Kërko

Papa: Motra Caram ma dha rruzaren dhe Ungjillin e ushtarit të vdekur

Kush ia dha Papës rruzaren dhe Ungjillin e ushtarit të vdekur?

R.SH. / Vatikan

Në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Françesku - gjatë lutjes së tij për paqen - kujtoi se kishte marrë rruzaren dhe Ungjillin e një djali, që u vra në front. Ia solli, përpara audiencës në Sheshin e Shën Pjetrit, motra Lucia Caram, me origjinë argjentinase, që jeton në Barcelonë. Këtë e bëri të ditur vetë ajo, në Facebook.

“E pamë plot forcë, me shumë gëzim dhe me zemër mikpritëse që na preku”, shkruan murgesha, e cila u prit nga Françesku me grupin Religion Digital. “Pamë një Papë të qetë”- vijon motra Caram - e në vijim shtoi se ishte ajo që ia dorëzoi rruzaren dhe Ungjillin e  ushtarit të rënë duke luftuar në Ukrainë.

“I dhashë një dhuratë, që e emocionoi: Librin e Ungjijve dhe Psalmeve të një ushtari, që ra në ball të luftës. E edhe rruzaren që Oleksandre e kishte në dorë kur vdiq. Ishte rruzare e bekuar nga vetë Papa.  Ati i Shenjtë Françesku e puthi tejet i prekur.

Ai e do Ukrainën dhe e vuan martirizimin e këtij populli të pushtuar dhe të sulmuar mizorisht” - shkruan motra Caram. - "Më inkurajoi të vazhdoj. Më dhuroi shumë rruzare për t'i çuar në Ukrainë" - përfundoi e prekur thellë .

13 mars 2024, 15:21