Kërko

Kardinali Turkson Kardinali Turkson  (@VaticanMedia)

Kardinali Turkson: konferencë, përkrah njerëzve, në Akademinë e Shkencave

Kardinali ganez, kancelar i Akademisë Papnore, që organizoi, këtë javë, veprimtarinë kushtuar ushqimit dhe krizave humanitare në botë, u foli pjesëmarrësve për audiencën me Papën. Françesku na foli për lidhjen e konfliktit me krizën dhe dramën e trafikut të armëve në botë.

R. SH. - Vatikan

Afganistani, Jemeni, Haiti, Republika Demokratike e Kongos, pastaj Senegali, Çadi dhe rajoni i shkretëtirës së Sahelit. Këto ishin disa nga vendet e përfaqësuara, së bashku me institucionet si FAO, Programi Botëror i Ushqimit dhe fondacione si Rockefeller, në Konferencën e Akademisë Papnore të Shkencave me temë "Ushqimi dhe krizat humanitare: shkenca dhe politikat për parandalimin dhe zbutjen e tyre", e cila përfundoi të mërkurën, më 10 maj, në Shtëpizën Pio IV, në Vatikan.  Pjesëmarrësit u pritën në audiencë nga Papa Françesku po atë mëngjes.

Jo statistika, por jetë njerëzore

Në këtë veprimtari morën pjesë jo vetëm shkencëtarë dhe ekspertë, por edhe njerëz që i provojnë krizat humanitare mbi lëkurën e tyre si dhe përfaqësues të ndryshëm. "Ndoshta ka ardhur koha për t’i dëgjuar nga njerëzit që jetojnë në këto situata" - shpjegoi kardinali Peter Turkson, kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave dhe asaj të Shkencave shoqërore. Siç na kujton Papa Françesku, ndonjëherë nuk i kuptojmë plotësisht statistikat që flasin për miliona njerëz, po të mos pranohet fakti se kemi të bëjmë me njerëz, me jetë njerëzore. Kjo ishte e veçanta e kësaj ngjarjeje”, nënvizon ai, “gjatë së cilës u fol për njerëz, që i jetojnë për ditë këto situata, që ndihmojnë për t’i lehtësuar, e edhe për organizmat botërore”.

Kardinali Turkson: tregtia e armëve i merr shumë burime shoqërisë

Së bashku me ta, edhe shkencëtarët dhe anëtarët e Akademisë, të cilët i dëgjuan këta njerëz, bënë propozime për zgjidhjet e mundshme dhe shpjeguan se si mund të nxiten diskutimet për këto çështje në nivel qeveritar. "Ishte një konferencë shumë e pasur" - pohon Kardinali Turkson për Vatican News - "folëm për këtë edhe me Papën, i cili na shpjegoi ndryshimin ndërmjet konfliktit dhe krizës".

“Kriza është diçka që nuk zgjidhet vetvetiu”, na tha, “por duhet të angazhohet gjithmonë një grup për zgjidhjen e krizës, që nga kriza të dilet më mirë”. “Pastaj Papa na kujtoi gjithashtu faktin se konfliktet, lufta, janë në rrënjë të kësaj situate trishtimi dhe krizash humanitare”, dhe nëse “bota e ndalon prodhimin e armëve vetëm për një vit, nuk do të kishte më situata krize. Vetëm një vit”.

Kjo - shpjegon Turkson - “na bën të mendojmë për fjalët e presidentit amerikan Eisenhower: “Sa kilometra rrugë të asfaltuara, sa shtëpi për të pastrehët në vend të bombës atomike? Sa i merr gjërave, që mund të jenë të dobishme për shoqërinë?”.

Pas fjalimit të Papës, secili nga pjesëmarrësit mundi të shprehë për disa minuta, atë, që e kishte më për zemër. Nuk ishte, pra, një audiencë vetëm për udhëheqësit, por për të gjithë. E rast i mrekullueshëm për këtë!

12 maj 2023, 14:15