Udhëtimi dhe shpresa në ekspozitën e Adrian Pacit për Selinë e Shenjtë
R.SH. – Vatikan
Ekspozita personale “Askush nuk është ishull” (No Man is an Island) e artistit shqiptar Adrian Paci është një shtegtim në materie, drita, tinguj, një hyrje fizike e simbolike në përvojën e udhëtimit, të migrimit. Flatra të rënda peshojnë mbi shpinën e burrit të punuar nga skulptori. Kjo figurë mashkullore krejtësisht e bardhë, vepër e vitit 2001 me titull “Home to Go”, është model i trupit të artistit, që, i përkulur, mban çatinë e një shtëpie mbi shpinë, lidhur me litar. Vepra e Pacit është kulmi i projektit, për të cilin është kujdesur Cristiana Perrella për Dikasterin vatikanas të Kulturës dhe Edukimit, në hapësirën “Conciliazione 5”, rreth temës së migrimit dhe mikpritjes. Skulptura mund të shihet deri më 21 shtator në të ashtuquajturën “window gallery” të rrugës, që të çon në Shën Pjetër. “Home to Go bashkon nga njëra anë shtëpinë - shpjegon Paci - si një realitet të fiksuar, ku ndihesh i mbrojtur, i mirëpritur dhe, nga ana tjetër, lëvizjen, “shkuarjen”, “endjen””.
Çatia e një shtëpie si flatra
Flatrat e pazakonta, prej druri dhe tjegullash, evokojnë idenë e njerëzimit pezull ndërmjet pasigurisë dhe transhendencës, duke vënë në qendër njeriun si udhëtar, idenë e udhëtimit të detyrueshëm dhe dramatik të atyre, që u duhet të largohen nga atdheu. "Më shumë se temë", shpjegon Paci, "migrimi është përvojë e përbërë nga histori, trupa, fytyra, emocione, vuajtje, shpresa shumë konkrete dhe të veçanta. Gjithmonë, jam përpjekur t'i afrohem nga brenda dhe i kam kushtuar vëmendje elementeve, që të jep dhe që mund të bëhen gjuhë". Vepra e artistit i referohet edhe ikonografisë së krishterë të Mundimeve të Krishtit, element i përsëritur në poetikën e Pacit, si në veprat “Kapela Pasolini” e vitit 2005, ose në “Via Crucis” të vitit 2011. Duke qenë në udhën, që çon shtegtarët në Shën Pjetër e në Portën Shenjte, vepra dialogon me shenjtërinë e vendeve dhe me artin e së kaluarës, bagazh i formimit të skulptorit.
Kambana bie mbi valë
Ekspozita përfundon përtej perimetrit të Qytetit të Vatikanit, me video-instalacionin “Kambana bie mbi valë” (The bell tolls upon the waves), e vitit 2024, vendosur në Korsinë Sikstine të kompleksit monumental Santo Spirito in Sassia. E ekspozuar për herë të parë në Itali, vepra e merr frymëzimin nga një episod i vërtetë i shekullit XVI: në vitin 1566 në Termoli, gjatë një sulmi turk, plaçkitësit u përpoqën të vidhnin Kambanën e Shën Katerinës, që përdorej për të paralajmëruar marinarët në rast rreziku. Përpjekje e kotë, sepse gjatë transportit kambana përfundoi në det, duke fundosur edhe anijen ku e kishin vënë.
Duke kujtuar këtë histori, Paci projektoi një platformë lundruese me një kambanë në detin përpara Termolit, sikur ajo historike të kishte dalë përsëri mbi ujë; artisti e dokumentoi gjithçka me një video, në të cilën kambana bie sa herë që valët janë paksa më të larta se sipërfaqja e detit. Simbolizon idenë e migrimit, që shpeshherë ka përfunduar në tragjedi në Mesdhe, duke kujtuar se për kë bie kjo kambanë.
Fuqia transformuese e artit
Ekspozimi një vepre tashmë të famshme - ndër të parat që e bënë artistin të njohur në fillim të karrierës së tij - dhe e një tjetre të re nxjerr në pah koherencën me të cilën Adrian Paci ka reflektuar gjithmonë mbi këto tema, duke ofruar një rrëfim, që ndërthur kujtesën personale, përshpirtërinë dhe vëmendjen ndaj çështjeve të mëdha të kohës sonë. Ekspozita i përgjigjet dëshirës së prefektit të Dikasterit për Kulturën, kardinalit José Tolentino de Mendonça, i cili dëshiron ta bëjë hapësirën “Conciliazione 5” vend përshpirtërie e mendimi kritik, ku shihet fuqia transformuese e artit. Ajo vjen pas ekspozitës së artistit Yan Pei-Ming, me temë burgun dhe është pjesë e projektit të konceptuar nga Dikasteri me rastin e Jubileut 2025. Dy etapat e ardhshme do të përqendrohen tek ambienti dhe varfëria.