Kërko

Familja Ulma Familja Ulma  

Kard. Semeraro: Ulmat dëshmojnë se dashuria është revolucioni më i madh i çdo ideologjie

80 vjet pas martirizimit, familja polake e vrarë nga nazistët për fshehjen e disa hebrenjve u përkujtua në Markowa dhe u shpall e lume vitin e kaluar. Mesha u kryesua nga Kard. Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, në praninë e Presidentit Duda, i cili falënderoi Papën për dhuratën e lumnimit, falë së cilës "këtë familje e njohu" mbarë bota.

R. SH. - Vatikan

U rikthye në Markowa, Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, për të kujtuar familjen Ulma: Józefin, Viktoren dhe shtatë fëmijët e tyre, të gjithë të vrarë nga nazistët, mbasi  kishin strehuar disa hebrenj, që iknin nga persekutimi. Pasi kryesoi lumnimin më 10 shtator 2023, në Poloni, Kardinali Semeraro kujtoi dje 80 vitet e atij, që Kisha Katolike e njohu si martirizim dhe, në predikim, theksoi mesazhin ende aktual ungjillor të "Samaritanëve të Markovës", domethënë se pushteti i dashurisë është shumë më i madh se fuqia e vdekjes.

Dashuria është më e fuqishme se ideologjia

Ulmat "treguan se dashuria e jetuar sipas masës së Krishtit të kryqëzuar, samaritanit të vërtetë të njerëzimit, është revolucion më i madh se çdo ideologji. Ne ia besojmë familjet tona ndërmjetësimit të të lumëve Jozef, Viktoria dhe fëmijëve të tyre, që të jenë shkollë feje dhe vend ku të praktikojmë dhe të rritemi në dashurinë e vërtetë. Të lutemi për paqe dhe vëllazëri universale ndërmjet popujve dhe kombeve” - theksoi prefekti i Dikasterit për çështjet e shenjtorëve.

Presidenti i Polonisë falënderon Papën

"Treguan humanizmin në heshtje. Sa prej nesh sot do të guxonim të rrezikonin jetën e tyre dhe të familjeve të tyre, për të shpëtuar një njeri tjetër" - deklaroi presidenti i Polonisë Andrzej Duda, i pranishëm në ceremoni. Kreu i shtetit falënderoi Papën Françesku për "dhuratën" e Lumnimit të Ulmave  vitin e kaluar: falë këtij vendimi - kujtoi - e gjithë bota njohu historinë e këtij çifti dhe fëmijëve të tyre, të cilët i fshehën për më shumë se një vit e gjysmë tetë hebrenj nga familjet Goldman, Grünfeld dhe Didner në shtëpinë e tyre. Presidenti nënvizoi edhe se sot nuk është e mundur të gjykohet qëndrimi i disa polakëve gjatë Luftës II Botërore: pati nga ata që bashkëpunuan me nazistët, ose nga ata që u nënshtruan nga frika, por shumica vunë në lojë jetën e tyre, për të shpëtuar atë të të tjerëve.

Duda kujtoi se vetëm në Markowa, 21 hebrenj dolën të gjallë nga lufta, sepse qenë fshehur nga familje të tjera polake.

E pikërisht duke njohur meritat e ruajtjes së kujtimit të polakëve, që shpëtuan hebrenjtë, kreu i shtetit vlerësoi me dekorata kombëtare 21 vetë. Ndërsa kardinalit Semeraro i dorëzoi Kryqin e Komandantit të Urdhrit të Meritës së Republikës së Polonisë.

Kujtimet e Holokaustit janë ende të gjalla

Vrasja brutale e familjes Ulma dhe e hebrenjve që i fshehën pati tronditur asokohe banorët e Markovës dhe të afërmit e shumtë të Ulmave. "E kemi të freskët para syve" kujtoi Roman Kluz, 88 vjeç  kushëri i fëmijëve të Jozefit dhe Wiktorias dhe në të njëjtën moshë me vajzën e tyre të madhe, i cili merrte pjesë në festë. "Unë dhe Stasia ishim bashkë në klasë të parë. Shkoja gjithmonë tek ata dhe ata vinin tek ne. Ishin dajat e mi. Tani të gjithë e dinë se çfarë ndodhi këtu...".

Një aeroport me emrin e familjes Ulma

Homazh simbolik për Ulmat e Lum ishte edhe ceremonia e mëngjesit, gjatë së cilës aeroporti Rzeszów-Jasionka mori emrin e tyre. Për më shumë se dy vjet, ishte qendra kryesore e ndihmës ndërkombëtare humanitare dhe ushtarake për Ukrainën. Është gjithashtu vendi i takimeve të shumta diplomatike, si ndalesë për liderët botërorë në rrugën e tyre për në Ukrainë.

25 mars 2024, 14:13