Kërko

Papa hap punimet e Asamblesë së Ipeshkvijve italianë

Sot pasdite, në sallën e Sinodit, në Vatikan, Papa hapi punimet e Asamblesë së Përgjithshme të 77-të të Konferencës Ipeshkvnore Italiane (C.E.I.), e cila zhvillohet në Vatikan nga sot deri më 25 maj 2023, me temën “Dëgjimi i asaj që Shpirti u thotë Kishave. Shqyrtim e hapa me urti”. Në qendër të bisedës familja, të varfërit, emigrantët, thirrjet e shenjta

R.SH. - Vatikan

Sot pasdite, në sallën e Sinodit, në Vatikan, Ati i Shenjtë Françesku hapi punimet e Asamblesë së Përgjithshme të 77-të të Konferencës Ipeshkvnore Italiane (C.E.I.), e cila zhvillohet në Vatikan nga sot deri më 25 maj 2023, me temën “Dëgjimi i asaj që Shpirti u thotë Kishave. Shqyrtim e hapa me urti”.

Familja, të varfërit, emigrantët, përmbytjet, Ukraina, të rinjtë dhe thirrjet e shenjta, në qendër të bisedës që Papa Françesku pati me ipeshkvijtë italianë në hapje të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të 77-të të Konferencës Ipeshkvnore të Italisë (CEI) sot pasdite në Vatikan. Kështu shkruan gazeta e Konferencës së Ipeshkvijve italianë, Avvenire. Asambleja, thuhet në të përditshmen e Kishës italiane, filloi gjysmë ore më herët, rreth orës 15:30.

Një takim me dyer të mbyllura, i hapur, i sinqertë dhe i qetë, sipas disa prej pjesëmarrësve. U fol për paqen dhe emigrantët, për varfërinë në rritje dhe dëmtimin e mjedisit. Por edhe për çështjet e brendshme të Kishës si rënia e thirrjeve të shenjta, që prej vitesh ka prekur të gjitha dioqezat italiane dhe ato evropiane në përgjithësi, si dhe menaxhimin e financave sepse Kisha është dhe duhet të mbetet e “varfër”, ripohoi Papa.

Në fillim të takimit, në sallën e Sinodit, në Vatikan, Papa e ipeshkvijtë mbajtën së bashku një moment lutjeje, në fund të së cilës, kryetari i CEI, kardinali Matteo Zuppi, e përshëndeti Papën në emër të ipeshkvijve. Më pas dialogu i Atit të Shenjtë me ipeshkvijtë italianë vijoi me dyer të mbyllura për disa orë.

“Ka qenë një takim i rëndësishëm sepse ishte në kontakt me problemet e vendit dhe të Kishës. Papa nënvizoi urgjencën e një shtyse të re për ungjillëzimin që kalon përmes një dëshmie të besueshme”. Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Italisë (CEI), imzot Giuseppe Baturi, në një intervistë për televizionin italian Tv2000, duke komentuar fjalët e Papës Françeskut gjatë hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të ipeshkvijve italianë. “Takimi – tha imzot Baturi - filloi më herët se sa pritej dhe zgjati shumë”.

Nesër, e martë 23 maj, në ora 9, prezantimi i punimeve të kësaj asambleje nga presidenti, kardinali Matteo Maria Zuppi.

22 maj 2023, 18:04