Popujt indigjenë, Selia e Shenjtë: gratë protagoniste aktive në projektet e zhvillimit
R. SH. / VAtikan
Gratë indigjene nuk duhet të shihen si përfituese pasive të politikave të jashtme, por si protagoniste aktive në ndërtimin e së ardhmes, në kuadrin e promovimit të kulturave autoktone, me rrugë shpirtërore të përshtatshme dhe me një vëmendje ndaj zakoneve dhe gjuhëve të popujve. Këtë e kërkon Selia e Shenjtë përmes Vëzhguesit të saj të Përhershëm pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (OSA), imzot Juan Antonio Cruz Serrano, i cili foli dje në Uashington në Sesionin Special të Këshillit të Përhershëm me rastin e Përkujtimit të Ditës Ndërkombëtare të Popujve Indigjenë dhe të Javës së Tetë Ndëramerikane të Popujve Indigjenë me temën "Nga Zëri i Grave Indigjene: Dukshmëria, Lidershipi, të Drejtat dhe Autonomia Ekonomike".
Kontributi i madh i grave në Amazonë
Diplomati i Vatikanit siguroi afërsinë e Selisë së Shenjtë "me popujt indigjenë dhe, në veçanti, me gratë", në mënyrë që të promovohen dhe mbrohen të drejtat e tyre themelore, dhe kujtoi, siç shkroi Papa Françesku në Nxitjen Apostolike Querida Amazonía, se "në Amazonë ka bashkësi që kanë mbijetuar sepse janë ndihmuar [...] falë pranisë së grave të forta dhe bujare". Bashkësi që do të ishin rrënuar "nëse gratë nuk do të kishin qenë aty, për t'i mbështetur, ushqyer dhe kujdesur për to. Kjo tregon fuqinë e tyre dalluese".
Angazhimi i Kishës
Kisha Katolike, me institucionet dhe veprat e saj, kujdeset për popujt indigjenë në shumë pjesë të hemisferës, theksoi më pas imzot Cruz Serrano, "duke investuar në arsimin e shëndetin e tyre dhe duke ndërgjegjësuar shoqërinë" në mënyrë që këta popuj "të mund të jenë protagonistë dhe udhëheqës të historisë së tyre". "Për të arritur këtë objektiv", ka disa struktura kishtare që "punojnë intensivisht, si: konferencat episkopale, dioqezat, prelatura territoriale, vikariatet kishtare, famullitë, misionet dhe Rrjeti Kishtar Panamazonian (REPAM)".
Selia e Shenjtë e programet për popullatat indigjene
Së fundi, duke ripërtërirë mbështetjen e Selisë së Shenjtë "për nismat që synojnë të amplifikojnë" zërin e popujve indigjenë dhe të "mbrojnë të drejtat e tyre dhe të garantojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë në jetën e shoqërisë", Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (OSA), imzot imzot Cruz Serrano shprehu miratimin e Selisë së Shenjtë për punën që Organizata e Shteteve Amerikane bën në favor të popujve indigjenë dhe personave të cenueshëm, ndër të cilët janë edhe gratë dhe vajzat.