Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Kard. Parolin: të kujdesemi për njëri-tjetrin e për gjithësinë

Bukuria dhe dashuria janë dy fjalët kyçe të edicionit të tretë të festivalit “Kinemaja për Krijimin” në San Giorgio in Bosco të Padovës. Në një videomesazh, Sekretari i Shtetit të Vatikanit reflekton mbi "mundësitë e mëdha që hapen thjesht përmes bashkëpunimit, me vetëdijen se gjithçka është e ndërlidhur". E, kjo "kërkon transformimin e politikave ndërkombëtare dhe të sjelljeve tona të përditshme"

R.SH. – Vatikan

"Të ushqehemi me bukuri dhe dashuri, energji për të shpëtuar botën": kjo është tema e zgjedhur për edicionin e tretë të "Kinemasë për Krijimin", promovuar nga Rrethi “Laudato si'” në San Giorgio in Bosco, provinca e Padovës. Në ditën përfundimtare të festivalit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dërgon një videomesazh, në të cilin nënvizon se tema e nismës është kuptimplote për gjendjen në të cilën ndodhet bota, pasi na bën "të shohim mundësitë e mëdha, që hapen thjesht nga akti i bashkëpunimit, i ndërveprimit me respekt për njëri-tjetrin dhe me vetëdijen se, siç nënvizon vazhdimisht Papa Françesku, gjithçka është e ndërlidhur". Ndërgjegjësimi për këtë ndërlidhje, vijon kardinali, vë në dukje se vendimet dhe qëndrimet e secilit kanë pasoja për gjithë familjen njerëzore. "Nuk ka kufij, nuk ka mure politike brenda të cilave mund të fshihemi", vëren ai, duke kërkuar “transformimin e politikave ndërkombëtare dhe të sjelljes sonë të përditshme”, për të ikurajuar kështu, “ndryshimin e modeleve të prodhimit e të konsumit”.

Shtëpia e përbashkët nuk është vetëm ambienti

 Festivali, që filloi më 9 shkurt, pati shumë veprimtari, si lexime, konferenca ekspertësh dhe shfaqje filmash e dokumentarësh, që frymëzohen nga temat e ekologjisë së gjithanshme, për të cilat flet Papa Françesku në enciklikën “Laudato si'” dhe në Nxitjen apostolike “Laudate Deum”. Pikërisht sonte, shfaqet dokumentari “Vetëm së bashku - surpriza e Françeskut”, e regjisorit Gualtiero Peirce.

Në të pasqyrohen takimet e Atit të Shenjtë në të Premtet e Mëshirës, ​​nismë e lindur më 2015 gjatë Jubileut të Mëshirës, ​​takime të paplanifikuara me më të braktisurit e shoqërisë, gjatë të cilave Papa përqafoi, përkëdheli, foli e dëgjoi me thjeshtësi, duke u bërë i afërt me shumë vëllezër e motra. Në videomesazhin e tij, kardinali Pietro Parolin nënvizon pikërisht faktin se shtëpia e përbashkët nuk është vetëm ambienti, por edhe burrat e gratë që jetojnë në të, përfshirë brezat e ardhshëm. Prandaj, kujdesi për Tokën shtrihet në kujdesin për të tjerët, për të cilët jemi përgjegjës e nënkupton edhe marrëdhëniet tona me Zotin, i cili na e besoi gjithësinë e krijuar prej Tij. Duke jetuar në bashkim me Zotin, me të tjerët dhe me të gjitha krijesat, njeriu maturohet dhe ecën në udhën e shenjtërisë. Kjo është kthesa e gjithanshme ekologjike, për të cilën flet Papa Françesku, sqaron Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Kultura e ekologjisë së gjithanshme është e nevojshme

Në titullin e festivalit spikatin dy fjalë: bukuria e dashuria. Nëpërmjet kundrimit të bukurisë së Krijimit, vijon kardinali, lind mirënjohja për këtë dhuratë të Zotit, që duhet t’ua transmetojmë brezave të ardhshëm me dashuri. Kultura e re ekologjike, e promovuar nga Papa Françesku, nuk është një sërë përgjigjesh të pjesshme për problemet mjedisore, por edhe hyrja në shoqëri e “një mendimi, një politike, një programi arsimor, një stili jetese dhe një përshpirtëri, të cilat i japin formë qëndresës njerëzore përballë përparimit të paradigmës teknokratike”. Mjeti për ta arritur këtë, përfundon Parolin, është "dialogu në nivelin lokal e ndërkombëtar, që nxit zhvillimin e vërtetë të gjithanshëm e të qëndrueshëm njerëzor, si edhe favorizon edukimin në ekologjinë e gjithanshme, në gjendje të krijojë një këndvështrim të ri dhe të vlerësojë forcën e bukurisë dhe të dashurisë”.

23 mars 2024, 12:31