Kërko

 Predikimi i Kreshmëve nga Kardinali Cantalamessa (ANSA) Predikimi i Kreshmëve nga Kardinali Cantalamessa (ANSA)  (ANSA)

Kardinali Cantalamessa: "Shpirti Shenjt i flet zemrës, jo veshëve

Në Predikimin e Kreshmëve, Kardinali nënvizon se "Jezusi është rruga e Shpirti Shenjt, udhërrëfyesi"

R. SH. - Vatikan

Jezusi, duke iu përgjigjur Tomës, thotë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta askush nuk shkon tek Ati, përveçse nëpërmjet meje”. Jezusi ishte i vetmi në univers që mund t’i shqiptonte dhe që i shqiptoi këto fjalë, sepse Krishti është rruga dhe caku i udhëtimit, si Fjala e amshuar, e është edhe e vërteta e jeta, si Fjala e mishëruar". Këtë theksoi sot paradite Kardinali Raniero Cantalamessa, Predikatar i Shtëpisë Papnore, gjatë predikimit të Kreshmëve, në praninë e Papës dhe Kuries Romake.

Ndjekja e Krishtit, ndryshe nga feja dhe dashuria - shpjegoi Kardinali – nuk tregon vetëm “qëndrimin e intelektit dhe të vullnetit, por skicon një program jete, tregon ndjekjen e rrugës së jetës, të fatit dhe të misionit të Zotit".

Të ndjekësh Krishtin, nuk është njëlloj si të ndjekësh dikë tjetër. “Ligji - vërejti kardinali, duke cituar Ungjillin e Gjonit – na u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta na erdhën nëpërmjet Krishtit. Për ne besimtarët kjo do të thotë se rregulli na u dha nëpërmjet themeluesit tonë, por hiri dhe forca për ta zbatuar na vjen vetëm nga Jezusi. Për ne dhe për të gjithë të krishterët, besimtarë ose jo, kjo fjalë do të thotë edhe diçka tjetër, diçka më rrënjësore. “Ungjillin na e dha Jezusi tokësor, por aftësia për ta zbatuar, për ta vënë në jetë, na vjen vetëm nga Jezusi i ngjallur, që vepron  në ne përmes Shpirtit Shenjt".

Jezusi na kujton se "Shpirti i së vërtetës do të na udhëheqë drejt së vërtetës së plotë, sepse ai nuk do të flasë nga vetvetja, por do të thotë gjithçka që e dëgjoi e do t'ju kumtojë gjërat, që do të vijnë. Prandaj, nëse Jezusi është rruga, Shpirti Shenjt është udhërrëfyesi.

Shpirti – tha Predikatari i Shtëpisë Papnore - është këshillues: “Shpirti Shenjt që ndriçon gjithçka, mbetet, si të thuash, në prapaskenë dhe flet me zë të ulët. Ndryshe nga nxitësit njerëzorë, Ai nuk i flet veshëve por zemrës. Nuk i sugjeron mekanikisht fjalët e Ungjillit si nga skena, por i shpjegon, i përshtat, i zbaton në situata. Po flasim për frymëzimet e Shpirtit, të ashtuquajturat frymëzime të mira. Besnikëria ndaj frymëzimit është rruga më e shkurtër dhe më e sigurt drejt shenjtërisë. Ne nuk e dimë që në fillim se cila është shenjtëria konkrete, që Zoti dëshiron nga secili prej nesh. Vetëm Zoti e di dhe na e zbulon ndërsa vazhdojmë shtegtimin në udhët e kësaj bote! Prandaj nuk mjafton të kesh një program shumë të qartë të përsosmërisë dhe pastaj ta zbatosh gradualisht, Zoti nuk ka një model të njëjtë përsosmërie për të gjithë, nuk bën shenjtorë në seri, nuk i pëlqen klonimi. Çdo shenjtor është një shpikje e paparë dhe e padëgjuar e Shpirtit Shenjt”.

22 mars 2024, 15:14