshëm i Caritas Internationalis. Dutton do të drejtojë konfederatën e Caritasit Ndërkombëtar, e cila përfshin 162 organizata kombëtare të Caritas-eve, deri në vitin 2027. Zgjedhja e tij vjen dy ditë pas asaj të Kryeipeshkvit të Tokios, Imzot Tarcisio Isao Kikuchi, si President i ri i organizatës humanitare dhe të zhvillimit të Kishës Katolike që është Caritas Internationalis

R.SH. / Vatikan

Alistair Dutton u zgjodh sot (15 maj) si Sekretar i Përgjithshëm i Caritas Internationalis. Dutton do të drejtojë konfederatën e Caritasit Ndërkombëtar, e cila përfshin 162 organizata kombëtare të Caritas-eve, deri në vitin 2027. Zgjedhja e tij vjen dy ditë pas asaj të Kryeipeshkvit të Tokios, Imzot Tarcisio Isao Kikuchi, si President i ri i organizatës humanitare dhe të zhvillimit të Kishës Katolike që është Caritas Internationalis.

Aktualisht Drejtor Ekzekutiv i SCIAF (Caritasi skocez), Dutton ka më shumë se 25 vjet përvojë në sektorin humanitar dhe ka udhëhequr projekte në mëse 70 vende të ndryshme. Nga viti 2009 deri në vitin 2014 ka mbajtur postin e Drejtorit Humanitar në Caritas Internationalis.

“Shërbimi në Caritas për tre dekadat e fundit ka qenë një privilegj i madh për mua. Caritas ka qenë shtëpia ime, familja ime dhe thirrja ime”, u tha Sekretari i 11-të i Përgjithshëm i Caritas Internationalis 400 delegatëve të Caritas-eve, nga e gjithë bota, të pranishëm në Asamblenë e 22-të të Përgjithshme që po mbahet në Romë nga data 11 deri nesër më 16 maj. “Unë premtoj se do të dëgjoj me përulësi, se do të mendoj me kujdes e urti dhe se do të ndërtoj ura. Premtoj se do të përdor postin e Sekretarit të Përgjithshëm për ta bashkuar Konfederatën për të ecur së bashku përpara".

Dutton ka punuar për herë të parë me Caritas në vitin 1996. «Që atëherë udhëtimi im në Caritas më ka çuar në të gjithë botën. Nga lufta në Kosovë, Darfur, Irak, Liberi dhe Siri; te cunami në Azi, te tërmetet në Haiti, Indi, Indonezi dhe Kili; te konfliktet e lindura nga lakmia dhe shfrytëzimi i pasurisë në Afrikë; te valët migratore në Lindjen e Mesme; te rrënimet e shkaktuara nga emergjenca klimatike dhe fenomenet ekstreme të motit: ciklonet dhe përmbytjet në Pakistan, Myanmar, Indi dhe Bangladesh; te krizat ushqimore në shumë vende afrikane, nga Saheli në Somali, nga Sudani në Zimbabve; dhe te realiteti i frikshëm i shteteve ishullore që zhyten në Paqësor”, tha Dutton.

Në vitin 2014 Dutton ishte gjithashtu CEO i Project Sphere, organizmi ndërkombëtar i standardeve humane. Nga viti 2005 deri në 2009, ai ka qenë edhebkreu i Njësisë së Programeve Humanitare të Ndihmës për Afrikën ‘Christian Aid’.

Gjithashtu sot gjatë punimeve të Caritas Internationalis, Kirsty Robertson, CEO e Caritas Australia, u zgjodh si Zëvendëspresidente e re e Caritas Internationalis. Që nga viti 2019 ajo është CEO e Caritas Australia. Deri më tani ka mbajtur një sërë postesh në Caritas Australia, duke përfshirë postin e Koordinatores së Programeve të Paqësorit dhe Përgjegjëses së Grupit të Komunikimit. Ka qenë CEO e Mary MacKillop Today dhe ka pasur role të shumta drejtuese në organizata të tjera të ndihmës dhe zhvillimit.

15 maj 2023, 19:10