Kërko

Insegna Ospedale Bambino Gesù, Roma Insegna Ospedale Bambino Gesù, Roma

Spitali ‘Bambino Gesù’ te Papa për 100-vjetorin e dhurimit të spitalit Selisë së Shenjtë

Mbi 3 mijë punonjës të gjashtë selive të spitalit së bashku me pacientë dhe familjarë do të priten në audiencë më 16 mars në sallën Pali VI. Presidenti Onesti: "Ky takim i ri dëshmon edhe një herë afërsinë dhe dashurinë e Françeskut për spitalin "tonë" dhe na konfirmon mbështetjen në përkushtimin tonë të përditshëm"

R.SH. / Vatikan

E shtuna e ardhshme do të jetë një ditë feste për spitalin pediatrik ‘Bambino Gesù’ të Romës: mbi 3 mijë mjekë, infermierë, studiues, personel teknik dhe administrativ, vullnetarë, pacientë me familjet e tyre do të takohen me Papën Françesku, në sallën Pali VI, të shtunën më 16 mars. Rasti i audiencës është 100 vjetori i dhurimit të Spitalit Selisë së Shenjtë nga familja Salviati që e themeloi atë në vitin 1869. Nga ajo ditë, (20 shkurt 1924), spitali Pediatrik ‘Bambino Gesù’, i pari spital italian i dedikuar tërësisht fëmijëve, është bërë për të gjithë ''Spitali i Papës''.

Pikë referimi për familjet jo vetëm nga Roma e Lacio por nga Italia dhe bota, spitali Pediatrik ‘Bambino Gesù’, me 6 seli të ndryshme, ka 627 shtretër për pacientë dhe kryen çdo vit afërsisht 95.000 vizita në Dhomën e Urgjencës, 30.000 shtrime në spital, mbi 32.000 procedura kirurgjikale dhe mjekësore e 2.500.000 shërbime shëndetësore ambulatoriale.

Të shtunën e ardhshme në audiencë te Papa do të jenë mbi dyqind fëmijë me prindër, që kurohen në spitalin Pediatrik ‘Bambino Gesù’, të cilët do të jenë në rreshtat e parë në takim me Atin e Shenjtë, në sallën Pali VI, në Vatikan. Mes tyre edhe fëmijë të huaj të ardhur nga ''periferitë e botës'', ku nuk kishin mundësi kurimi ose ndihme, pasi mbi të gjitha vijnë nga skenarët e luftës që i kanë plagosur e privuar nga shtëpitë dhe nga të dashurit e tyre si: Ukraina dhe Gaza në radhë të parë.

Presidenti i spitalit ‘Bambino Gesù’ prof. Tiziano Onesti thotë se: "Ky takim i ri dëshmon edhe një herë afërsinë dhe dashurinë e Françeskut për spitalin "tonë" dhe na konfirmon mbështetjen në përkushtimin tonë të përditshëm".

14 mars 2024, 12:19