Papa, sot transferohet me Castel Gandolfo
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV këtë pasdite do të transferohet, për një periudhë pushimi, në Castel Gandolfo, në rezidencën verore të Vatikanit në Castelli Romani. Nisja, sipas disa burimeve, pritet të ndodhë rreth orës 16:30, drejt Pallatit Apostolik në Castel Gandolfo ku do të qëndrojë deri më 19 gusht. Të dielën e ardhshme, më 17 gusht, është parashikuar kremtimi i Meshës nga Papa në Shenjtëroren e Zojës Mari ‘Santa Maria della Rotonda’ në Albano, me të varfrit e ndihmuar nga Caritas dioqezan dhe me operatorët e të njëjtit Caritas.
Gjithnjë të dielën, më 17 gusht, Papa, pas recitimit të lutjes së Engjëllit të Zotit në mesditë në Piazza della Libertà në Castel Gandolfo, do të drekojë me të varfrit dhe personat që ndihmohen nga Caritasi i Albanos në Borgo Laudato si'. Në drekën, e organizuar nga dioqeza e Albanos në bashkëpunim me Dikasterin e Selisë së Shenjtë për Shërbimin e Zhvillimit Njerëzor (që drejton projektin “Borgo Laudato si'” të Castel Gandolfo), do të marrin pjesë së bashku me Papën dhe ipeshkvin e Albanos Imzot Vincenzo Viva, rreth 100 persona, mes të cilëve të varfrit që janë të strehuar në shtëpitë familjare dhe shtëpitë e pritjes në territorin dioqezan të Albanos. Janë të varfrit e strehuar në strukturat dioqezane dhe që ndihmohen nga Caritasi vendor, së bashku me drejtorin Alessio Rossi dhe disa vullnetarë, informon dioqeza e Albanos. Është hera e parë që Leoni XIV do të takojë një grup të varfrish gjatë papnisë të tij dhe "jemi shumë të lumtur që fillon me dioqezën tonë", tha Imzot Viva.