Kërko

 Monsignor Antonio Staglianò Monsignor Antonio Staglianò

Imzot Staglianò: "Reforma e Papës çon në zemër të misionit të Akademisë së Teologjisë"

Kryetari i organizmit shpjegon se si po ndryshon Akademia Papnore e krijuar në fillim të shekullit të 18-të: “Me 'Motu proprio-n' e fundit të Françeskut, po merr tiparet e një poliedri. Qëllimi ynë është ta vëmë teologjinë në shërbim të ungjillëzimit”. Me modifikimin e statuteve parashikohet edhe krijimi i Këshillit të Studimeve të Larta

R.SH. - Vatikan

Pesë muaj pas reformës së dëshiruar nga Papa, Akademia Papnore e Teologjisë (PATH) po hyn gjithnjë e më shumë në zemrën e revolucionit të saj. Ishte 1 nëntori i vitit të kaluar kur Papa, me Motu proprio Ad theologiam promovendam, miratoi statutet e reja dhe përshkroi për organizmin e Kuries Romake - themeluar në fillim të shekullit të 18-të nga Klementi XI - horizonte të reja entuziazmuese. Para së gjithash, nxiti reflektimin teologjik drejt ndryshimit të paradigmës: "Një revolucion kulturor i guximshëm, që e detyron të jetë teologji kryesisht kontekstuale, e aftë për të lexuar dhe për të interpretuar Ungjillin në kushtet në të cilat jetojnë burrat dhe gratë", shkruante Papa. Duke nisur që këtu, shpjegonte më tej Françesku, "teologjia mund të zhvillohet vetëm në një kulturë dialogu dhe takimi ndërmjet traditave dhe njohurive të ndryshme, ndërmjet feve të ndryshme të krishtera dhe besimeve të ndryshme, duke u ballafaquar hapur me të gjithë, besimtarë dhe jobesimtarë".

Në zemër të misionit

Në thelb, përfaqëson atë "teologji urtie", nga e cila frymëzohet gjithnjë Imzot Antonio Staglianò, Kreu i PATH, sipas të cilit "Motu proprio e Papës po na çon në zemër të misionit tonë, duke na krijuar mundësinë ta ndryshojmë strukturën e akademisë, me 'synimin parësor të vënies së teologjisë në shërbim të ungjillizimit'. Përpunim i mendimit teologjik i cili - sqaron ipeshkvi - “nuk i braktis institucionet akademike, por ka aftësinë të arrijë në periferitë ekzistenciale, siç janë famullitë, për shembull”. Dëgjoni intervistën me Imzot Antonio Staglianò

Tri fytyra, për një shumëkëndësh

Akademia e re Papnore po merr gjithnjë e më shumë pamjen e një poliedri ku dominojnë tri karakteristika themelore: fytyra shkencore, fytyra diturore dhe fytyra solidare. “E gjithë kjo - shpjegon Imzot Staglianò - nuk ndikon mbi unitetin e akademisë, e cila krijon më shumë nuanca, më shumë aspekte. Është figura, që i pëlqen shumë Papës Françesku”.

Fytyra akademike

PATH shkencore, është fytyra e akademisë, ashtu siç ka qenë gjithmonë. Por - pohon presidenti - “do të pasurohet me praninë e akademikëve, shumë prej tyre të rinj, të cilët do të shtohen, duke arritur në 55 vetë. Për më tepër, do të ndërkombëtarizohet më shumë me praninë e specialistëve të thirrur nga çdo skaj i botës". Risi të tjera do të jenë përfshirja e femrave teologe dhe përdorimi i njerëzve kompetentë, që u përkasin besimeve të tjera fetare. Por ka diçka edhe më interesante, shton imzot Staglianò: “Është krijimi, i parashikuar nga statutet e reja, i Këshillit të Studimeve të Larta. Në këtë Këshill, përmes figurave të quajtura 'Bashkëbisedues referues', do të mund të përfshijmë njerëz me aftësi që nuk janë drejtpërdrejt teologjike, por vijnë nga njohuri të tjera shkencore. Ata mbi të gjitha do të jenë besimtarë laikë, me të cilët do të punojmë që teologjia të hyjë në sinergji brenda një procesi ndërdisiplinor”.

Fytyra ditunore e ajo solidare

Fytyra ditunore dhe ajo solidare, janë fytyrat e reja që dalin drejtpërdrejt nga Ad theologiam promovendam. “Mbasi - argumenton Staglianò - Françesku pohon se teologjia e ardhshme duhet të mishërohet më shumë në jetën e njerëzve. Ati i Shenjtë flet për një teologji që duhet të njohë korpin, për të sqaruar se teologjia nuk ka të bëjë vetëm me mendimin abstrakt, por duhet të hedhë dritë mbi të gjitha problemet e errëta të jetës njerëzore". Prandaj, do të planifikohen Çenakuj Teologjikë, ku do të thellohet njohja e Fjalës së Zotit dhe jeta e qenieve njerëzore. "Do të zhvillohen - përfundon presidenti - jo vetëm ndër famulli, por edhe në vendet e vuajtjeve të thella, si burgjet. Në fund të fundit, bamirësi teologale do të thotë të thithësh shpirt e zemër në një aventurë dashurie, që e përfshin tjetrin, më të dhimbshmin, më të mënjanuarin nga radhët e shoqërisë”.

04 prill 2024, 09:56