Kërko

 Risurrezione, tomba di Gesù Risorto Risurrezione, tomba di Gesù Risorto

E Hëna e Shpirtit. Si të lutesh, kur të duket se nuk vlen për asgjë!

Të gjithë jetojnë çaste të vështira. Po ardhja e ditëve të festave shpesh e thellon vetminë e njeriut, që ndihet bosh. Përvojë që mistikja franceze Marie Noël e ​​shndërroi në poezi e në lutje

R.SH. / Vatikan

Kemi hyrë në Javën e Madhe e të Shenjtë! Afrimi i Pashkëve i bashkon sërish familjet e ndara nga puna dhe studimi. Ose të paktën përpiqet t’i bashkojë. Mundësi e mrekullueshme, por që rrezikon t'i bëjë ata të cilët jetojnë një çast të vështirë, të ndihen edhe më të vetmuar. Gjendje që e provoi edhe poetja e përshpirtshme Marie Noël, kur i drejtoi Zotit fjalë të dala nga zemra:

Nuk kam më asgjë, nuk jam asgjë!

Ndjenja e zbrazëtisë e shtyn të kërkojë ndihmë në krahët e mëshirshëm të Atit. Britmë, që lind nga vuajtja:

“Historia e shpirtit tim është historia e grurit. Në pranverë isha bar në erë, isha lule, isha lojë, isha gëzim.

Atëherë, o Zot, të desha.

Në verë gruri im u bë për t’u korrur, e unë nisa një punë për ty.

Punë që e humba në vjeshtë!

Tani, o Atë, nuk kam asgjë për të të dhënë. Nuk jam më lule as fryt. Nuk jam më unë, as ndokush tjetër që më ngjet.

Nga thyerja - në thyerje - u  bëra pluhur; grurë i rrahur, miell i bluar, bukë e ardhur, e gatuar, e përtypur, e shkatërruar.

Nga unë nuk mbeti më asgjë!

O Zoti im, nuk kam më as lule, as fruta, as zemër, as vepra për Ty;

asgjë tjetër, veç një kafshate të varfër buke të thatë.

Buka jote është imja, ashtu si je edhe ti vetë, o Zot”.

 

Dy fjalë për Marie Melanie Noël,

Marie Melanie Noël lindi në Auxerre, Francë, më 16 shkurt 1883. Mbiemri i saj i vërtetë ishte Rouget. Vendosi ta quante veten Noël kur vëllai i saj dymbëdhjetë vjeçar vdiq papritur në ditën e Krishtlindjes (Noël në frëngjisht). Ajo ngjarje tragjike, së bashku me një zhgënjim të madh, i la gjurmë të fortë në shpirt. Poete e thellë, Marie Noël vdiq më 23 dhjetor 1967. Për të ka nisur çështja e lumnimit.

(nga Avvenire, Riccardo Maccioni, 25 mars 2024)

25 mars 2024, 11:34