Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher me një delegacion nga Vietnami Imzot Paul Richard Gallagher me një delegacion nga Vietnami

Kryeipeshkvi Gallagher viziton Vietnamin

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet u nis sot për në vendin aziatik, ku do të qëndrojë deri më 14 prill. Ka takime me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, pastaj, audienca të tjera institucionale dhe kremtimin e dy meshëve në Hanoi dhe Hue

R.SH. – Vatikan

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, u nis për në Vietnam sot, 9 prill. Ai do të qëndrojë në vendin aziatik deri të dielën, 14 prill. Sipas programit të publikuar në rrjetet shoqërore nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, kryeipeshkvi do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Bui Thanh Son dhe me kryeministrin, Pham Minh Chính. Janë planifikuar takime institucionale edhe në Ministrinë e Brendshme dhe një kremtim eukaristik në katedralen e Shën Jozefit, në kryeqytetin Hanoi. Gjithashtu, imzot Gallagher do të vizitojë provincën kishtare të Hue, ku do të takohet me studentët e Seminarit të Madh dhe do të kryesojë meshën në katedralen "Phu Cam" të qytetit.

Arsyet e udhëtimit

Vetë prelati foli për udhëtimin e tij në Vietnam më 18 janar, me rastin e audiencës së Papës Françesku me një delegacion përfaqësues të Partisë Komuniste të Vietnamit në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet e vuri në dukje shpresën që bashkësia katolike të përfitojë nga ky hap i mëtejshëm në marrëdhëniet dypalëshe, i cili u shtohet rezultateve të tjera diplomatike. Para së gjithash, marrëveshja në dhjetor për emërimin e një përfaqësuesi papnor rezident në Vietnam, që është nunci apostolik në Singapor, polaku imzot Marek Zalewski. Tani, vizita e imzot Gallagher e, madje, mundësia e një udhëtimi në Vietnam të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin. Prelati nënvizoi edhe optimizmin e tij për mundësinë e një vizite të Papës Françesku në të ardhmen.

Letra e Papës për Kishën Vietnameze

Marrëdhëniet ndërmjet Vietnamit dhe Selisë së Shenjtë u ndërprenë në vitin 1975, por filluan të kenë zhvillime inkurajuese që nga viti 1990. Në vitin 2011, Papa Benedikti XVI emëroi një përfaqësues papnor jorezident. E që nga viti 2023, Vietnami ka një nunc rezident. Më pas, Papa Françesku i dërgoi një letër Kishës së kombit aziatik shtatorin e kaluar, në të cilën i ftoi besimtarët katolikë të jetonin si "të krishterë dhe qytetarë të mirë", duke dëshmuar dashurinë e Zotit "pa dallim feje, race dhe kulture". Një dëshmi, e cila, falë zhvillimit të “kushteve të favorshme për ushtrimin e lirisë fetare”, mund t’i ndihmojë besimtarët katolikë të “promovojnë dialogun dhe të sjellin shpresë për vendin”.

09 prill 2024, 13:13