Kërko

Shtegtim maji në Shenjtnoren e Fatimës. Shtegtim maji në Shenjtnoren e Fatimës.  (ANSA)

Kardinali Parolin në Shenjtnoren e Fatimës: lutje dhe diplomaci

Sekretari i Shtetit të Vatikanit merr pjesë në shtegtimin, i cili tradicionalisht kremtohet më 12 dhe 13 maj, në Cova da Iria të Portugalisë. Në një kohë kur ka kaq shumë nevojë për paqe - kujtoi - nuk duhet t’i harrojmë “armët” që na tregon Virgjëra Mari: lutjen e pendesën. Lidhur me përpjekjet diplomatike të Vatikanit për të favorizuar përfundimin e luftës në Ukrainë, pohoi, në një intervistë: "Po përpiqemi të japim kontributin tonë të plotë".

R. SH. - Vatikan

Nga Cova da Iria njerëzimi mund të mësojë vlerën e unitetit, të shpresës dhe të paqes - tha Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, në predikimin e tij gjatë Meshës, e cila u mbyll sot në mëngjes me shtegtimin tradicional të 12 dhe 13 majit, në Shenjtnoren e Fatimës, në praninë e më se 200,000 shtegtarëve nga Portugalia dhe 26 vende të tjera, duke përfshirë 320 të sëmurë, 274 meshtarë, 23 ipeshkvij dhe dy kardinaj, që bashkëkremtuan në Meshën, kryesuar nga Sekretari i Shtetit.

“Historia e besimtarëve, për të cilët Fatima është shenjë dhe lajmërim, na e tregon gjithnjë Marinë të përkushtuar dhe të pranishme, me hirin e Zotit, në jetën e përditshme të besimtarëve dhe në kohën e tyre – pohoi Parolin –që drita e Pashkëve t’u ndriçojë mendjet, zemrat, duart, punët dhe ditët, duke u hapur udhën drejt së ardhmes së Zotit, gjithmonë  e ardhme paqeje dhe shprese".

Jo vegimeve katastrofike, feja është gurrë shprese për botën

Virgjëra Mari - nënvizoi Sekretari i Shtetit - “nuk i njeh muret e ndryshimeve kulturore, shoqërore, politike”, përkundrazi “na mëson t’i zgjerojmë hapësirat e Kishës”, në mënyrë që ajo të jetë bashkësi “në të cilën harmonia e dallimeve e bën të kotë etjen për të sunduar dhe për të rrafshuar”, aq shpesh e pranishme në botë. Më pas theksoi se feja e krishterë nuk i pranon vizionet katastrofike të historisë, përkundrazi i sjell shpresë njerëzimit. Besimi është diçka më shumë se “fantazi thjesht ngushëlluese, pa fryte të vërteta”. "Historia - vazhdoi Prelati - nuk është  largim progresiv dhe i pashmangshëm nga Zoti, siç mund të na shtyjnë të besojmë ato që ne përgjithësisht i konsiderojmë si shenja të mungesës së tij: lotët pa përgjigje, vajtimi i vazhdueshëm, vajtimet e shkaktuara nga pabesia, nga tradhtia dhe dhuna, lodhja që ndjen kur jeton në një qytet të bazuar në shtypje, vdekja që e fshin dhe e bën të heshtë gjithçka dhe këdo”.

I Ngjalluri është pikërisht ai Jezus, që e bën të re jetën dhe vdekjen

Kardinali Parolin, më pas, ftoi të shikojmë Ringjalljen e Krishtit, një realitet që kthen përmbys të gjithë logjikën njerëzore: "I Ngjalluri është pikërisht ai Jezus, që u kryqëzua; Jezusi që i ndjeu efektet e mungesës së Zotit në trupin e tij, e mirëpriti dhe e kërkoi;  Jezusi, që pezulloi ndarjen nga Zoti, duke e mbushur me praninë dhe dashurinë e vet, deri në pikën e faljes; Jezusi, që bëri të mundur kërkimin dhe gjetjen e Zotit atje ku zakonisht nuk kërkohet, d.m.th. në të varfër, në ata që bota i harron dhe i hedh poshtë”. Prandaj, kardinali Parolin e mbylli predikimin e tij duke uruar që “drita dhe vlerat e Pashkëve të Krishtit të mos i mungojnë kurrë këtij vendi të shenjtë, Kishës universale dhe të veçantë, që gëzimi i Ungjillit të vazhdojë të shpallet, me zell dhe përvujtëri për gjithë botën, për të gjithë burrat dhe gratë, që Zoti i do".  

Po bëjmë çdo përpjekje për të ndihmuar paqen

Gjatë lutjes së mëvonshme të besimtarëve, u lartua lutja për paqe në të katër anët e botës, duke nisur nga Ukraina e duke kujtuar vizitën e sotme të Presidentit Volodymir Zelensky në Romë dhe në Vatikan. Duke folur për luftën në Ukrainë, në një intervistë të transmetuar dje nga radioja portugeze Renascenca, Sekretari i Shtetit konfirmoi se diplomacia e Vatikanit "po bën çdo përpjekje për ta ndihmuar paqen". Duke kujtuar pjesëmarrjen e tij në shtegtim, ai pohoi se “paqja arrihet edhe me lutje e pendesë”. Nuk duhet të harrojmë armët e vërteta, që na i tregoi Zoja – kujtoi. Prandaj - shtoi - e konsideroj çast të përshtatshëm praninë time në Fatima. Është një arsye më shumë për të qenë këtu. Për sa i përket përpjekjeve diplomatike, të cilat janë gjithashtu të nevojshme, "edhe ne, si Seli e Shenjtë, nën drejtimin e Papës Françesku - vazhdoi Parolin - po përpiqemi të japim kontributin tonë të plotë dhe të bëjmë çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike e diplomatike për këtë krizë, e cila realisht po shkatërron një vend”.

13 maj 2023, 17:19