Kërko

 Tymi i zi gjatë një bombardimi në Gaza (AFP ose licencuesit) Tymi i zi gjatë një bombardimi në Gaza (AFP ose licencuesit)  (AFP or licensors)

Kard. Tomasi: luftërat kanë devijime të papritura, kërkojnë përgjigje të re, të ngutshme!

Vëzhguesi i përhershëm i nderit i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, kardinali Tomasi, reflekton për atmosferën globale që mbështjell planetin, veçanërisht për konfliktet në Ukrainë dhe në Tokën Shenjte: armët tradicionale shkatërrojnë më keq sesa besohet, armët atomike do ta bënin tokën shkretëtirë. Zgjidhja më e arsyeshme, siç na kujton Papa, do të ishte "kalimi nga mendësia e terrorit, në mendësinë e besimit".

R. SH. - Vatikan

“Ka shumë indiferencë, kur flitet për nevojën e çarmatimit. Harrohet se pasojat e mosçarmatimit janë aq të rrezikshme, sa që bëhet domosdoshmëri dhe përgjegjësi të informohesh për to. Në se hamendja sipas së cilës disa nga armët atomike mund të përdoren vihet në jetë - siç është kërcënuar - do ta linte planetin të shkretë, e nuk e dimë për sa kohë".

Ky, mendimi i shprehur gjatë një interviste me Vatican News nga Kardinali Silvano Maria Tomasi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të e Bashkuara në Gjenevë nga viti 2004 deri në 2016, për dekada të tëra i përfshirë në punën diplomatike të Selisë së Shenjtë e edhe delegat i posaçëm pranë Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës deri më 1 nëntor 2020. Duke analizuar rrezikun e mundshëm të shkaktuar nga rrethanat aktuale dhe duke u nisur nga përvoja e tij e pasur, Kardinali reflekton mbi mundësitë për arritjen e paqes dhe rithekson nevojën për dialog të arsyeshëm dhe vendosje të re të busullës morale "që tani është e thyer".

Kardinali Tomasi nënvizon, ndërmjet tjerash, edhe se dhuna në të gjitha format e saj, ka si pasojë fatkeqësitë, shkatërrimet e shkaktuara nga armët atomike, dëmet e paparashikueshme të civilëve dhe rrënimet e mjedisit janë shumë më të këqija. Prandaj pajisje të tilla “nuk mund, as nuk duhet të pranohen”.

Duke kujtuar thirrjen pasionante të Françeskut për çarmatim, kardinali Tomasi vëren: "Papa luan rolin e ndërgjegjes së njerëzimit dhe e bën këtë në një mënyrë shumë të artikuluar dhe të fortë". “Më duket - kujton - se në këtë çast përfaqëson të vetmin zë të arsyeshëm në diskutimin e këtij problemi”.

Duke ndjekur luftërat në vazhdim, veçanërisht konfliktin në Tokën  Shenjte dhe luftën në Ukrainë, a shihni ndonjë rrugë paqësore për t'i dhënë fund konflikteve, në vend të bombardimeve të vazhdueshme? Nga përvoja juaj prej dekadash në OKB, a keni qenë në gjendje të verifikoni diçka, që mund të shërbejë si shembull sot? A ka mjete, masa apo modele që ende nuk janë përdorur dhe duhet të vihen në jetë?

Ju prekni një kapitull që është kompleks dhe i vështirë për t'u shpjeguar, por është themelore të mësoni nga e kaluara. Lufta I Botërore shkaktoi një numër të madh viktimash, fakt që sot duhet të na bëjë të reflektojmë mbi përdorimin e dhunës dhe të armëve. Arsyetimi se këto armë përdoren për vetëmbrojtje, ngre pikëpyetje të reja, siç e thashë edhe më parë. Edhe nëse një komb sovran ka të drejtë të mbrojë popullin e tij - me perspektivën se përdorimi i armëve mund të vrasë shumë më tepër njerëz dhe të shkatërrojë mjedisin - palët e përfshira duhet t’i kontrollojnë me kujdes veprimet e tyre. Nëse në përpjekjen për të mbrojtur, gjithçka humbet, çfarë do të mbetet për të mbrojtur? Nuk i dimë të gjitha pasojat, të gjitha dëmet që mund të shkaktohen dhe sa do të zgjasë. E nuk e dimë as numrin e viktimave civile, që mund të përfshihen. Zgjidhja më e mirë dhe më e arsyeshme do të ishte kalimi nga mendësia e terrorit, në mendësinë  e besimit.

Kjo mendësi shpresohet në Engjëllin e fundit nga Françesku. Sipas jush, si mund të zbatohej konkretisht thirrja e Papës?

Papa po e luan rolin e tij si ndërgjegje e njerëzimit në një mënyrë shumë të artikuluar dhe të fortë. Më duket se i vetmi zë i arsyeshëm, që po ngrihet në këto çaste për të trajtuar problemin e çarmatimit, të luftërave të vogla apo të mëdha, është ai i Papës Françesku, i cili po i bën një shërbim të madh familjes njerëzore. Duke nënvizuar pasojat e të gjitha vendimeve politike që zgjedhin rrugën e luftës, Papa përpiqet të parandalojë që të ndodhë diçka e tmerrshme, duke këmbëngulur vazhdimisht se është tejet e nevojshme që njerëzit të ulen rreth një tryeze dhe të bisedojnë, të përdorin strategjinë e diplomacisë apo të dialogut. Sot nuk shoh alternativë tjetër, veç nevojës për dialog. Të gjitha mjetet e tjera që u përdorën rezultuan joefektive, madje edhe më të rrezikshme se sa pritej. Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet të çuditemi, e as të mërzitemi, nëse Papa thekson vazhdimisht urgjencën e dialogut, në vend të dhunës.

Në vitin 2023, shpenzimet globale për armatim u rritën me 9%. Axhenda e OKB-së për çarmatimin ka lidhje të ngushtë ndërmjet investimeve në armë dhe luftërave. Luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme shkaktuan një zhvendosje të fortë në investime drejt sektorit të mbrojtjes. Shpenzimet globale të qeverisë për armë kanë arritur në 22 miliardë dollarë, që do të thotë 22% të PBB-së globale. Mbi 71 banka etike i kanë kërkuar sistemit financiar të ndryshojë rrugën dhe të sigurojë që investimet të kenë parasysh parimet e financimit etik. A mund të ndihmojë ky angazhim dhe ky koncept etik për të rishqyrtuar fitimin e përftuar nga shitja e armëve?

Mora pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Çarmatimin, ku shumë seanca iu kushtuan gjetjes së mënyrave të dobishme dhe praktike për të shmangur dëmtimin e kujtdo në botë. Por nuk funksionoi. Nuk ka vullnet politik për të shmangur humbjen e burimeve, parave apo kohës e as për të investuar në luftën kundër humbjes së jetës njerëzore. Nëse shikojmë përreth, shohim se ka shumë nevoja sociale: në veçanti, në shumë vende ka nevojë për shkolla, në mënyrë që arsimi t'u japë këtyre njerëzve mundësinë për të zhvilluar dhe për të përdorur talentin e tyre në shërbim të së mirës. Fatkeqësisht, ka shuma të mëdha parash, shumë teknologji dhe shumë jetë njerëzore që humbin, sepse kërkohet konfrontimi i dhunshëm dhe jo negociatat e arsyeshme. E ky është çmim shumë i lartë për t'u paguar. Më duket, edhe nëse nuk i di shifrat e sakta, se do të ishte mjaft e lehtë që buxheti i përdorur për armë dhe luftëra, të përdorej për të krijuar një fond ndërkombëtar që do të mund të përdorej për qëllime zhvillimi, për të ndihmuar vendet dhe madje popullatat e prapambetura, të cilave u mungon kujdesi shëndetësor, arsimi dhe teknologjia e që në vend të kësaj, mund të përfitojnë nga këto burime. Kjo mund t'i ndihmojë të pafavorizuarit të ngrihen përsëri në këmbë duke u dhënë atyre mundësinë për një mënyrë të denjë jetese. Mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të urisë dhe të përfaqësojë mbrojtjen nga pandemitë e mundshme dhe sëmundjet, që do të pasojnë prej tyre.

Kjo mundësi shpresohej në Lutjen e fundit të Engjëllit nga Françesku. Sipas jush, si mund të zbatohet konkretisht thirrja e Papës?

Papa po e luan rolin e tij si ndërgjegje e njerëzimit në një mënyrë shumë të artikuluar dhe të fortë. Më duket se zëri i vetëm i arsyeshëm, që po lartohet në këto çaste për problemin e një lufte të vogël apo më të madhe, është ai i Papës Françesku, i cili po i shërben familjes njerëzore. Duke vënë në dukje pasojat e të gjitha vendimeve politike, që zgjedhin udhën e luftës, Papa përpiqet ta parandalojë diçka të tmerrshme që mund të ndodhë, duke këmbëngulur vazhdimisht se sa e nevojshme është që të ecet në rrugën e diplomacisë ose dialogut. Sot nuk shoh alternativa ndaj nevojës për dialog. Të gjitha mjetet e tjera, që u përdorën, rezultuan joefektive, madje edhe më shumë se sa pritej. Ja pra pse nuk duhet të çuditemi, e as të lodhemi duke e dëgjuar Papën që përsërit thirrjen për urgjencën e dialogut, në vend të dhunës!

09 mars 2024, 12:29