Kërko

2025.08.01 Giubileo dei Giovani - Confessioni al Circo Massimo

Jubileu: 200 rrëfyestore për të rinjtë, ditën e rrëfimit, në Circo Massimo

Sot, nga ora 10:30 deri në orën 18:00, arena e lashtë u shndërrua në rrëfyestore, në ajër të hapur. Është për të rinjtë që erdhën në Romë për kremtimin e Vitit Shenjt e që dëshirojnë të marrin Sakramentin e Pajtimit. Për këtë rast, Fondacioni Youcat po shpërndan 10.000 kopje të një teksti mbi këtë temë

R.SH. - Vatikan

Për qindra mijëra shtegtarë të rinj, që erdhën në Romë, në Jubileun e tyre, sot, e premte, 1 gusht, është ditë kushtuar tërësisht Sakramentit të Pajtimit, përpara se të takohen me Papën Leoni XIV të shtunën e të dielën e ardhshme, në sheshin Tor Vergata. Nga ora 10:30 e deri në orën 18:00, 200 rrëfyestore do të jenë të tyret, me rreth një mijë priftërinj të gatshëm t'i dëgjojnë.

  (@Vatican Media)

Vende rrëfimi, në gjuhë të ndryshme

Shtegtarët, që flasin italisht, spanjisht, anglisht, frëngjisht, portugalisht dhe polonisht, do të gjejnë rrëfyestore në gjuhën e tyre gjatë gjithë ditës. Shtegtarët që flasin gjermanisht, hungarisht, sllovakisht, koreanisht dhe kinezisht, do të kenë rrëfyestore në orare të caktuara.

  (@Vatican Media)

Youcat shpërndan librin kushtuar rrëfimit

Gjatë "Ditës Pendestare", njëzet vullnetarë nga Fondacioni “Katekizimi i Kishës Katolike për të Rinjtë”, po shpërndajnë 10,000 kopje të librit Youcat kushtuar rrëfimit. Edicioni i posaçëm, i botuar për Jubileun e Rinisë, është në katër gjuhë: italisht, anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Libri, i botuar për herë të parë në vitin 2014 dhe i ribotuar për këtë rast, synon t'u krijojë të rinjve mundësinë për t’u rrëfyer më lehtësisht. Edicioni i ri përmban shqyrtimin e ndërgjegjes, shpjegime për kuptimin e rrëfimit dhe disa lutje të nevojshme.

01 gusht 2025, 09:54