Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Kard. Parolin do të paraqesë një libër për imzot Nigris, legat apostolik në Shqipëri, i fundit gjatë komunizmit

Më 21 qershor, në dioqezën e Udines, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, do të paraqesë një libër kushtuar Legatit apostolik në Shqipëri, i cili shërbeu në vendin ballkanik pikërisht kur sapo u vendos regjimi komunist. Imzot Leone Nigris, ipeshkëv friulan, ishte nga ajo dioqezë veriore italiane

R.SH. – Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, do të paraqesë librin “Drama e Shqipërisë në tregimet e Legatit apostolik Leone G.B. Nigris (1938-1944)”, botuar nga Instituti Pio Paschini për historinë e Kishës në Friuli. Veprimtaria do të mbahet në qendrën kulturore "Paolino d'Aquileia" në Udine të Italisë, më 21 qershor, në orën 16.30. Përveç kardinalit Pietro Parolin do të jetë i pranishëm edhe kryeipeshkvi i Udines, imzot Andrea Bruno Mazzocato, presidenti i Institutit Pio Paschini, Cesare Scalon dhe ai, që u kujdes për botimin, Anesti Naci. Nga Carnia – e pikërisht, nga Ampezzo - në Shqipërinë nën regjimin monarkik fillimisht e, pastaj, nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Në mes, pushtimi italian i vendit gjatë Luftës II Botërore. Ky, kuadri në të cilin shërbeu imzot Leone Giovan Battista Nigris në rolin e tij diplomatik si Legat apostolik i Selisë së Shenjtë në Shqipëri.

Në shtatë vitet e shërbimit të tij, prelati shkroi raporte të hollësishme për Sekretarinë e Shtetit, të cilat botohen tani nga Instituti Pio Paschini. Vëllimi me raportet e imzot Nigrisit është burim themelor për njohjen dhe kuptimin e historisë së Shqipërisë gjatë shekullit XX. Libri është botuar me kontributin e rajonit Friuli Venezia Giulia, si pjesë e projektit "Identiteti kulturor i Friulit", me mbështetjen e Fondacionit Friuli dhe të kryedioqezës së Udines.

Ky vëllim nxjerr në dritë për herë të parë në tërësi raportin që imzot Nigris shkroi për eprorët e tij në Vatikan në fund të Luftës II Botërore. Vitet ndërmjet 1938-ës dhe 1944-ës janë nga më të rëndësishmit në historinë e shtetit shqiptar ende të ri e, pavarësisht nëse i pëlqente apo jo, imzot Nigrisit iu desh të ishte dëshmitar i kalimit nga monarkia në fashizëm e nazizëm e pastaj, në diktaturën komuniste. Ky relacion, i plotësuar me shënime të pasura, është burim i jashtëzakonshëm jo vetëm për historinë e Shqipërisë, por edhe për atë të Italisë. Sidomos, do t’u shërbejë atyre, që duan të sqarojnë rolin e funksionarëve, të klerikëve, të afaristëve e të njerëzve të regjimit në jetën e të dyja vendeve, duke filluar nga pushtimi italian i Shqipërisë, më 7 prill 1939 e deri në çastet dramatike pas 8 shtatorit 1943.

Kujtojmë se imzot Leone Nigris u përpoq të mbajë lidhjet ndërmjet klerit shqiptar dhe Selisë së Shenjtë, pas ardhjes së komunizmit në Shqipëri, për të cilin shqetësohej veçanërisht Papa Piu XII. Imzot Nigris shkoi t’i raportonte personalisht Atit të Shenjtë, por nuk u lejua më të kthehej, pasi u shpall “i padëshirueshëm” nga komunistët shqiptarë. Detyra e tij në Shqipëri përfundoi kështu, më 24 maj 1945.

14 qershor 2023, 16:24