Kërko

Virgjëra Mari Virgjëra Mari

Papa i shkruan një nëne: mbështetu në Marinë Virgjër për të përballuar çdo pasiguri

Në numrin e fundit të revistës “Piazza San Pietro”, përgjigjja e Leonit XIV ndaj letrës së Laurës, e cila bashkëndau në faqet e revistës disa tundime të ndeshura në fe. Të kesh Virgjrën Mari si pikë referimi të palëkundur, këshillon Papa, i cili fton t’i “thërrasim me emër” vështirësitë. “Të bashkëndash projekte dashurie të krishterë është thelbësore për të përparuar shpirtërisht dhe për të bashkëpunuar me hirin dhe vullnetin e Zotit”

R.SH. / Vatikan

Është botuar, në numrin e ri të revistës “Piazza San Pietro”, përgjigjja e Papa Leonit XIV ndaj një letre që i ishte dërguar përmes revistës mujore të bazilikës së Shën Pjetrit nga një grua e nënë, Laura, e cila deshi të bashkëndante gëzimet dhe vështirësitë e besimit të saj.

Me Marinë, Nënën e Jezusit, përballohet çdo pasiguri

Përballë pyetjeve të kësaj bashkëshorteje dhe nëne se si të përballojë vështirësitë, Papa nxit t’i thërrasë ato me emër dhe të bashkëndajë përvojën e saj. Laura pyet veten dhe i kërkon Papës këshillë.

«Kam një burrë që më do shumë… dhe jam nënë e tre vajzave të mrekullueshme që përpiqem t’i ushqej me lutje dhe fjalën e Ungjillit çdo ditë. […] Po kaloj një moment ku feja ime është më e fortë se kurrë… por ndoshta, pikërisht për këtë, ndjej fort tundimet që po marrin epërsi. A do të thotë kjo se besimi im nuk është aq i fortë?».

 Papa Leoni XIV në përgjigjen e tij thekson se «entuziazmi Juaj i fesë dhe e vërteta e zemrës Suaj janë një bekim për Ju dhe familjen Tuaj. […] Nëse pika Juaj e referimit është Maria, Nëna e Jezusit, do të arrini të përballoni çdo pasiguri. […] Bashkëndarja e projekteve të dashurisë së krishterë është thelbësore për të përparuar shpirtërisht dhe për të bashkëpunuar me hirin dhe vullnetin e Zotit». Këto janë disa pasazhe nga letra që shkruan Papa, botuar më 18 gusht nga redaksia e revistës “Piazza San Pietro”.

Dialogu, pushimi, paqja, uniteti: temat e numrit të gushtit

Revista mujore “Piazza San Pietro” i kushton, gjithashtu, një speciale edhe Takimit të Vëllazërisë, që është në program në Romë më 12 dhe 13 shtator, rast takimi, afërsie dhe bashkëndarjeje përmes dialogut; dhe një thellim mbi fijen e kuqe të paqes në historinë e dymbëdhjetë Papëve, nga Leoni XIII te Leoni XIV, dhe mbi lidhjen e thellë me vëllazërinë.

Në editorialin me titull “Pushimi, vëllazëria dhe paqja”, At Enzo Fortunato tregon kuptimin e kohës së pushimit veror. Simboli i edicionit të fundit të “Piazza San Pietro” kujton komunitetin e parë të mbledhur rreth Jezusit, i cili bëhet kështu imazh i një Kishe të thirrur të ndërtojë ura dhe jo mure.

19 gusht 2025, 10:59