Kërko

Mons. Petar Rajic, Nunzio Apostolico Mons. Petar Rajic, Nunzio Apostolico

Imzot Rajiç, nunc i ri në Itali dhe në San Marino

Prelati, Imzot Petar Rajiç i emëruar sot nga Papa, zë vendin e kardinalit Emil Paul Tscherrig, i cili e kryente këtë detyrë që nga viti 2017. Mirënjohja e Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI)

R.SH. / Vatikan

Do të largohet nga Republikat Balltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, ku ishte nunc apostolik për gati pesë vjet, për të ardhur e për të kryer të njëjtën detyrë në Itali dhe në Republikën e San Marinos. Kryeipeshkvi kanadez 64-vjeçar Petar Rajič po përgatitet për një transferim të ri: do të pasojë kardinalin 77-vjeçar Emil Paul Tscherrig, krijuar kardinal nga Papa në Koncistorin e shtatorit 2023.

Shërbimi për Selinë e Shenjtë

Me origjinë nga Toronto, i shuguruar meshtar më 1987, pasi u diplomua në të Drejtën Kanonike, Imzot Rajiç hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë në korrik 1993. Shërbeu në Përfaqësitë Papnore në Iran dhe Lituani, për të punuar më pas në Seksionin për Çështjet e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit. Pas emërimit nunc në vitin 2009, detyra e tij e parë me Benediktin XVI ishte në Kuvajt, Bahrein dhe Katar e, si delegat apostolik, edhe në Gadishullin Arabik. Në vitin 2015 Françesku e emëroi në Afrikë nunc i Angolës dhe Sao Tomé e Principe, ndërsa në vitin 2019 ishte radha e Republikave Baltike. Poliglot, di kroatisht, anglisht, italisht dhe frëngjisht.

Shënimi nga CEI

Konferenca Ipeshkvnore Italiane e falënderoi Papën për emërimin e Imzot Rajiç - lexojmë në një shënim - parë si shenjë e "vëmendjes së vazhdueshme ndaj kishave në Itali". Kjo e fundit - vijojnë - ishte "kohë intensive, e karakterizuar nga ndryshime të thella që po prekin territoret dhe gjithashtu e kushtëzuar nga pandemia" gjatë së cilës - i shkruajnë ipeshkvijtë italianë Françeskut - "patëm vërtet mundësinë ta vlerësojmë punën e tij të çmuar, veprimin dhe këshillën e tij për t'i bërë lidhjet e bashkimit me Selinë Apostolike gjithnjë e më të forta dhe më efektive dhe për të krijuar marrëdhënie me autoritetet e Shtetit".

11 mars 2024, 14:56