Kërko

Brenda selisë verore të Papëve, mes artit, fesë e natyrës

Pallati Papnor i Castel Gandolfo-s është vendi ku Papët kaluan verën për shekuj me radhë. I hapur për publikun që nga viti 2016 si kompleks muzeal, tani ofron një seksion të ri ekspozimi dhe vizita në Giardino del Moro e Giardino Segreto. Krahas retrospektivës së dokumentarit historik “Castel Gandolfo 1944”, ende në vazhdim, Pallati po përgatitet të presë edhe ekspozitën e dy kryeveprave nga Muzetë e Vatikanit. Barbara Jatta: “Duam të pasurojmë pamjen e këtij vendi të mrekullueshëm”

R.SH. / Vatikan

Është fjala për rezidencën verore të Papëve që nga koha e Urbanit VIII Barberini - e deri në ditët e sotme. E ndërtuar mbi rrënojat e njërës prej vilave më të famshme të antikitetit, Albanum Domitiani, vilë imponuese fshati e perandorit Domitian, Pallati Papnor i Castel Gandolfos përfaqësoi për shekuj me radhë, me përjashtim të viteve të pasbashkimit e deri tek Traktati Lateranense, një vend të rezervuar për festat e Papëve që erdhën këtu për të përtërirë forcat, zakonisht në muajt më të nxehtë të vitit.

Pallati Papnor i Castel Gandolfo-s

Pallati Papnor i Castel Gandolfo-s

Jeta e përditshme e Papëve

 Pali VI dhe Piu XII i kaluan atje ditët e tyre të fundit mbi tokë. I fundmi që qëndroi atje, pas Gjon Palit II, ishte Benedikti XVI në javët parazhvendosjes së tij në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan. Mjediset në të cilat  kalonin ditët Papët, të vizituara deri para disa vitesh vetëm nga bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë, janë krejtësisht të paprekura dhe që nga viti 2016, me urdhër të Papës Françesku, të hapura për vizitorët: duke nisur nga dhomat e veprimtarisë zyrtare si p.sh. Salla e Koncistorit, Salla e Palafrenierëve, Dhoma e Fronit ose Salla e Zviceranëve e deri tek ato private, si dhoma e gjumit, kapela private me kopjen e Zojës së Czestochow-ës, biblioteka, studioja.

Koleksionet Historike në Pallatin Apostolik të Castel Gandolfo

Koleksionet Historike në Pallatin Apostolik të Castel Gandolfo

Të krijohet përshtypja se jeta nuk është ndalur kurrë në këto dhoma. Fantazia dhe kujtesa e bëjnë ende të prekshme jetën që jetohej këtu: nga audienca - deri te çastet e reflektimit dhe të lutjes që karakterizuan festat e Pasardhësit të Pjetrit për shumë vite.

Dhoma e gjumit e Papës
Dhoma e gjumit e Papës

Dhoma e gjumit e Papës

Zonat e reja të ekspozitës

Qendra Muzeale e Pallatit të Castel Gandolfo-s krijon edhe mundësinë e  vizitës së Koleksioneve Historike e, risi e muajve të fundit, të zonave të reja ekspozuese të inauguruara në shkurt me ekspozitën Castel Gandolfo 1944, duke përkujtuar muajt në të cilët rezidenca, që gëzon privilegjet e ekstraterritorialitetit, deri në çlirimin e Romës u bë, me urdhër të Piut XII Pacelli, pikë referimi dhe strehë e sigurt për popullsinë vendase, në ikje nga bombardimet.

Ekspozita Castel Gandolfo 1944
Ekspozita Castel Gandolfo 1944

Ekspozita Castel Gandolfo 1944

Castel Gandolfo 1944

“1944 ishte vit dramatik për historinë italiane - shpjegon për Vatican News Drejtoresha e Muzeumeve të Vatikanit Barbara Jatta - vit lufte, vit zbarkimi i aleatëve, ndërsa pushtimi gjerman i Romës vijonte, vit bombardimesh, frike, terrori. Piu XII së bashku me Emilio Bonomelli-n, në atë kohë drejtor i Vilave Papnore, hapën vilat për të shpërngulurit, rreth 12-13 mijë të shpërngulur. Këta muaj pritjeje u karakterizuan edhe nga çaste dramatike. Më shumë se 500 njerëz vdiqën në bombardimet e 10 shkurtit 1944. Është pjesë dramatike e kësaj historie dhe, për këtë arsye, menduam se duhet treguar, ashtu siç duhet të tregohet mirëseardhja dhe gjërat e shumta të bukura të atyre muajve, në të cilët lindën më shumë se 40 fëmijë në shtratin e Papës. Të parët ishin binjakët Eugenio Pio dhe Pio Eugenio, me këta emra për nder të Papës. Ditën e inaugurimit të ekspozitës, disa të mbijetuar na treguan për ato çaste. Për shembull, një detaj që dokumentohet: qytetet lokale i lyenin çatitë e tyre me të bardhë dhe të verdhë, mbasi Roosevelt kishte deklaruar se Selia e Shenjtë do të ishte neutrale dhe për këtë arsye ishte e kursyer nga bombardimet. Shumë  i njohin fotografitë e të afërmve, në mesin e të ekspozuarve. Ekspozita është shumë domethënëse për bashkësinë e këtyre vendeve, por është edhe paralajmërim për të gjithë: lufta është realitet i tmerrshëm.

Hapësira në të cilën  u ngrit ekspozita, është risi në kuadër të itinerarit të vizitave të Kompleksit Muzeal Castel Gandolfo. Pra, a është pasuruar oferta për vizitorët?

Qendra Muzeale e Pallatit Papnor të Castel Gandolfos u themelua disa vite më parë. Papa Françesku vendosi ta ofronte rezidencën verore të papëve për një publik shumë më të gjerë. Ai vendosi të mos shkonte atje me pushime dhe për këtë arsye e vlerësoi këtë dhe ia besoi veprimtarinë muzeale të pritjes së vizitorëve Muzeve dhe Trashëgimisë Kulturore. Me kalimin e viteve vazhdoi të zhvillohej. Aktualisht po përmirësojmë Pallatin Papnor përmes një serie përvojash. Duam që vizitorët të shijojnë jo vetëm bukuritë e këtij vendi, prej nga në njërën anë soditet Liqeni Albano, në tjetrën, një panoramë mahnitëse mbi gjithë Romën e rrethinat e saj, deri në det. Vend vërtet magjepsës!

Pallati Papnor i Castel Gandolfo
Pallati Papnor i Castel Gandolfo

Pallati Papnor i Castel Gandolfo

Vizita krijon mundësinë e hyrjes në apartamentin papnor. Për shekuj me radhë ishte i rezervuar vetëm për Papët dhe bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë. A mund ta përkufizojmë si paraqitje të shkurtër të jetës së përditshme të Papëve të historisë shumë të afërt?

Patjeter qe po. Benedikti XVI jetoi atje deri në vitin kur vendosi të linte papatin dhe pikërisht këtu doli në pension për një periudhë, para se të shkonte në Manastirin Mater Ecclesiae në Vatikan. Këtu jetuan shumë papë të shekullit të kaluar dhe të shekujve të kaluar. Vendet ku Papa priti, jetoi, shkroi, fjeti dhe u lut në kishën e tij private, mund të vizitohen në katin e dytë të Pallatit.

Pas “Castel Gandolfo 1944”, a parashikoni edhe ekspozita të tjera?

Po, absolutisht. Shumë shpejt, në fund të muajit mars, do të inaugurohet një tjetër hapësirë me një ekspozitë të rëndësishme kushtuar Antonio Allegrit, të njohur si Correggio. Do të ekspozojmë një vepër nga Galeria     Arteve e Vatikanit. Ashtu siç do të sjellim një sixhade nga Scuola Vecchia e Raphael-it të projektuar për Kapelën Sistine, më të bukurën. Bëhet fjalë për “Peshkimin e mrekullueshëm”. Në këtë mënyrë duam të pasurojmë ofertën që mund të dhurojë ky pallat ëndrrash.

A janë planifikuar edhe vizita të veçanta? E kemi fjalën për dhomat apo vendet e veçanta, zakonisht të mbyllura për publikun?

Po, ka departamente që zakonisht mbyllen. Ka një kishëz të bukur të Urbanit VIII me afreske nga Simone Lagi, vërtet diçka shumë e çmuar. Por edhe hapësira që tregojnë jetën intime të papëve: salla e bilardos, dhoma e muzikës. Këto janë dhoma që ne përgjithësisht nuk ua tregojmë vizitorëve të zakonshëm, por që mund t'i hapim sipas kërkesës. Për më tepër, nuk duhet të harrohen ofertat e ndryshme të Qendrës Muzeale të Pallatit të Castel Gandolfo: antikuari i Villa Barberinit, domethënë ai vend që mbledh dëshmi shumë të çmuara, të cilat vijnë nga rezidenca e madhe fshatare e perandorit Domitian mbi të cilën janë ndërtuar vilat dhe vetë Palazzo Barberini, por edhe Observatori i Vatikanit, qendër e shkencëtarëve dhe studiuesve të yjeve, ku një grup jezuitësh merren me sekretet e qiellit prej shekujsh. Vendosëm bashkë me ta, ta bëjmë edhe më të njohur. Pra, ne hapëm dyert jo vetëm për observatorin, domethënë dy teleskopë të mëdhenj, por edhe për një itinerar të tërë ekspozite që tregon historinë e aktiviteteve të shkencëtarëve dhe studimit të meteoritëve. Ndër të tjera, një herë në muaj - dhe kjo është risi e jashtëzakonshme - mund të merret pjesë në vëzhgimet e natës, kur hëna e lejon, të udhëhequr nga astrofizikanë dhe udhërrëfyes të specializuar. Ne mbështesim Specola-n, këtë aspekt të jashtëzakonshëm të shkencës dhe vëmendjen ndaj kërkimit,   në komunikimin me botën, me vizitorët.

Observatori i Vatikanit
Observatori i Vatikanit

Observatori i Vatikanit

Shkencë, art, histori. Të gjitha nga këndvështrimi i fesë...

Duke dëgjuar shkencëtarët e Spekolës, njeriu ka pikërisht këtë perceptim: shkenca është në shërbim të fesë.  Është e rëndësishme ta ndajmë së bashku edhe vizitën në këtë institucion shumë të veçantë brenda Vatikanit.

Kopshti Sekret
Kopshti Sekret

Kopshti Sekret

Një pyetje në lidhje me kopshtet që i përkasin kompleksit të Muzeut Castel Gandolfo: Kopshti Moro dhe Kopshti Sekret. Dy xhevahire të artit botanik, të cilët me stinën e ngrohtë që po na vjen, e bëjnë këtë vizitë edhe më joshëse…

Ato janë dy shtojca të Pallatit Papnor të Castel Gandolfos që ne përgjithësisht kishim menduar të mos i vizitonim. Në vend të kësaj vendosëm të organizohemi për hapjen e tyre. Ato ofrojnë jo vetëm  pamjen shumë interesante të një vendi të këndshëm nga ku mund të shihni të gjithë Romën dhe të gjitha rrethinat, por në të njëjtën kohë, edhe një pamje të liqenit Albano dhe të Rocca di Papa, kësaj hapësire të mrekullueshme natyraliste që është Kështjella romake. Mundësi, që e pasuron më tej ofertën e të ashtuquajturës qendra muzeale natyraliste të Castel Gandolfo.

10 mars 2024, 13:50