Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher në Jordani Imzot Paul Richard Gallagher në Jordani

Gallagher: gjendje katastrofike dhe e papranueshme humanitare në Gaza

Veprimtaria e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, që dje e deri të enjten në Jordani, për 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë: në çdo konflikt, Vatikani "nuk heziton së theksuari parimin e humanizmit", i cili përfshin "detyrën për të mbrojtur civilët” nga pasojat e luftërave

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku është vazhdimisht i shqetësuar për popullsinë e Gazës dhe është "në kontakt", pothuajse çdo ditë, "me të krishterët, që jetojnë në famullinë e Familjes Shenjte". Duhen përsëritur thirrjet e tij, “që nga tetori i kaluar: në Gazë e në gjithë rajonin ka nevojë urgjente për armëpushim të menjëhershëm". Ky, qëndrimi i Sekretarit vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, në fjalën e djeshme, 11 mars, në Organizatën Bamirëse Hashemite të Jordanisë, ent joqeveritar me seli në kryeqytetin Aman. Prelati ndodhet për vizitë në vendin e Lindjes së Mesme, nga 11 deri më 14 mars, me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë.

Ndërsa përshëndeste kryetarin e organizatës, Hussein Chibli, imzot Gallagher nënvizoi "mbështetjen bujare" dhe dhembshurinë e treguar nga mbreti Abdullah II dhe i gjithë populli jordanez "për vëllezërit dhe motrat e tyre palestinezë, që jetojnë në Rripin e Gazës, ku gjendja humanitare është katastrofike”. Puna për mbledhjen, përgatitjen dhe transportimin e ndihmave humanitare, vuri në dukje ai, ishte akt me vlerë të madhe të krishterë.

Sa herë që jemi para tragjedisë së një konflikti të armatosur, nënvizoi kryeipeshkvi, "Selia e Shenjtë nuk heziton së përsërituri se parimi i humanizmit, gdhendur në zemrat e gjithë njerëzve dhe popujve, përfshin detyrën për të mbrojtur civilët nga pasojat”. Fatkeqësisht, theksoi ai, “mbrojtja e dinjitetit të çdo njeriu, e spitaleve, shkollave dhe objekteve të kultit, e garantuar nga e drejta ndërkombëtare humanitare”, shkelet shumë shpesh nga palët ndërluftuese, në emër të nevojave ushtarake. Kjo e fyen rëndë “vlerën e jetës njerëzore", e cila nuk duhet të komprometohet kurrë nga këto strategji. Prandaj, prelati nxiti që "ndihma humanitare të ofrohet me shpejtësi dhe pa pengesa për gjithë popullsinë civile".

Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare kujtoi edhe një herë se Kisha Katolike në Jordani është impenjuar që në fillim, përmes Shërbimeve të Ndihmës Katolike dhe Karitasit lokal, të cilit - njoftoi imzot Gallagher - Papa i dhuroi shumën prej 50.000 eurosh, nëpërmjet nunciaturës apostolike. “Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat e familjet e tyre”, përsëriti kryeipeshkvi, duke ftuar të mos harrohen 600 refugjatët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë, të cilët jetojnë në famullinë e Familjes Shenjte në Gazë.

Duke shpresuar që "pengjet izraelite të lirohen menjëherë dhe të kthehen te të afërmit e tyre, që i presin me ankth", si edhe që "popullsia civile palestineze të marrë ndihmat e duhura humanitare", imzot Gallagher e përfundoi fjalën e tij duke falënderuar edhe një herë organizatën për përpjekjet e saj të mëdha.

Prelati foli për nevojën që shpresa të mos humbasë kurrë, pavarësisht nga vuajtjet e shkaktuara nga lufta, edhe në kishën latine të Zojës së Nazaretit, në Aman, ku dje kremtoi meshën së bashku me Patriarkun latin të Jerusalemit, Pierbattista Pizzaballa dhe me anëtarët e Asamblesë së ipeshkvijve katolikë të Tokës Shenjte.

Është e vërtetë që në disa vende, nënvizoi prelati në homelinë e tij, “të krishterët nuk mund të luten në gjuhën e tyre, në disa të tjera nuk mund të ndërtojnë kisha e, në të tjera akoma nuk kanë lirinë për të marrë pjesë në jetën politike dhe shoqërore e vuajnë persekutime”, por është e vërtetë edhe se “Jezusi na ngushëllon duke thënë: “Gëzohuni dhe galdoni, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiell””. Vetë Zoti, vërejti imzot Gallagher, "e vendosi shën Pjetrin dhe pasardhësit e tij si shkëmb mbi të cilin do të ndërtonte Kishën", ku Papa është "parimi i dukshëm i unitetit të krishterë".

Në këtë unitet, theksoi ai, e gjithë Kisha Katolike, në mbarë botën, duhet të lutet për paqen. Kryeipeshkvi uroi të arrihet shpejt një armëpushim në Izrael e Palestinë, duke kujtuar fjalët e Papës Françesku në meshën e kremtuar në Stadiumin Ndërkombëtar të Amanit, gjatë vizitës apostolike të majit 2014 në Jordani, kur i kërkoi Shpirtit Shenjt “t’i përgatisë zemrat për takimin me vëllezërit, pavarësisht nga ndryshimet e ideve, të gjuhës, kulturës e fesë; t’i lyejë të gjithë me vajin e mëshirës së tij, që shëron plagët e gabimeve, të keqkuptimeve, të polemikave; t’i dërgojë të gjithë me përvujtëri e butësi në shtigjet sfiduese, por të frytshme për kërkimin e paqes”.

12 mars 2024, 16:55