Kërko

UN General Assembly kicks off high-level week 2025

Gallagher: Selia e Shenjtë, e shqetësuar për numrin e lartë të vetëvrasjeve ndërmjet të rinjve

Dorëzohen në OKB dy deklarata të Sekretarit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare: "Të rinjtë duhet të mbështeten për t'u bërë arkitektë të paqes". Imzot Gallagher kërkon ndihmë për ata, që përjashtohen nga mundësitë për arsimim dhe punësim

R.SH. – Vatikan

Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, dorëzoi dy deklarata në Asamblenë e 80-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 25 shtator, në Nju Jork. Tekstet kanë të bëjnë me dy sesione të nivelit të lartë, që u kushtohen përkatësisht të rinjve dhe shëndetit në gjithë botën.

Afërsia me të rinjtë, "arkitektët e paqes"

Në deklaratën e tij të parë, imzot Gallagher përkujton 30-vjetorin e Programit Botëror të Veprimit për të Rinjtë, duke theksuar se ky përvjetor është "mundësi për të ripohuar impenjimin tonë në mbështetje të të rinjve, që të bëhen arkitektë të paqes, kujdestarë të Krijimit dhe ndërtues të një shoqërie më të drejtë". Ai vë në dukje se brezat e rinj përballen sot me sfida serioze, që ua pengojnë zhvillimin dhe ua zbehin vetëdijen për dinjitetin e tyre: luftërat, padrejtësitë sociale, pabarazia, uria, shfrytëzimi i njerëzve dhe i ambientit. Ndër çështjet më urgjente, imzot Gallagher thekson përjashtimin e një numri të konsiderueshëm të rinjsh - veçanërisht vajzash - nga mundësia për arsimim e punësim. Në mbarë botën, më se 20 përqind e të rinjve nuk vazhdojnë shkollën, nuk janë në punë e as në ndonjë lloj tjetër formimi, gjendje që, vë në dukje ai, "shton rrezikun e problemeve të shëndetit mendor dhe izolimit".

Shqetësim për numrin e lartë të vetëvrasjeve

Kjo është çështje e përbashkët për të dyja deklaratat. Në tekstin e dytë, paraqitur në sesionin kushtuar parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve jo-ngjitëse dhe promovimit të shëndetit mendor, imzot Gallagher shpreh "shqetësimin e thellë" të Selisë së Shenjtë për numrin e lartë të përpjekjeve për vetëvrasje çdo vit, aq më tepër sepse vetëvrasja është "një nga shkaqet kryesore të vdekjes tek të rinjtë". Në këtë drejtim, ai vëren se "ndihma për vetëvrasje, me çfarëdo lloj mënyre, shkel etikën mjekësore dhe dinjitetin njerëzor, sepse dinjiteti i çdo njeriu, sado i brishtë, ose i ngarkuar me vuajtje, është dinjitet i të gjithëve".

Një impenjim më i madh

Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet përsërit më pas urgjencën e impenjimit të ripërtërirë politik për të promovuar një stil jete të shëndetshme, sepse çdo shtet, vazhdon ai, e ka "për detyrë të kujdeset për nevojtarët". Imzot Gallagher kujton se problemet e shëndetit mendor mbeten "shkaku kryesor i vdekjes dhe i kufizimit të aftësive në mbarë botën, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme", duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Kishës Katolike për të ofruar kujdes shëndetësor dhe për të promovuar mirëqenien përmes institucioneve të saj, "veçanërisht për të varfrit, të brishtët dhe nevojtarët".

29 shtator 2025, 15:41