Selia e Shenjtë dhe Italia, marrëveshje për një central të energjisë së rinovueshme
R.SH. – Vatikan
Duke bërë hapa impenjimi të përbashkët për të promovuar përgjegjësinë ekologjike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, Selia e Shenjtë dhe Republika e Italisë nënshkruan sot, 31 korrik, një marrëveshje për ndërtimin e një centrali agrovoltaik në Santa Maria di Galeria, zonë që i përket Selisë së Shenjtë dhe ndodhet pranë Romës.
Marrëveshja u nënshkrua në ambasadën italiane në Selinë e Shenjtë. Në emër të Vatikanit, nënshkroi kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, ndërsa ambasadori Francesco Di Nitto përfaqësoi Republikën Italiane.
Marrëveshja, e përbërë nga pesë nene, do të hyjë në fuqi pas shkëmbimit të notifikimeve diplomatike, që konfirmojnë përfundimin e procedurave të brendshme nga të dyja palët. Nisma është shprehje e prekshme e marrëdhënieve të konsoliduara dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë. Ajo pasqyron angazhimin e përbashkët në favor të zbatimit të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe Marrëveshjes së Parisit, në përputhje me thirrjen e Papës Françesku për një "ekologji të gjithanshme" dhe kujdes për shtëpinë tonë të përbashkët, siç nënvizohet në enciklikën e tij “Laudato si'”.
Centrali agrovoltaik
Centrali agrovoltaik, që do të ndërtohet në territorin e Selisë së Shenjtë në Santa Maria di Galeria, synon t'i sigurojë Shtet-Qytetit të Vatikanit energji elektrike të rinovueshme, duke ruajtur përdorimin bujqësor të tokës. Projekti është hartuar me kujdes për të respektuar peizazhin natyror, për të minimizuar ndikimin mjedisor, për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe arkeologjike dhe për të ruajtur ekuilibrin hidrogjeologjik të zonës. Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, pikërisht për këtë projekt, Papa Leoni XIV shkoi për një vizitë në qendrën, ku ndodhen edhe antenat e Radio Vatikanit.