Kërko

Missili nucleari Missili nucleari

Selia e Shenjtë në OKB: jo logjikës iluzore të parandalimit bërthamor

Fjalimi i kryeipeshkvit imzot Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara, në Komisionin e OKB-së për Çarmatimin, gjatë sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme që po zhvillohet në Nju Jork: "Armët krijojnë mosbesim dhe devijojnë burimet"

R.SH. / Vatikan

"Parandalimi është një iluzion". Sepse, «në vend të parandalimit të konflikteve, grumbullimi i armëve inkurajon përdorimin dhe rrit prodhimin e tyre. Armët krijojnë mosbesim dhe devijojnë burimet”. Këtë theksoi, duke cituar Papën Françesku, Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, gjatë fjalimit mbajtur në Komisionin e OKB-së për Çarmatimin gjatë seancës së 78-të të Asamblesë së Përgjithshme, që po zhvillohet në Nju Jork.

Sot - nënvizoi kryeipeshkvi Caccia - “efektet negative të përhapjes, grumbullimit dhe përdorimit të armëve e bëjnë detyrë morale çarmatimin”, për të “kaluar nga ekuilibri i frikës, në atë të besimit”. Në vend të kësaj, ndodh që "logjika iluzore e parandalimit" "shpesh përdoret për të justifikuar të pajustifikueshmen", domethënë "prodhimin e vazhdueshëm të armëve bërthamore, përdorimi i të cilave do të kishte pasoja humanitare dhe ambientale katastrofike".

Së fundi, duke përsëritur ftesën drejtuar të gjitha shteteve për të nënshkruar Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore, prelati shtoi se "çdo kuadër global që rregullon zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive në vijim, duhet të bazohet në dinjitetin e brendshëm të çdo qeniejeje njerëzore dhe në vëllazërinë, që na lidh”. Në këtë  këndvështrim duhet parë propozimi i Selisë së Shenjtë për të krijuar "një agjenci ndërkombëtare për inteligjencën artificiale", që mund të ketë shumë ndërlikime për qeverisjen e teknologjisë bërthamore. Më pas, duke folur në seancën e Asamblesë së Përgjithshme kushtuar krimeve kundër njerëzimit, vëzhguesi i përhershëm theksoi se në konventën e re për këto krime, duhet të merret parasysh "koncepti i seksit biologjik" për përcaktimin e gjinisë - që është hequr në draftin aktual në studim - duke u zëvendësuar me atë që tashmë përfshihet në nenin 7 të Statutit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Sot, në fakt, asnjë burim i cituar nga Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare (ILC) "në mbështetje të zhvillimit të pretenduar të konceptit të gjinisë, nuk përmbahet në mjetet globale detyruese". Për më tepër, "pa një kuptim të qartë dhe të përbashkët të termit gjini në lidhje me seksin biologjik, shtetet rrezikojnë të kompromentojnë përpjekjet për të parandaluar dhe për të ndjekur penalisht krimet kundër njerëzimit, që prekin në mënyrë të shproporcionuar gratë, në krahasim me burrat", si përdhunimi, skllavëria dhe prostitucioni i detyruar.

(nga Osservatore Romano)

03 prill 2024, 16:40