Kërko

Papa: paqja ndërtohet me zhvillimin dhe eliminim e varfërisë

Papa: “ndërtimi i #paqes nënkupton fillimin dhe mbështetjen e proceseve të zhvillimit për të eliminuar varfërinë, mposhtur urinë, garantimin e shëndetit dhe kujdesit, mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, promovimin e të drejtave themelore dhe tejkalimin e diskriminimit të shkaktuar nga lëvizshmëria njerëzore”.

R.SH. - Vatikan

Ndërtimi i #paqes nënkupton fillimin dhe mbështetjen e proceseve të zhvillimit për të eliminuar varfërinë, mposhtur urinë, garantimin e shëndetit dhe kujdesit, mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, promovimin e të drejtave themelore dhe tejkalimin e diskriminimit të shkaktuar nga lëvizshmëria njerëzore”. Kështu pohon Papa në një tweet, sot 16 maj 2023, në faqen @Pontifex.

Paqja botërore ka nevojë të mbështetet mbi bazën e drejtësisë, respektit të tjetrit dhe të etikës së re të dialogut, posaçërisht në çastin aktual të paqëndrueshmërisë, shkaktuar nga luftërat, kriza ekonomike globale etj.

Kërkimi dhe promovimi i paqes është themelor, prandaj Papa e me të edhe Kisha reflektojnë posaçërisht për sfidat dhe rolin që duhet të luajnë vendet dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtar, jo vetëm në zgjidhjen e luftës e të problemeve të momentit, por edhe në ato ‘ideale’.

Artizani i paqes, nuk është vetëm njeriu i qetë, me temperament pajtimtar, që dëshiron ta ketë mirë me të gjithë e, në se është e mundur, t’i shmangë konfliktet, por edhe ai që vihet plotësisht në shërbim të paqes dhe impenjohet gjallërisht për ta ndërtuar, nganjëherë duke dhënë edhe jetën për këtë qëllim.
 
Në se në të kaluarën njerëzimi iu nënshtrua një skllavërie të padenjë, brenda sistemeve politike dhe ekonomike që për shumë kohë kërkuan dhe bënë gjithçka për ta mbajtur pushtetin me demagogji e dhunë, sot jemi para kërkesës për paqe të vërtetë, që nuk mund të plotësohet në se nuk mbretëron drejtësia, e vërteta e largpamësia.

 

16 maj 2023, 14:49