Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Kard. Parolin: për Papën, bisedimet nuk janë dorëzim, por kusht për një paqe të drejtë

Pas fjalëve të Papës Françesku për Ukrainën në Radiotelevizionin Zviceran, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ndërhyn për këtë çështje në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”: "Bota rrezikon një shkallëzim bërthamor"

R.SH. – Vatikan

Publikojmë tekstin e plotë të intervistës dhënë gazetarit Gian Guido Vecchi nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, botuar në të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.

Hirësi, duket qartë se Papa kërkon negociata dhe jo dorëzim. Por pse iu drejtua vetëm njërës nga të dyja palët, Ukrainës dhe jo Rusisë? Dhe a nuk është kundërproduktive përmendja e "humbjes" së të sulmuarve, si arsye për bisedime?

“Siç u kujtua nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, që përmendi fjalët e Atit të Shenjtë më 25 shkurtin e kaluar, Papa bëri thirrje të “krijohen kushtet për zgjidhje diplomatike në kërkim të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Në këtë kuptim, është e qartë se krijimi i kushteve të tilla nuk i takon vetëm njërës palë, por të dyjave dhe kushti i parë më duket pikërisht fundi i agresionit. Nuk duhet të harrojmë kurrë kontekstin dhe, në këtë rast, pyetjen që iu bë Papës, i cili si përgjigje foli për negociata dhe veçanërisht për guximin e negociatave, që nuk është kurrë dorëzim. Selia e Shenjtë ndjek këtë linjë dhe vazhdon të kërkojë "armëpushim" – e ata, që duhet të ulin armët të parët duhet të jenë pikërisht agresorët – pra, si rrjedhojë, edhe fillimin e bisedimeve. Ati i Shenjtë shpjegon se të negociosh nuk është dobësi, por forcë. Nuk është dorëzim, por guxim. E na thotë se duhet të kemi më shumë konsideratë për jetën njerëzore, për qindra mijëra jetë njerëzore, që janë sakrifikuar në këtë luftë në zemër të Evropës. Këto janë fjalë që vlejnë për Ukrainën, për Tokën Shenjte dhe për konfliktet e tjera, që po gjakosin botën”.

A ka ende shanse për të arritur një zgjidhje diplomatike?

“Meqë është fjala për vendime, të cilat varen nga vullneti njerëzor, mundësia për arritjen e zgjidhjes diplomatike mbetet gjithmonë. Lufta, që shpërtheu kundër Ukrainës nuk është pasojë e ndonjë fatkeqësie natyrore të pakontrollueshme, por vetëm e lirisë së njeriut. I njëjti vullnet njerëzor, që e shkaktoi këtë tragjedi, ka edhe mundësinë e përgjegjësinë për të ndërmarrë hapa, që i japin fund asaj dhe i hapin rrugën zgjidhjes diplomatike”.

Selia e Shenjtë është e shqetësuar për shkallëzimin e mundshëm të luftës? Ju vetë folët për këtë, duke thënë se hipoteza e përfshirjes së vendeve perëndimore është "e frikshme".

“Selia e Shenjtë shqetësohet për rrezikun e zgjerimit të luftës. Niveli në rritje i konfliktit, shpërthimi i ndeshjeve të reja me armë, gara e armatimeve janë shenja dramatike dhe shqetësuese në këtë drejtim. Shtrirja e luftës do të thotë vuajtje të reja, vdekje të reja, viktima të reja, shkatërrime të reja, të cilat i shtohen atyre, që populli ukrainas, veçanërisht fëmijët, gratë, të moshuarit dhe civilët, përjetojnë në trupin e tyre, duke paguar një çmim tepër të lartë për këtë konflikt të padrejtë”.

Papa Françesku foli edhe për konfliktin izraelito-palestinez, duke evokuar "përgjegjësinë" e palëve. Çfarë kanë të përbashkët këto dy situata?

“Të dyja situatat, sigurisht, kanë të përbashkët faktin se janë zgjeruar në mënyrë të rrezikshme përtej çdo kufiri të pranueshëm, se nuk arrijmë t’i zgjidhim, se kanë pasoja për disa vende dhe se nuk mund të gjendet zgjidhja pa bisedime serioze. Më shqetëson urrejtja, që po nxisin. A do të mund të shërohen ndonjëherë plagë kaq të thella?”

Gjithnjë për temën e shkallëzimit të luftës: Papa ka folur disa herë për rrezikun e një konflikti bërthamor, "mjafton një aksident", ka thënë. A është kjo frika kryesore e Selisë së Shenjtë? Një “aksident”, siç pati ndodhur në Sarajevë më 1914?

“Nuk mungon rreziku për një ‘kthesë’ fatale bërthamore. Mjafton të shihet sa shpesh e përmendin këtë kërcënim disa përfaqësues të qeverisë. Nuk mund të bëjmë tjetër, veçse të shpresojmë se kjo është vetëm propagandë strategjike dhe jo ‘paralajmërim’ për një ngjarje vërtet të mundshme. Sa i përket "frikës kryesore" të Selisë së Shenjtë, mendoj se ajo është më tepër frikë që protagonistët e ndryshëm të kësaj situate tragjike të mbyllen edhe më shumë në interesat e tyre, duke mos bërë ç'munden për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme".

12 mars 2024, 11:10