Kërko

Specola Vaticana (arkiv) Specola Vaticana (arkiv)

Spekola e Vatikanit, udhëtim virtual në histori, ndërmjet kupolave dhe teleskopëve

Duke shfrytëzuar ndërtesën e kupolave (Cupole Barberini) dhe të teleskopëve historikë në Vilat Papnore, si edhe çatinë e Pallatit Papnor të Castel Gandolfo-s (Cupole del Palazzo Pontificio), ku ndodhen teleskopë më të rinj, përvijohet një rrugëtim virtual, gjatë të cilit vizitorët mund të njihen me shkencëtarët dhe me mjetet e përdorura në institucionin e lashtë shkencor të Vatikanit (Specola Vaticana)

R.SH. – Vatikan

Observatori i Vatikanit (Specola Vaticana) paraqiti sot (16 maj) udhëtimin virtual në historinë e tij, i cili kalon nëpër ndërtesën e kupolave ​​në Vilat Papnore (Cupole Barberini), duke përfshirë edhe teleskopët e dikurshëm, që ndodhen në po atë pallat, por edhe mbi çatinë e Pallatit Papnor të Castel Gandolfo-s (Cupole del Palazzo Pontificio), ku mund të shihen teleskopët më të rinj. Thjesht, duke lëvizur kursorin në internet, çdo vizitor mund të bëjë një udhëtim për t’u njohur me shkencëtarët dhe mjetet, që kanë shoqëruar rrugën e këtij institucioni të lashtë shkencor të Vatikanit.

Udhëtim në histori

Salla e parë tregon origjinën e Observatorit të Vatikanit duke filluar nga Papa Gregori XIII, protagonist i reformës së kalendarit në vitin1582, për të mbërritur tek Papa Leoni XIII, themeluesi i Spekolës së Vatikanit në vitin 1891, kur barnabiti Át Francesco Denza, u caktua drejtor, ndërsa filloi vëzhgimi i qiellit dhe i yjeve nga kupola e Torre dei Venti (Kulla e Erërave) brenda Shtetit të Vatikanit. Vendin e këtij të fundit e zuri më pas jezuiti, Át Angelo Secchi, me hapjen e observatorit papnor të Kolegjit Romak, në kryeqytetin italian. Itinerari vazhdon me ekspozimin e disa instrumenteve të dikurshme astronomike, për të mbërritur në sallën – gjithnjë virtuale - që vijon të tregojë historinë e Spekolës së Vatikanit, e cila nga Kolegji kalon në Castel Gandolfo. Salla e fundit na njeh me veprimtaritë e Observatorit, që nga prania e tij në Tucson të Arizonës deri tek veprimtaritë kërkimore dhe divulgative të jezuitëve dhe meshtarëve shkencëtarë. Turneu virtual të çon më pas në çatinë e ndërtesës së kupolave ​​në Vilat Papnore, ku gjenden dy teleskopët historikë Carte du Ciel dhe Schmidt. Së fundi, vizitori “teletransportohet” në çatinë e Pallatit Papnor të Castel Gandolfo-s ku gjejmë dy kupolat e mëdha me Astrografin e Dyfishtë dhe Teleskopin Vizual.

Realizimi i vizitës dixhitale

Kjo vizitë virtuale në Observatorin e Vatikanit e njohja me historinë e tij u bë e mundur falë bashkëpunimit me kompaninë Dimensione3. U realizua duke integruar teknologjinë Matterport (platformë kryesore botërore për krijimin e binjakëve dixhitalë) dhe softuerin Dimensione3, që mundëson shtimin e ndërveprimit dhe të funksioneve të personalizuara, të cilat synojnë përmirësimin e përvojës dixhitale dhe sigurojnë përhapjen e frytshme të njohurive shkencore të Observatorit. Modelet tripërmasore të sallave, që shihen në internet, janë realizuar duke përdorur mjetet e fundit për të nxjerrë modelin nga origjinali dhe për të pasur një cilësi të lartë fotografike. Me këtë rast, është pasuruar edhe arkivi dixhital i vetë Spekolës së Vatikanit dhe është krijuar një bazë për projekte të ardhshme.

Kjo vizitë virtuale është e pranishme tashmë në faqen kryesore të internetit të Observatorit të Vatikanit, që mund të ndiqet nga kushdo:

https://www.vaticanobservatory.va/en/

 

16 maj 2023, 16:06