Kërko

Sant'Ignazio di Antiochia, sec. XVII Sant'Ignazio di Antiochia, sec. XVII

Romë: udha e Shën Injacit të Antiokisë: fe, histori, arkeologji

R.SH. / Vatikan

Rruga Urbane romake e Shën Injacit të Antiokisë është "mundësi e çmuar për studim kolektiv kulturor dhe fetar, që na ndihmon të bëhemi ajo Kishë në dalje, e dëshiruar aq shumë nga Papa Françesku". Kjo nisma, sipas organizatorëve: famullisë romake me emrin e ipeshkvit lindur në Siri dhe vdekur martir në Romë, nën perandorin Trajan, në bashkëpunim me institucione të tjera si Parku Arkeologjik i Appia Antica, Parku Arkeologjik i Colosseum, FederTrek Escursionismo e Ambiente, Associazione Antica Via Latina, Retake Roma, dhe kontributi i Bashkisë VII të Kryeqytetit, së cilës këtë vit iu shtua edhe patronazhi i Senatit të Republikës, Dioqezës së Romës dhe Klubit Turistik Italiano - Klubi i Territorit të Romës.

Nisma, në edicionin e saj të tretë, do të mbahet sot, 6 prill.

Pamje e ipeshkvit martir Shën Igncit të Antiokisë
Pamje e ipeshkvit martir Shën Igncit të Antiokisë

Fe, histori dhe arkeologji për një kishë, që ungjillëzon

Njoftimi për shtyp që paraqet projektin, kujton fjalët e Imzot Rino Fisichell-ës, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin, sipas të cilit "një nga tiparet e veçanta të krishterimit është koncepti i përjetësimit në histori"   E feja, historia dhe arkeologjia shkrihen përsosurisht në Udhën e kthimit pas në kohë, kthim gjatë të cilit rizbulohet njëri prej Etërve të Kishës, Ati Apostolik i nderuar si shenjtor nga kishat katolike dhe ortodokse, ashtu siç shkrihen në të njëjtën famulli romake, përballë hyrjes së Villa dei Quintili në rrugën Appia, një pikë strategjike nisjeje/mbërritjeje për shtegtarët që përshkojnë Regina Viarum, ku nisin e rijetojnë historinë e romakëve dhe martirëve të krishterë. Shtegtimi arrin kulmin me nderimin e relikes së shenjtë - një pjesë e dukshme e kokës - e ipeshkvit martir, që ruhet në kishë.

Kush është Shën Injaci i Antiokisë?

Është ipeshkvi i tretë i Kishës së Antiokisë, pas Pjetrit, që ishte i pari. Për rreth dyzet vjet e qeverisi bashkësinë me shumë aftësi dhe bujari. Gjatë udhëtimit për në Romë për t'u copëtuar nga egërsirat në cirk, diktoi (ngaqë duart i kish të lidhura me zinxhirë) shtatë letra drejtuar kishave të ndryshme. Këto letra kanë aq thellësi shpirtërore sa mund të krahasohen me ato të Shën Palit. Ai është i pari në letërsinë e krishterë që e quan Kishën "katolike", domethënë, universale. Përmendet si djali që Jezusi e vuri mes dishepujve, duke u thënë atyre: "Nëse nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijë, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve" (Mt 18:3).  Perandori Trajan, i mahnitur nga guximi dhe heroizmi i Injacit në përballimin e vdekjes, vendosi t’i zbusë persekutimet kundër të krishterëve, që kishin në gjirin e tyre martirë të këtillë, të cilët arrijë deri atje, sa ta dëshirojnë martirizimin, për t'i dëshmuar Zotit dashurinë e tyre të pamasë. Njerëz, që e vlerësojnë vdekjen si hir i madh, sepse i ndihmon të takojnë më në fund Atin, që e donin aq shumë. Në prag të vdekjes, ai shqipton fjalë që zënë vend nderi në historinë e njerëzimit:

“Lermëni të bëhem ushqim për egërsirat, sepse kështu do të mund të arrij Zotin. Jam gruri i Perëndisë që do të bluhet nga dhëmbët e bishave të egra për t'u bërë bukë e pastër e Krishtit. Nëse vuaj si martir, do të thotë se më ka dashur. Nëse lirohem, kjo do të jetë shenjë se më ka urryer”.

Fasada e famullisë së Shën Injacit di Antiochia në Romë
Fasada e famullisë së Shën Injacit di Antiochia në Romë

Skenat e Udhës Urbane nisin nga famullia e Shën Injacit të Antiokisë dhe vazhdojnë përgjatë etapave të ndryshme, deri në Harkun e Kostandinit, në Shehsin e Koloseut, me shoqërimin e udhërrëfyesve që e njohin thellësisht çdo pëllëmbë udhe, ku shkeli Martiri, në prag të një fundi aq të dhimhsëm, sa edhe të lavdishëm historiko-fetar dhe arkeologjik. Edicioni i sivjetshëm po shfrytëzon edhe rrëfimin e Ipeshkvit martir, falë pranisë së shoqërisë artistike “Raccontamiunastoria”.

Rrugës ka ndalesa në Santa Maria Nova; Capo di Bove; Cecilia Metella; Bazilika e Shën Sebastianit jashtë Mureve; Katakombet e Shën Kalistit; Kisha "Domine, Quo Vadis?" - "Santa Maria në Palmis"; Porta San Sebastiano; Parku Scipioni; Kisha San Giovanni në Oleo; Porta Latina; Porta Metronia; Bazilika Santo Stefano Rotondo al Celio; Bazilika San Clemente.

Një nismë në rritje

Njoftimi informon se në edicionin e parë të Shëtitjes Urbane të Shën Injacit të Antiokisë, më 2 prill 2022, "megjithë kushtet e tmerrshme të motit, morën pjesë rreth 100 shtagtarë. Në edicionin e dytë, zhvilluar më 1 prill 2023, në fillim ishin 220 persona”. Nismë në rritje, pra, e për t’u krenuar: në tetor 2021 u paraqit në Paestum me rastin e Shkëmbimit të Turizmit Arkeologjik Mesdhetar, ndërsa tashmë radhitet në kolanën e udhërrëfyesve, botuar nga "La Repubblica" në vëllimin "Lazio Cammini e Sentieri". Së fundi, Il Cammino do të jetë i pranishëm në konferencën  titulluar "L'Italia dei Cammini" që do të zhvillohet më 19 qershor 2024 në sallën Zuccari të Pallatit Justiniani, në Romë.

06 prill 2024, 13:44