Kërko

Venice Venice

Pavijoni i Vatikanit në Bienalen e Artit të Venecias kërkon t’i 'sjellë sytë nga realiteti'

Pavijoni i Selisë së Shenjtë në Bienalen e 60-të të Artit të Venecias, që do të mirëpresë Papën Françesku, kërkon “t’i sjellë sytë drejt realitetit”, duke theksuar se të burgosurit angazhohen për të ndihmuar në shndërrimin e jetës së tyre dhe për të ndjekur vlerat universale, përmes artit

R.SH. / Vatikan

Pavijoni i Selisë së Shenjtë në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit –Bienalen e Venecias - që do të vendoset në Burgun e Grave Giudecca - do të shprehë aftësinë e të burgosurve për ta mirëpritur artin, parë si mjet që e shndërron jetën e tyre. Ky ishte mesazhi që u përcoll në konferencën për shtyp, mbajtur të hënën, 11 mars, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë lidhur me Pavijonin, i cili do të organizohet në qytetin verior italian nga data 20 prill deri më 24 nëntor 2024.

Projekti është i pashoq për Bienalen e Venecias, falë instalimit të tij fizik dhe konceptual brenda Burgut të Grave Giudecca, i cili do ta mirëpresë. Në bisedën për shtyp morën pjesë kardinali José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin; Giovanni Russo, shef i Departamentit të Administratës së Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë së Republikës Italiane; Dr. Chiara Parisi, kuratore e Pavijonit të Selisë së Shenjtë; Dr. Bruno Racine, kurator i Pavijonit të Selisë së Shenjtë; dhe Dr. Paolo Maria Vittorio Grandi, Drejtor i Bankës Intesa Sanpaolo.

'Me sytë e mi'

I titulluar "Me sytë e mi", pavijoni që i kushtohet temës së të drejtave të njeriut dhe njerëzve që jetojnë në skutat e shoqërisë, synon të tërheqë vëmendjen e botës drejt atyre, që harrohen nga të gjithë, duke nxitur kryesisht kulturën e takimit. Pavijoni e fton shikuesin t’i marrë fjalë për fjalë pohimet e Papës Françesku, që i fton të gjithë t'i shohin të tjerët drejtpërdrejt në sy, duke parë përtej gjendjes së tyre shoqërore, për të njohur ndër ta njeriun!

“Kultura bashkëkohore preferon ta metaforizojë shikimin” - tha kardinali Mendonça - “Por pamja e realitetit me sytë tanë i jep vizionit një status unik, pasi na përfshin drejtpërdrejt në realitet dhe na bën jo spektatorë, por dëshmitarë”.

Bienalja e Artit 2024 e Venecias, që titullohet “Të huaj kudo”, do të jetë e hapur nga 20 prilli deri më 24 nëntor.

Vizita e Papës Françesku në pavijon, në prill 

Papa Françesku do të bëjë një vizitë baritore njëditore në Venecia e do të ndalohet edhe në Ekspozitë. Është kështu, Papa i parë në histori që merr pjesë në Bienalen e Venecias. Do të ndalet një çast për të vlerësuar Pavijonin e ekspozitës në Burg dhe do të kalojë pak kohë me anëtarët e bashkësisë së kishës në Venecia. Orari i plotë i vizitës së Papës, u tha gazetarëve të pranishëm kardinali José Tolentino de Mendonça, do të publikohet në të ardhmen e afërt.

11 mars 2024, 17:02