Kërko

Ulliri simbol i ndërmjetësimit të Zotit

Duke u takuar me presidentin ukrainas Zelensky, Papa Françesku i dhuroi një degë ulliri prej bronzi! Simbol i ringjalljes, pas shkatërrimit të shkaktuar nga përmbytja, kur toka lulëzon përsëri. E edhe simbol i paqes, sepse dëshmon përfundimin e dënimit të Zotit dhe pajtimin me njerëzit.

R.SH. / Vatikan

Duke u takuar, dje në Vatikan, me presidentin ukrainas Zelensky, Papa Françesku i dhuroi një degë ulliri prej bronzi! Simbol i ringjalljes, pas shkatërrimit të shkaktuar nga përmbytja, kur toka lulëzon përsëri. E edhe simbol i paqes, sepse dëshmon përfundimin e dënimit  të Zotit dhe pajtimin me njerëzit.  

Simbol i ndërmjetësimit të Zotit

Druri i ullirit është universalisht emblemë e paqes, e forcës, besimit, triumfit, fitores, nderit. Që nga kohët e lashta ka qenë simbol transcendent i përshpirtërisë dhe i shenjtërisë e ende sot vijon të luajë një rol të rëndësishëm në ikonologjinë e shenjtë dhe profane.

Druri dhe vaji i ullirit kanë qenë të pranishëm në simbolikë dhe mite që nga kohërat parahistorike.

Në rrëfimin e historisë mijëravjeçare të drurit të ullirit, kujtojmë se tradita e përshkruan "Malin e Ullinjve" përballë Jeruzalemit të lashtë,  ndërsa në "Besëlidhjen e Vjetër" i këndohet bukurisë së kësaj lënde. Në Bibël gjejmë rreth shtatëdhjetë citate për të. 

Protagonist i shumë legjendave, ulliri e ka shoqëruar njeriun gjatë gjithë historisë së tij, që nga zanafilla. Druri i ullirit përmendet që në Librin e Zanafillës, në dy nga episodet më të rëndësishme:  atë të mbirjes së filizit të ullirit mbi varrin e Adamit në malin Tabor, fara e të cilit erdhi nga parajsa tokësore, dhe të kthimit të pëllumbit të çliruar nga Noehi në arkë me një degë ulliri në sqep, simbol i përfundimit të përmbytjes universale dhe fillimit të një jete të re.

Në Greqinë e lashtë konsiderohej bimë e shenjtë deri në atë pikë, sa kush kapej duke e dëmtuar, ndëshkohej me internim. Në Olimpiada fituesit kurorëzoheshin me kurorë gjethesh ulliri.

Romakët e lashtë thurnin degë ulliri për të bërë kurora me të cilat shpërblenin qytetarët më trima. Homeri e përmend në poezitë e tij, si  simbol të paqes dhe të jetës. Trungu gjigant përmes të cilit u verbua Polifemi nga Uliksi dhe shokët e tij ishte ullirit. Mbreti i Itakës ndërtoi shtratin e dasmës për vete dhe Penelopën, me një trung ulliri, simbol i një bashkimi të fortë dhe të qëndrueshëm.

Përdorimi i shenjtë i vajit shpreh vetë thelbin e hyjnisë. Në traditën e krishterë, për shekuj me radhë, vaji i ullirit u përdor për kremtimin e disa sakramenteve: Pagëzimit, Krezmimit, Shugurimit meshtarak. E nuk duhet harruar se të Dielën e Larit besimtarët kanë në duar degë  të bekuara ulliri, një zakon që lidhet “me historinë ungjillore të hyrjes së Jezusit në Jerusalem, pritur nga një turmë që tundte degë ulliri dhe palma”.

E gjithë kjo përmblidhej në Degën e bronztë të ullirit, që Papa i dhuroi Zelenskyt!

14 maj 2023, 12:41