Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare

Gallagher: t’i shërbejmë paqes dhe së mirës së përbashkët, jo imperializmave të rinj

Në fjalimin e tij në Asamblenë e përgjithshme të Caritas Internationalis, që mbahet në Romë deri më 16 maj, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare thekson se në një kuadër gjeopolitik "katastrofik", zinxhiri i vëllazërimit, që Karitasi e ka shtrirë në mbarë botën, "është më i nevojshëm se kurrë"

R.SH. – Vatikan

Sot, kur situata botërore nuk është më pak e ndërlikuar se ajo e viteve të Luftës së Ftohtë, "zinxhiri i vëllazërimit" mishëruar nga Konfederata e Caritas Internationalis "është më i nevojshëm se kurrë". Në kuadrin gjeopolitik botëror, "tejet katastrofik", në të cilin "fryma e kolonializmit dhe e orekseve të tjera të tipit perandorak janë rikthyer në plan të parë", edhe për Karitasin lokal, zgjedhja "e partnerëve qeveritarë nuk është gjithmonë pa pasoja për autonominë pa interes të një organizate dhe, në përgjithësi, për praninë dhe mesazhin e Kishës”. Këto, disa nga temat, që preku imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, në fjalën e hapjes së ditës së dytë të Asamblesë së përgjithshme të Caritas Internationalis, e cila po mbahet në Romë deri më 16 maj, me temë: "Të ndërtojmë udhë të reja vëllazërimi”.

Tryeza e rrumbullakët me temë “Sfidat globale dhe roli i Karitasit”

Kryeipeshkvi mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë "Sfidat globale dhe roli i Karitasit", së bashku me ambasadorin Gabriel Ferrero y de Loma-Osorio, kryetar i Komitetit për Sigurinë ushqimore botërore, me përfaqësuesin e Këshillit Botëror të Kishave dhe me anëtarët e Karitaseve të Ganës, Mianmarit dhe Irlandës. Imzot Gallagher foli për rrezikun në rritje, që paraqet "konflikti aktual në zemër të Evropës për shumë vende", si edhe për "shumëfishimin e dhunës në vende të tjera", duke përmendur krizat në Haiti, Sudan dhe në Lindjen e Mesme. Për këtë arsye, "thirrja për paqe dhe mirëkuptim ndërmjet njerëzve dhe popujve" është urgjente dhe përbën "përparësi për nismat humanitare".

A është në gjendje bashkësia ndërkombëtare ta mbrojë paqen?

Shtimi i situatave të emergjencës humanitare si rezultat i këtyre krizave të shumta, nënvizoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, “ngre edhe pyetje për aftësinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe të institucioneve të saj që ta ruajnë paqen dhe mirëbesimin ndërmjet kombeve”. Prandaj, ai uroi që delegatët e Karitasit të shkëmbejnë përvojën me njëri-tjetrin, për të kontribuar “në forcimin e frymës së vëllazërimit, qendër e identitetit katolik të organizatës bamirëse, që nënkupton respekt të ndërsjellë dhe vërtetësi”.

Identiteti kishtar i Caritas Internationalis

Identitet, të cilin imzot Gallagher e kujtoi vazhdimisht, duke nënvizuar se Konfederata e Caritas Internationalis, themeluar në vitin 1951 nga Papa Piu XII, është "shprehje e dashurisë hyjnore të Krishtit". Kjo organizatë bamirëse kishtare ndryshon “nga organizatat jofitimprurëse dhe altruiste; ajo – theksoi kryeipeshkvi - duhet të kultivojë përshpirtërinë e shërbimit për ta bërë mesazhin ungjillor të Krishtit, Samaritanit të Mirë, të pranishëm në pesë kontinentet dhe në çdo situatë krize, dhune apo paqëndrueshmërie politike”. Njëkohësisht, ajo e ngre zërin para bashkësisë ndërkombëtare për të mbrojtur "një vizion të shëndetshëm antropologjik, të rrënjosur në doktrinën katolike, duke u impenjuar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor". E ky është shërbim për paqen.

Të sigurohet paqja dhe shkëmbimi vëllazëror

Një organizatë kishtare si Karitasi, vazhdoi imzot Gallagher, sipas kushtetutës konciliare “Gaudium et spes”, ka misionin e predikimit të Ungjillit për gjithë njerëzit, përmes veprimtarisë bamirëse, prandaj “kontribuon për arritjen e paqes kudo në botë, duke e vendosur mbi baza të qëndrueshme shkëmbimin vëllazëror ndërmjet njerëzve". Së fundi, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet kërkoi që pjesëmarrja e çdo Karitasi lokal në Konferedatën e Karitasit Ndërkombëtar të mos e kthejë atë në një shumë të thjeshtë organizatash, por të sjellë projekte krijuese e frytdhënëse në praktikën kishtare.

12 maj 2023, 16:26